1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Europa Lindore vazhdon me kursin kundër refugjatëve

Para samitit BE-Turqi, kancelarja gjermane, Angela Merkel ende e sheh zgjidhjen mbarëeuropiane si mënyrë për kapërcimin e krizës së refugjatëve. Por vendet lindore e refuzojnë ujdinë.

Ungarn PK Orban zur Flüchtlingskrise

Viktor Orban kundër mekanizmit shpërndarës

Kryeministri hungarez, Viktor Orban mbetet në krye të një "aleance" të shteteve të Vishegradit kundër një politike të përbashkët në krizën e refugjatëve. Dy ditë para samitit BE-Turqi në fjalimin e tij me rastin e Festës Kombëtare të Hungarisë, ai e ritheksoi pozicionin e tij në krizën e refugjatëve. Hungaria nuk do të pranojë një shpërndarje të refugjatëve nga Turqia në Europë, tha ai. Më shumë se dy të tretat e popullsisë e mbështesin Viktor Orban, i cili kërkon me një referendum të vendosë nëse hungarezët janë dakord me kuotat e shpërndarjes.

"Pa iluzione mbi axhendën politike"

Pozicione të njëjta gjen edhe në vendet e tjera europianolindore, si në Sllovaki apo Çeki. Gerald Knaus, ekspert i Europës Juglindore në "Iniciativën Europiane të Stabilitetit (ESI) ka dyshime për suksesin e samitit. Nëse do të ketë një zgjidhje europiane për krizën e refugjatëve ajo do të jetë e kufizuar. "Lobimi" i kryeministrit hungarez ka bërë që atij t'i bashkangjiten edhe vende të tjera. "Po qe se Orban dhe të tjerët duan ta sabotojnë këtë, sepse kanë një vizion tjetër politik për të ardhmen e të drejtës së refugjatit, vizion tjetër për të ardhmen e Europës, atëherë mund ta mbash shënim këtë për të ardhmen, dhe të mos kesh më iluzione për axhendën politike pas saj, por kjo nuk duhet të na pengojë."

Rumania ka vullnet por edhe heziton

Në Bruksel ka shpresa për një zgjidhje me kompromis. Disa vende europianolindore si Bullgaria, Rumania nuk do ta ndjekin Viktor Orbanin, por edhe situata e tyre është ndryshe. Rumania nuk është kthyer në "një eldorado" për refugjatët. Ky vend nuk bën pjesë në Shengen dhe standarti i jetesës është i ulët. Po ashtu Rumania nuk bën pjesë në itinerarin "klasik" të Ballkanit, dhe si vend tranzit nuk është mjaft atraktiv. Megjithatë ka plane për sigurimin e kufijve, në rast se refugjatët do të ndjekin rrugë të reja.

Bulgarien Demonstration gegen Flüchtlinge in Sofia

Demonstratë kundër refugjatëve në Bullgari (20.11.2015)

Në shtator Rumania ishte kundër një kuote të detyrueshme të pranimit të refugjatëve, por sipas kryeministrit, Dacian Ciolos kjo duhet të bëhet mbai bazën e vullnetit të lirë dhe kapacitetet e vendeve pritëse. Në fillim të marsit erdhën 15 refugjatët e parë në Rumani nga Greqia. Gjithsej ky vend do të pranojë 6351 refugjatë. Në popullsi ka kontestime sipas një sondazhi të vitit të kaluar, 75% ishin kundër pranimit të refugjatëve, por jo kundër ndihmës humanitare për refugjatët e luftës nga Siria.

Armiqësi kundër të huajve në Bullgari

Bullgaria si një vend tranzit e sheh veten të konfrontuar me probleme të tjera. Aktualisht në vend hyjnë 1.500 refugjatë nga Siria, Iraku dhe Afganistani. Shumica duan të vazhdojnë më tej, në Serbi e drejt Eruopës Perëndimore. Bullgaria shihet si një mundësi e ndërrimit të itinerarit të refugjatëve, por ata nuk janë të mirëpritur në këtë vend. Në një fletushkë në arabisht të refugjatëve, Bullgaria zë vendin e parë ndër vendet që duhen mënjanuar gjatë itinerarit.

Qeveria bullgare e pranon mekanizmin e kuotave dhe është e gatshme të pranojë rreth 1.600 refugjatë, por popullsia bullgare e refuzon me shumicë një hap të tillë. Dhjetëra mijëra vetë që kaluan nëpër Bullgari në valën e vitit 2013-2014 raportojnë për trajtim të keq të autoriteteve bullgare dhe pritje jomiqësore në popullsi. Këto raportime janë publikuar nga organizata humanitare gjermane, Pro Asyl.

Polen Premierministerin

Kryeministrja polake, Beata Szydlo do të verifikojë me shumë kujdes refugjatët që do pranohen

Polakët nuk duan refugjatë

Polonia, ende me qeverinë e mëparshme, ishte vendi i vetëm i grupit të Vishegradit që në momentin e fundit nuk iu përmbajt ujdive. Si Ruamania edhe ky vend premtoi pranimin e 7.500 refugjatëve në vjeshtën e vitit 2015, në bazë të mekanizmit të shpërndajes. Në qershor 2015 qeveria e mëparshme liberale ishte shprehur për të ndihmuar në krizën e refugjatëve, atëherë bëhej fjalë për një shifër prej 4.000 refugjatësh. Qeveria e re nacional-konservatore e shikon me sy kritik këtë vendim të qeverisë së mëparshme, por do t'u përmbahet premtimeve. Deri në fund të marsit 2016 do të pranohen disa qindra refugjatë.Të gjithë do të "verifikohen me shumë kujdes" thotë kryeministrja polake, Beata Szydlo. Por Polonia nuk merr më pjesë në vendimet e tjera europiane në krizën e refugjatëve, ajo e kundërshton mekanizmin shpërndarës dhe pranimin e refugjatëve myslimanë.

Edhe në Poloni shoqëria është e ndarë në këtë çështje. Sipas sondazheve të nëntorit 2015, 73% e polakëve janë të mendimit se Polonia nuk ka kapacitete të pranojë refugjatë. Megjithatë 53% ishin të mendimit që ky vend si anëtar i BE-së duhet të kontribuojë në zgjidhjen europiane të problemit. Tani kapërcimi i krizës së refugjatëve varet nëse të gjithë pjesëmarrësit iu përmbahen ujdive. Për këtë është i bindur edhe eksperti për Europën Juglindore, Gerald Knaus. "Nëse ujdia me Turqinë funksionon, atëherë qetësohet edhe pjesa tjetër e Europës."