1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Europa përgatitet për kontrolle kufitare deri në dy vjet

Shengeni me serum: Në takimin e ministrave të Brendshëm e të Drejtësisë të BE-së në Amsterdam (25-26.01) u diskutua për vazhdimin e kontrolleve kufitare e u rrit presioni ndaj Greqisë për sigurimin e kufijve të jashtëm.

"Ne duam të ruajmë Shengenin,por po na ikën koha", kështu u shpreh ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere në Amsterdam të hënën (25.01) në takimin e ministrave të Brendshëm të BE-së që vazhdon edhe të martën (26.01), për të gjetur zgjidhje urgjente për uljen e valës së lartë të refugjatëve. Edhe në 2016 pritet një valë e madhe refugjatësh deri në disa qindra mijëra vetë. Gjermania, vendi që ndërkohë ka pranuar 1,1 milionë refugjatë kërkon një "ulje të vazhdueshme, të ndjeshme dhe të qëndrueshme të numrit të refugjatëve dhe madje ky rezultat duhet të ndjehet në javët e ardhshme" kërkoi de Maiziere.

Ministri i Brendshëm gjerman ka gjetur mbështetje edhe tek vendet e tjera anëtare të BE-së. Shtetet anëtare i kanë kërkuar Komisionit Europian të "përgatisë bazën konkrete për një zgjatje të kontrolleve të përkohshme kufitare deri në dy vjet", është shprehur sekretari i shtetit në Ministrinë e Drejtësisë të Holandës, Klaas Dijkhoff, vendi që mban presidencën e radhës së BE-së. Kontrollet kufitare të vendosura në disa shtete të BE-së si Gjermania, Austria, e vende të tjera- janë planifikuar deri në maj mbi bazën e tanishme të marrëveshjes Shengen.

Thomas de Maiziere auf der Tagung der EU-Innenminister in Amsterdam über den Grenzschutz in der Flüchtlingskrise

Thomas de Maiziere, ministri i Brendshëm gjerman

Greqia nuk siguron dot kufirin e jashtëm të BE-së

Sipas nenit 26 të marrëveshjes Shengen në rast nevoje kontrollet kufitare mund të zgjaten deri në dy vjet "në rast të vështirësive të vazhdueshme e të rënda në kufijtë e jashtëm të BE-së", të cilat në tërësi rrezikojnë funksionimin e marrëveshjes Shengen. Për këtë Komisioni Europian duhet të mbante me shkrim shënimin se nuk funksionon sigurimi i kufijve të jashtëm të BE-së me Greqinë. Vendimi për zgjatjen e kontrolleve kufitare nuk është marrë, por sipas ministrit të Brendshëm gjerman, Komisioni është "i hapur" ndaj një zgjatjeje tjetër.

Në këtë kontekst është rritur presioni i vendeve anëtare të BE-së ndaj Greqisë për të siguruar më mirë kufirin detar. Ky vend shërben për shumë refugjatë si porta e hyrjes në Europë për të vazhduar përmes itinerarit ballkanik rrugën për në Austri e Gjermani. Greqia duhet "të bëjë detyrat e shtëpisë" tha ministri i Brendshëm gjerman. Edhe ministrja e Brendshme austriake, Mikl-Leitner tha se është një "mit" që kufiri greko-turk nuk ruhet dot. Greqia ka "një nga marinat më të mëdha në Europë". Mikl-Leitner e cila më parë kishte kërcënuar me nxjerrjen e Greqisë nga Shengeni kërkoi vendosjen e marinës greke nën "kontrollin civil" me qëllim që të kontrollojë kufirin e jashtëm të BE-së. Po qe se kjo nuk ndodh, atëherë kufiri i jashtëm i Shengenit do të lëvizë "në drejtim të Europës Qendrore" ka thënë ministrja e Brendshme e Austrisë.

Österreich Gespräch Presse

Johanna Mikl-Leitner , ministrja e Brendshme austriake

Frontex - Roja e re bregdetare europiane?

Qeveria greke nga ana e saj i hodhi poshtë akuzat nga Europa. "Sipas së drejtës ndërkombëtare, së drejtës detare dhe Konventës së Gjenevës, së drejtës europiane, e së drejtës greke", i vetmi opcion veprimi në një kufi detar është shpëtimi i jetës së njerëzve, theksoi ministri grek i Migracionit, Janis Mouzalas duke vazhduar me pyetjen nëse disa vende europiane janë të mendimit që më mirë refugjatët të lihen të mbyten në det.

Por de facto, BE mund ta marrë në dorë situatën edhe pa Greqinë. Parashikohet edhe forcimi i rolit të agjencisë Frontex. Të martën në takimin e ministrave të Brendshëm të Bashkimit Europian diskutohet edhe për krijimin e një roje kufitare bregdetare europiane, pra zgjerimin e Frontex në një roje bregdetare europiane, që do të ndërhyjë, sipas planeve të Komisionit edhe kundër vullnetit të një shteti të vetëm. Ka diskutime për aktivizimin e Frontex edhe në Maqedoni për të mos lejuar valën e refugjatëve drejt Europës veriore. Pritet që rregullorja për një roje rë tillë bregdetare europiane të jetë gati deri në qershor. Gjermania e mbështet këtë ide, ndërsa ministri i Brendshëm spanjoll, Fernandez Diaz u shpreh me rezerva. "Duhet ta verifikojmë me kujdes, kjo është një çështje që prek kufijtë e shteteve dhe kufizon sovranitetin kombëtar."