1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Europarlamentarja Anna Maria CORAZ- Bildt: "Vota e sotme është një apel për të marrë përgjegjësi dhe vazhduar reformat"

Votimi sot (28.09.2010) në Komitetin për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme të Parlamentit Evropian pro liberalizimit të vizave për Shqipërinë është një hap që rrit stabilitetin në rajon

Në foto, Anna Maria CORAZZA Bildt

Në foto, Anna Maria CORAZZA Bildt

DW: Znj. Anna Maria CORAZZA- Bildt, si shkoi sot votimi i raportit të KE-së për liberalizimin e vizave në Komitetin për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme në Parlamentin Evropian?

Anna Maria-CORAZZA-Bildt: Sot LIBE, votoi për lirinë e lëvizjes së qytetarëve të Shqipërisë dhe Bosnjë- Hercegovinës, votoi për liberalizimin e vizave. Kam qenë e zotuar për të drejtuar këtë proces që në ditët e mia të para në Parlamentin Evropian prandaj jam veçanërisht e gëzuar. Grupi i Partive Popullore, më i madhi në Parlamentin Evropian votoi i bashkuar pro liberalizimit të vizave.

DW: A pati vota kundër ose abstenime?

Anna Maria-CORAZZA-Bildt: Ishte një maxhorancë e gjerë që votoi në favor. Kemi më shumë se një vit që po negociojmë, që nga Korriku i vitit 2009 dhe mendoj se arritëm një konsensus shumë të mirë në Parlament.

DW: Dhe pas kësaj cili është objektivi juaj, përherë në lidhje me përfundimin e procesit të liberalizim të vizave për qytetarët e Shqipërisë?

Anna Maria- CORAZZA Bildt: Synimi ynë është të vazhdojmë negociatat për seancën plenare të Parlamentit që do të zhvillohet javën që vjen dhe sidomos për votimin në Këshilllin e Ministrave të Brendshëm të BE. Grupi ynë i Partive Popullore Evropiane ka mbajtur një pozicion realist dhe të besueshëm, të mbështetur në vlerësimin e Komisionit Evropian, sipas të cilit kriteret dhe standartet për liberalizimin e vizave janë plotësuar nga Shqipëria dhe Bosnjë- Hercegovina. Përfitoj nga rasti të përshëndes autoritetet e dy vendeve.për progresin që kanë arritur në kryerjen e reformave. Janë reforma shumë të rëndësishme për gjithë popujt e rajonit ato që lidhen me luftën kundër krimit të organizuar, kthimin dhe riintegrimin e refugjatëve në atdhe, konfiskimin e pasurive të bandave kriminale, luftën kundër korrupsionit, bashkëpunimin më të mirë mes strukturave të policisë. Të gjitha këto reforma ndihmojnë për të ardhur më pranë BE-së pasi perspektiva evropiane është gjithashtu shumë e rëndësishme.

DW: Nëse do t' ju pyesja se kur shqiptarët do të udhëtojnë pa viza, çfarëdo të thonit?

Anna Maria - CORAZZA Bildt: Aty nga Krishtlindjet, shqiptarët do të mund të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen. Po negociojmë me Këshillin e Ministrave të BE-së. Përderisa opinioni i KE-së është pozitiv besoj se i tillë do të jetë edhe ai i Këshillit të Ministrave. Vlerësoj si mjaft të rëndësishme lëvizjen që bëri Presidenca suedeze e BE-së, vitin e kaluar, në sajë të së cilës Këshilli ra dakort për një deklaratë të përbashkët me Parlamentin Evropian për të përshpejtuar sa më shumë që të jetë e mundur procesin e liberalizimit të vizave.

DW: Liberalizimi i vizave ndodh në një kohë kur perspektiva evropiane për vendet e Ballkanit, përjashto këtu Kroacinë mbetet e gjallë por e largët. Si e shihni marrdhënien mes liberalizimit dhe kësaj perspektive?

Anna Maria- CORAZZA Bildt: Ne jemi me këmbë në tokë, e drejtojmë procesin në vijueshmëri dhe me shumë vendosmëri por të bazuar në të njëjtat rregulla dhe procedura për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Vota sot është një apel që autoritetet nga Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina të vazhdojnë të jenë të zotura për të kryer reforma. Këto dy vende duhet të sigurojnë sërish Këshillin dhe vendet anëtare se janë serioze kur është puna për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Unë besoj se ata janë. Kam besim se autoritetet e Shqipërisë dhe të Bosnjë- Hercegovinës janë të zotuara për të vazhduar reformat.

DW: Reformat kërkojnë konsensus me opozitën, miratim ligjesh me votë të cilësuar gjë që në Shqipëri nuk po arrihet. Situata politike është e trazuar, opozita paralajmëron protesta. A kuptohet qartë mesazhi i votes sot në Parlamentin Evropian?

Anna Maria- CORAZZA Bildt: Edhe në Bruksel ka një mesazh për politikanët e Shqipërisë: Merrni përgjegjësitë tuaja. Është fjala për popullin dhe vendin tuaj. Parlamenti Evropian dhe KE-së nuk mund të bëjnë punën tuaj. Ne vetëm ju mbështesim. Unë jam shumë e gëzuar për votimin e sotëm pasi kam qenë gjashtë vjet në Ballkan, në rrreziqet e luftrave të dhjetëvjeçarit të kaluar. Vota e sotme është një sukses i madh. Por natyrisht përgjegjësia qëndron në rradhë të parë tek autoritetet e Shqipërisë dhe të Bosnjë-Hercegovinës. Ne nuk mund t'i zëvendësojmë ato. Mendoj se vota e sotme është një apel për të marrë përgjegjësi dhe vazhduar reformat. Kam besim se kjo do të ndodhë. Vota e sotme, që është hapi i parë para seancës plenare dhe votës në Këshillin e Ministrave të Brendshëm, ka rëndësi të madhe për popujt, sidomos për B-H që ka vuajtur luftën. Kontaktet mes njerëzve pas liberalizimit të vizave, do të ndikojnë për të stabilizuar rajonin dhe do t'i sjellin qytetarët e Shqipërisë dhe të B-H më pranë qytetarëve të BE-së. Kjo do të ketë efekte pozitive për gjithë rajonin dhe popujt e tij.

Autore: Ani Ruci / Tiranë

Redaktoi: Esat Ahmeti

  • Data 28.09.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/POzt
  • Data 28.09.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/POzt