1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Europa me kufij të hapur?

Në kuadër të aktiviteteve gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës drejtori i përgjithshëm i DW, Peter Limbourg, moderoi podiumin e diskutimit me temë: Mundësitë dhe rreziqet e migrimit në Europë.

Në radhë të gjatë prisnin shumë njerëz qysh larg hyrjes së "Swiss Alpine School" në Davos për të marë pjesë në podiumin e diskutimit: Europa me kufij të hapur? Përgjatë ditëve të Forumit Ekonomik Botëror në Davos kontrollet e sigurisë janë të rrepta, të ftuarit në podium ishin të nivelit të lartë duke përfshirë edhe presidenten zvicerane Simonetta Sommaruga, Komisarin e Lartë të OKB për Refugjatët, Antonio Guterres dhe ministrin e Brendshëm gjerman Thomas de Maiziere.

Forumi Ekonomik Botëror është vetëm për pjesëmarrësit të akredituar, por "Open Forum Davos 2015", që zhvillohet paralelisht, është i hapur për të gjithë. Dhe zviceranët e shfrytëzojnë këtë mundësi. Madje ka edhe nga ata që kanë udhëtuar posaçërisht qindra kilometra, ndërsa të tjerët vijnë nga zonat përreth. Auditori është i mbushur plot me njerëz, shumë të rinj kanë ardhur. Televizioni zviceran e transmeton drejtpërdrejt diskutimin në "Open Forum Davos 2015" të drejtuar nga drejtori i përgjithshëm i DW Peter Limbourg.

"Kufij të hapur - të pashmangshëm apo të panevojshëm?", kjo ishte tema që u diskutua të enjten (22.01). Një çështje, që siç duket u intereson shumë njerëzve.

Shifra dramatike

Ishin shokuese faktet që prezantoi qysh në fillim komisioneri i lartë i OKB-së për Refugjatët, Antonio Guterres. Sipas tij, aktualisht ka rreth 50 milionë refugjatë në mbarë botën. Kjo është shifra më e lartë që prej Luftës së Dytë Botërore dhe më tej Guterres theksoi: "Në vitin 2013 çdo ditë 32.000 njerëzve u duhej të largoheshin nga atdheu për shkak të konflikteve."

Open Boarders Intendant Limbourg Moderator in Davos 22.01.2015

"Open Forum Davos 2015"

Moderatori Peter Limbourg shtroi më pas pyetjen, nëse në këto rrethana Europa duhet të hapë kufijtë dhe të pranojë më shumë refugjatë? Presidentja zvicerane Simonetta Sommaruga u përgjigj me një 'po' të qartë si dhe me një 'por' të qartë. Po tha ajo, sepse "kufijtë duhet të jenë të kalueshëm", duke shtuar njëkohësisht, "por sigurisht që ato duhet njëkohësisht të sigurohen dhe refugjatët duhet të shpërndahen në mënyrë të barabartë në Europë".

Varfëria apo persekutimi

Një temë kjo që e preokupon edhe ministrin e Brendshëm gjerman Thomas de Maiziere. Sepse vetëm gjashtë vende europiane pranojnë aktualisht pjesën më të madhe të refugjatëve: Gjermania, Zvicra, Suedia dhe Austria. Por në Gjermani vijnë edhe shumë refugjatë të mirëqenies. Njerëzit, të cilët shpresojnë për një jetë më të mirë në një vend më të pasur, por, sipas ministrit: "Varfëria nuk është arsye për azil. Kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë dhe kjo është edhe mënyra e vetme për të ruajtur mirëkuptimin e popullsisë."

Nga janari deri në korrik 2014 në Gjermani janë paraqitur 94.000 kërkesa për azil, për të gjithë vitin numri i tyre arrin mbi 200.000. Numri më i lartë që prej shumë vitesh. Megjithatë për qeverinë gjermane është e qartë se refugjatëve nga zonat e konfliktit si Siria duhet t'u garantohen të gjitha ndihmat e nevojshme.

Situatë e vështirë në vendet fqinjë

Komisioneri i Lartë i OKB-së, Antonio Guterres, e konsideron veçanërisht dramatike situatën në vendet fqinje me rajonet e krizës. Sipas tij Turqia ka pranuar ndërkohë rreth 2 milionë refugjatë nga Siria. Gjithashtu në Jordani dhe në Liban është në rritje numri i refugjatëve dhe këto vende e ndiejnë veten të lënë pasdore prej bashkësisë ndërkombëtare. Presidentja e Zvicrës ka vizituar kampet e refugjatëve në Jordani dhe në Liban dhe tha, se është shokuar prej kushteve të rënda. Kushtet higjienike janë të vështira. Prandaj Zvicra përpiqet të ndihmojë direkt në këto vende përmes masave në infrastrukturë. "Ne duhet t'i mbështesim vendet që janë të prekur drejtpërdrejt nga refugjatët", tha ajo në podiumin e diskutimit.

Rezerva ndaj refugjatëve

Por sidoqoftë në radhët e popullsisë zvicerane ka rezerva kundrejt numrit në rritje të refugjatëve dhe azilkërkuesve. Si rrjedhojë procedurat janë ndryshuar dhe janë përshpejtuar. Për këtë arsye presidentja Sommaruga verën e vitit të kaluar ftoi në Zyrih disa ministra të brendshëm të vendeve europiane që ata të informoheshin mbi procedurat e përshpejtuara. Synohet që këtej e tutje askush nuk duhet të presë më gjatë se tre muaj për shqyrtimin e kërkesës së azilit. Njerëzve që vijnë nga zonat e konfliktit në të ardhmen do t'u pranohet kërkesa brenda disa ditësh, ose po aq shpejt edhe mund t'u refuzohet ajo.

Të luftohen shkaqet

Nga të pranishmit në podiumin e diskutimit u shtrua edhe pyetja, se përse flitet gjithmonë vetëm për valën e refugjatëve. "Ne duhet të flasim edhe për shkaqet", u shpreh një e moshuar zvicerane duke u duartrokitur në sallën e mbushur plot e për plot. Një tjetër bëri thirrje për një manifestim me refugjatët të shtunën në Davos.