1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Europa para mbylljes së kufijve?

Kush i kontrollon kur kufijtë e vet? Kjo është një çështje tepër e debatuar brenda Bashkimit Europian. Ky debat vazhdoi edhe të enjten në Luksemburg gjatë takimit të Ministrave të Brendshëm të Bashkimit Europian.

Për Bashkimin Europian dhe sidomos për qytetarët e saj lëvizja e lirë në Europë që filloi vite më parë është një arritje historike. Por ka disa vite që shumë qeveri i tremben fluksit të pakontrolluar të refugjatëve drejt BE-së. Disa qeveri, për shembull, kritikojnë Greqinë se nuk i kontrollon sa duhet kufijtë e saj duke mundësuar kështu që shumë emigrantë të hyjnë nga ky vend në shtete të tjera të BE-së.

Disa shtete të BE-së, në pararojë Gjermania dhe Franca, duan të kufizojnë për shembull marrëveshjen e Shengenit, së paku për një kohë të shkurtër. Pak ditë më parë, dy ministrat e Brendshëm të dy shteteve më të rëndësishme në BE, Francës dhe Gjermanisë, Claude Guéant dhe Hans-Peter Friedrich kërkuan në një letër të përbashkët prezantuar qeverive të tjera që në raste të jashtëzakonshme çdo shtet duhet të ketë mundësinë që të rivendosë vetë kontrollet kufitare deri në 30 ditë.

Hans-Peter Friedrich, ministër i Brendshëm gjerman

Hans-Peter Friedrich, ministër i Brendshëm gjerman

Ishte Danimarka ajo që verën e vitit të shkuar vendosi për një kohë të shkurtër kontrollet kufitare duke shkaktuar debate të ashpra. Ministri i Brendshëm gjerman Friedrich tha të Enjten se propozimi i tij nuk ka të bëjë aspak me danezët: "Danimarka ishte diçka tjetër. Danezët donin të fusnin rregullisht kontrollet kufitare. Kjo nuk është e pajtueshme me lirinë e lëvizjes. Ne duam që në raste nevoje, që në të shkuarën kanë qenë të rralla, të krijojmë një bazë të qartë ligjore. Dhe ne nuk pranojmë që kjo çështje të jetë kompetencë e plotë e Komisionit Europian, sepse për sigurinë çdo vend duhet të jetë vetë përgjegjës", tha ministri i Brendshëm gjerman, Hans-Peter Friedrich (CSU) në Luksemburg.

Berlini dhe Parisi pro sovranitetit kombëtar në çështjen e kufijve

Në debatin për kontrollet kufitare, Berlini dhe Parisi kërkojnë më shumë sovranitet kombëtar. Por edhe tani në BE janë të mundura kontrollet kufitare, por "vetëm në rast të kërcënimit të rëndë të rendit publik dhe sigurisë." Sipas Komisionit Europian dhe Parlamentit Europian, fluksi i refugjatëve nuk përbën një kërcënim të tillë. Këtë gjendje duan ta ndryshojnë ministrat e Brendshëm të Gjermanisë dhe Francës, dhe me sa duket ata nuk janë vetëm. Në takimin e ministrave të Brendshëm të BE-së të Enjten në Luksemburg ata tërhoqën edhe përkrahës të tjerë pas vetes.

Ministrja e Brendshme e Austrisë, Johanna Mikl-Leitner i pranoi plotësisht propozimet gjermano-franceze dhe shpjegoi se si e kupton ajo rolin e Komisionit Europian në të ardhmen: "Komisioni Europian duhet të jetë një sistem i hershëm paralajmërues që duhet të kapë në kohën e duhur rreziqet dhe të përgatisë në bazë të kësaj skenaret e duhura, por sidomos masa konnkrete që pastaj duhet të zbatohen. Dhe vetëm po qe se këto masa nuk kanë efekt, duhet të bëhet e mundur që të rivendosen kontrollet kufitare. Pra kontrollet kufitare duhet të jenë mjeti i fundit."

Cecilia Malmström, komisionere për çështjet e Brendshme

Cecilia Malmström, komisionere për çështjet e Brendshme

Të mos keqpërdoret Shengeni për fushata zgjedhore

Për komisioneren e BE-së për çështjet e Brendshme Cecilia Malmström kjo shpërndarje kompetencash nuk është e përshtatshme. "Ajo që është e nevojshme tek Shengeni është një mekanizëm europian, sepse Shengeni është një projekt europian. Komisioni nuk e ka ndryshuar qëndrimin këtu."

Propozimi i KE-së është që një vend në rast rreziku nga sulmet terroriste apo katastrofat natyrore të mund të vendosë vetë kontrollet kufitare për pesë ditë. Për zgjatjen e këtij afati duhet pastaj të vendoset në nivel europian. Propozimi gjermano-francez për 30 ditë kontrolle kufitare hasi edhe kritikanë takim. Madje në fund të takimit të ministrave të Brendshëm, komisionerja Malmström u shpreh shumë hapur. "Shengeni është shumë i rëndësishëm që të keqpërdoret për debate fushatash zgjedhore." Pas këtyre përplasjeve në Luksemburg, reforma e Shengenit sigurisht që do të shtyhet për në takimet e ardhshme.

Autor: Christoph Hasselbach/Lindita Arapi

Redaktoi: Bahri Cani