1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Eurozona kundër bankave - grindje për faljen e pjesshme të borxheve Greqisë

Hapi i parë për faljen e pjesshme të borxheve u bë: shefat e shteteve dhe të qeverive të BE ranë dakord në Bruksel për një rikapitalizim të të gjitha bankave të rëndësishme për sistemin bankar.

Kancelarja Merkel në takimin e nivelit të lartë të Brukselit

Kancelarja Merkel në takimin e nivelit të lartë të Brukselit

Kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron deklaroi pas raundit të parë të konsultimeve për krizën të mërkurën (26.10.) në Bruksel përpara gazetarëve, se BE ra dakord për një plan për rikapitalizimin e bankave evropiane. Por kusht për këtë është pranimi i një pakete të shpëtimit të euros nga ana e vendeve të eurozonës:

"Ne bëmë përparime të mira për rikapitalizimin e bankave. Për këtë vendim nuk u bënë kompromise. Për të tani u ra dakord. Por do të kemi avancim vetëm kur të avancojnë pjesë të tjera të një pakete të plotë dhe sonte duhet të bëhet përparim i mëtejshëm për këtë."

Deri gjysmë ore para mesnatës ishte e paqartë nëse do të kishte sukses hapi më i rëndësishëm, një qethje prej 50% e barrës greke të borxheve. Shanset megjithatë dukeshin të mëdha që fondi i shpëtimit të euros EFSF do të rritej në shumën 1 bilionë euro.

Kancelarja Merkel e përcaktoi në mëngjes në Berlin synimin: borxhi i përgjithshëm i Athinës duhet të ulet në 120 përqind. Dhe në bazë të analizës së trojkës, sektorit privat do t'i duhej që për të arritur këtë të hiqte dorë nga gjysma e kërkesave të tij për borxhet. Deri në mbrëmje vonë negociatat me bankat kishin ngecur në vend, sepse ato kërkonin një sigurim të lartë për letrat e reja dhe nuk ishin të gatshme për qethjen prej 50% të borxhit.

Kryeministri i Suedisë, Frederik Reinfeldt paralajmëroi që të mos merren vendime të përshpejtuara: "Është më mirë që të arrihet një zgjidhje rrënjësore, e cila të funksionojë, se sa të bëhet diçka me shumë shpejtësi. Kur pasdite u pakësuan shpresat për vendime të forta të takimit të nivelit të lartë, ra edhe vlera e euros përballë dollarit.

Kryeministri Cameron sqaron vendimet

Kryeministri Cameron sqaron vendimet

Përpjekje mbinjerëzore

Kryeministri i Greqisë, Jorgos Papandreu iu drejtua të pranishmëve në takimin e nivelit të lartë se "ka ardhur koha që të kapërcehet pasiguria dhe të bëhet një hap i madh në drejtim të një Evrope të sigurtë." Ai u betua se grekët po bënin "përpjekje mbinjerëzore" për ta sjellë në rregull shtëpinë e tyre.

Merkeli duket se ishte e gatshme që për shpëtimin e grekëve të kalonte në konfrontim me bankat. Bankat mbajnë rreth 200 miliardë euro nga huatë shtetërore greke, ndërsa borxhi i përgjithshëm i grekëve është rreth 340 miliardë dollarë.

Ministri grek i Financave, Evangelos Venizellos paraqiti para takimit të nivelit të lartë një model për shkurtimin e borxheve. Në bazë të tij, bankat duhet t'u kthehen 15 % e huave që kanë dhënë, 35 përqind të tjera të shndërrohen në hua të reja, pjesa që mbetet të eleminohet.

Por qarqe negociatore në Bruksel e quajtën pa shumë shanse këtë propozim. Ai që preferohej ishte këmbimi i huave të vjetra me hua të reja, me një humbje vlere prej 50%. Huatë e reja do të emetohen nga Fondi i Shpëtimit të euros EFSF.

Autor: Auron Dodi (dapd/ DW)

Redaktoi: Aida Cama

DW.COM