1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Euroskepticizëm në Maqedoni

Qëndrimet kritike të kryeministrit Gruevski ndaj raporti-progresit dhe rekomandimeve të BE-së analistët politikë i vlerësojnë si të rrezikshme për të ardhmen e integrimeve evropiane të vendit

Qyteti i Manastirit në Maqedoni

Qyteti i Manastirit në Maqedoni

Kritikat e njëpasnjëshme ndaj Komisionit Evropian për vlerësimet e dhëna në raportin e progresit për të arriturat e Maqedonisë nga ana e kryeministrit dhe disa institucioneve kanë rezultuar me shfaqjen e euroskepticizmit në Maqedoni. Në anketat e fundit të Institutit për hulumtime politike vërehet rënia e dukshme e përqindjes së qytetarëve, që janë pro anëtarësimit të Maqedonisë në BE. Sipas analistëve politikë ky trend mund të çojë në përforcimin e euroskepticizmit në vend dhe të jetë platformë e mjaftueshme për nxitjen e politikave të izolimit dhe për revizionin e konsensusit politik për integrimet evropiane.

Mospranimi raportit mund të ngadalësojë proceset eurointegruese

Për analistin politik Ismet Ramadani fajtor kryesor për shfaqjen e euroskepticizmit në vend është kryeministri Gruevski: “Bëri një situatë, e cila nuk shkon në favor të eurointegrimeve dhe në një mënyrë krijohet një euroskepticizëm i panevojshëm, për faktin se Maqedonia nuk guxon në asnjë mënyrë ta humbë hapin, respektivisht të ndryshojë diskursin euroatlantik”, shprehet Ismet Ramadani.

Dimova: Qeveria duhet të promovojë agjendën evropiane

Qeveria e Maqedonisë duhet me seriozitet t'i pranojë rekomandimet e Komisionit Evropian dhe të angazhohet në tërësi t'i menjanojë vërejtjet në raportin e ardhshëm. Maqedonia si vend kandidat nuk ka forcën politike t'i kundërshtojë vlerësimet e Komisionit Evropian, thotë Lidija Dimova nga Qendra për Arsimim Evropian: “Qeveria ka për obligim të promovojë agjendën evropianë në Maqedoni. Çdo kundërshtim i kësaj agjende do të thotë mosrespektim të marrëveshjes për stabilizim dhe asocim”, thotë Dimova. Sipas saj në Maqedoni vështirë mund të dëgjohet zëri i atyre, që nuk kanë mendim të njëjtë me qeverinë, sepse janë mbyllur mediat, të cilat ishin antiqeveritare.

Maliqi: Brengosëse fryma antievropiane

Qasja e qeverisë ndaj proceseve euroatlantike është me batica dhe zbatica dhe gjëja më brengosëse në këtë situatë është krijimi i një disponimi antievropian, thotë profesori universitar Nazmi Maliqi.

“Euroskepticizmi drejtpërdrejtë ka të bëjë me krijimin e politikave jostabile brenda shtetit. Ajo që është më indikative, për çfarë arsye nuk përpunohet raporti i Komisionit Evropjan”, shprehet Nazmi Maliqi. Ikja nga vlerat evropiane për të ndërtuar shoqëri stabile jashtë standardeve të BE-së dhe në rrethana ballkanike nuk është shpresëdhënëse për qytetarët e Maqedonisë, thonë analistët politikë.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Angjelina Verbica