1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Europa nën breshërinë e Standard&Poor's

Pas kërcënimit për uljen e bonitetit të eurozonës, agjencia e vlerësimit financiar S&P vë në shënjestër fondin europian të shpëtimit. Po si kanë reaguar politika dhe ekspertët pas këtyre paralajmërimeve?

Standard& Poor

Standard& Poor

Një ditë pas kërcënëmit të lëshuar për uljen e bonitetit për vendet e eurozonës, agjencia amerikane, Standard&Poor's lëshoi të martën goditjen tjetër. Ajo ka paralajmëruar tanimë për ulje boniteti edhe vetë fondin europian të shpëtimit. Në një njoftim të agjencisë, thuhet se ky fond mund të humbasë notat më të mira të vlerësimit, nëse ulet boniteti për një shtet të eurozonës që ka marrë dikur notën më të mirë. Kështu vlerësimi i kreditimit mund të binte nga "AAA" me dy shkallë. Vetëm të hënën në mbrëmje erdhi kërcënimi për uljen e bonitetit të të gjithë eurozonës, duke bërë një vlerësim perspektiv "negativ" për të gjithë eurozonën.

Politika nuk heq dorë nga optimizmi...

Sipas njoftimeve nga S&P kjo agjenci do të verifikojë nëse rezultatet e samitit të Brukselit janë të mjaftueshme për të rivendosur besimin e tregjeve. Aktualisht në eurozonë vlerësohen me notën më të mirë AAA, Gjermania, Franca, Austria, Holanda, Luksemburgu, Finlanda.

Wolfgang Schäuble, ministri gjerman i Financave

Wolfgang Schäuble, ministri gjerman i Financave

Të martën ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble tregoi vetëbesim, megjithë lajmet e këqija, jo vetëm për eurozonën por edhe Gjermaninë. Pas takimit me ministren austriake të Financave, ai u shpreh: "Paralajmërimi i S&P nuk është i bazuar në të dhëna reale ekonomike për vendet me notë 3 A, por tek pasiguria e tregjeve financiare për zhvillimet e eurozonës snë përgjithësi. Nga ana tjetër ne e konsiderojmë këtë vlerësim si një konfirmim shtesë, që duhet të bëjmë gjithçka me qëllim që të arrijmë rezultatet e duhura më 9. Dhjetor."

Drejtuesi i eurogrupit, Jean-Claude Juncker u shpreh me zemërim për këtë vlerësim të agjencisë S&P. "Është i ekzagjeruar pa masë dhe i padrejtë" - këto ishin fjalët e Junckerit. Në radion gjermane ai tha, se duke marrë parasysh përpjekjet për reforma në shumë shtete të eurozonës, ky vlerësim është goditje e rëndë". Shtetet nuk duhet të lejojnë të bien në pasiguri.

Wolfgang Gerke, ekspert

Wolfgang Gerke, ekspert

Barra po i lëshohet gjeneratave të ardhshme

Pavarësisht optimizmit të ministrit të Financave, në Gjermani është rritur shqetësimi se ky vend duhet të përgatitet për humbjen e bonitetit të shkëlqyer që ka pasur deri më tani. Wolfgang Gerke, president i Qendrës Financiare bavareze është shprehur se: "Ky është një paralajmërim shumë serioz. Politikanët po kishin mundësi do t'ua mbyllnin gojën këtyre agjencive, por me këtë nuk zgjidhet problemi. Ky paralajmërim serioz i agjencisë Standard&Poor nënkupton: Ju nuk mund të vazhdoni të zhyteni më tej në borxhe, sepse do të rriten normat e interesit. Financimi i vendeve të veçanta është kaq i shtrenjtë, saqë ju e shihni vetë, se sa e gabuar është kjo rrugë."

Eksperti Gerke vëren se edhe Gjermania ka borxhe shumë të larta, dhe shkel kriteret e Maastrichtit, por kjo pikë harrohet kur përmendet gjithmonë se sa mirë po zhvillohet aktualisht ekonomia. Sipas ekspertit gjerman Gehrke, agjencitë e vlerësimit e kanë vërë re tendencën: "Ne jemi duke e lëshuar barrën tek gjeneratat e ardhshme", thotë ai.

Vetë kryeanalisti i Standard&Poor's për Europën, Moritz Kramer vëren: "Kriza financiare në Europë nuk prek më vende të veçanta dhe ato në periferi. Sipas mendimit tonë ajo është kthyer në një krizë sistemike, dhe ka prekur edhe vendet në zemër të eurozonës dhe bankat e tyre." Kaq shumë presion për eurozonën nuk ka ardhur kurrë më parë. Shpresa mbetet tek samiti i BE-së më 9. Dhjetor.

Autor: dw/ag/Arapi

Redaktoi: Mimoza Kelmendi

DW.COM