1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Europa nuk duhet të heqë dorë nga Ukraina

Sanksionet e BE-së janë një shenjë e ujdisë, por ato nuk do të kenë një ndikim praktik. Çelësi për zgjidhjen e krizës qëndron në Moskë, komenton Bernd Riegert.

Rubrikenbild Kommentar albanisch

Bashkimi Europian vërtet ka shumë pak mjete për të detyruar presidentin Janukoviç të ndryshojë udhë. Sanksionet, që u miratuan janë thjesht gjilpëra për qarqet qeveritare. Ende nuk janë bërë të ditur emrat e personave të prekur nga sanksionet. Pritet që përgjegjësve, që veprojnë në hije dhe miqve të Janukoviçit t'u ndalohet udhëtimi në BE dhe t'u bllokohen kontot jashtë vendit. Për shkak të shumë viktimave në Maidan, mini-sanksionet duken shumë të pafuqishme. Ato janë thjesht një simbol diplomatik. Një simbol për opozitën demokratike ukrainase, se BE nuk i lë ata në baltë.

Europianët duhet të negociojnë

Ministrat e Jashtëm i japin me këtë mbështetje tre ndërmjetësuesve të nivelit të lartë (Ministrat e Jashtëm të Gjermanisë, Francës, Polonisë, shën.red.), të cilët përpiqen për një zgjidhje paqësore të konfliktit të përgjakshëm. Pozitiv është fakti që Janukoviç ende negocion me BE-në. Po luan presidenti ukrainas me kohën, do të lodhë palët, apo do vërtet një zgjidhje paqësore të konfliktit? E ka humbur ai kontrollin mbi forcat e sigurisë, trupat speciale, apo provokatorët? Në Ukrainën perëndimore përfaqësuesit e qeverisë dhe policët kanë kaluar në anën e opozitës. Diplomatët e BE-së i tremben një shkallëzimi të ri të situatës, luftës civile, apo ndarjes së Ukrainës në një pjesë pro-ruse dhe proeuropiane.

Në këtë situatë dramatike europianët duhet të vazhdojnë negociatat. Tre ministrat e Jashtëm mund të qëndrojnë edhe më gjatë, ata nuk duhet të lejojnë të mënjanohen.

Figura kryesore - Vladimir Putin

Por një zgjidhje e vërtetë e konfliktit nuk do të negociohet, apo vendoset në Kiev. Për këtë duhet Rusia. Moska ka dalë në anën e Janukoviçit, i bën presion atij të veprojë. Në rast se nuk ndalen demonstrat në Maidan, nuk ka para nga Rusia. Kështu presidenti Janukoviç, që drejton një shtet gati të falimentuar, ndodhet me shpinë pas muri. Europa dhe SHBA duhet të përpiqen të ndikojnë tek presidenti rus, Vladimir Putin, i cili shfaqet si car i paqes në Soçi, ndërkohë që në Ukrainë derdhet gjak.

Kancelarja Merkel e ka bërë hapin e parë, ajo ka telefonuar ndërkohë me presidentin Putin. Por Putini, të cilit duket se i ka hyrë në qejf loja gjeopolitke e shahut me europianët, nuk do të ndikohet nga fjalë të bukura e të pambukta. Rusia kupton më shumë gjuhën e ashpër, apo më mirë presionin ekonomik. BE është një partner i rëndësishëm tregtar dhe klient energjitik i Rusisë. Këtu duhet të gjejnë europianët levën lëvizëse, po qe se bien në ujdi. Presidenti Putin mund të ketë po ashtu frikë, frikë që shkëndija e Ukrainës mund të kalojë në Rusi. Edhe Putini qëndron në pushtet me zgjedhje, që supozohen si të manipuluara, me media të kontrolluara dhe një aparat represioni të fuqishëm.

Europa Rusia dhe Ukraina

Demonstruesit ukrainas nuk duhet të përdoren në këtë lojë gjeopolitike si mish për top. Europianët nuk duhet të lejojnë të luhet edhe një herë një variant i ri i Luftës së Ftohtë. Ata duhet t'ia bëjnë të qartë Putinit, se ai nuk mund të fusë Ukrainën kundër dëshirës së njerëzve brenda perandorisë ruse. Një asociim me BE-në dhe një anëtarësim në zonën e tregtisë së lirë ruso-euroaziatike mund të funksionojnë njëherazi dhe nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Nuk duhet të ketë si në kohën e Luftës së Ftohtë vetëm një alternativë dhe asnjë tjetër.

Janë miope akuzat se BE i nënvlerëson zhvillimet në Ukrainë dhe nuk e ka marrë seriozisht marrëdhënien me Rusinë. BE ka ofruar mundësitë që ka: Bashkëpunim ekonomik dhe ndihmë në reforma. Lidhja europiane e shteteve nuk mund të reagojë si Putini, që ka obsesion pushtetin dhe tendenca autokratike. Tek Ukraina do të kuptohet, nëse dhe si Rusia dhe BE do të mund të jenë partnerë në të ardhmen.