1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Europa kërkon rrugëdalje nga kriza

Faza më e vështirë e krizës financiare të BE është kapërcyer, por BE ka edhe probleme të tjera. Dhe zgjdihja e tyre nuk është më e thjeshtë.

Shefi i BQE Draghi duke folur për shpëtimin e euros

Shefi i BQE Draghi duke folur për shpëtimin e euros

Pas samitesh të panumërta duket së paku se faza më e vështirë e krizës financiare të BE është kapërcyer. Me optimizëm të përmbajtur u shprehën ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble dhe Presidenti i Bankës Qëndrore Evropiane (BQE) Mario Draghi. Por shumë politikanë dhe ekspertë të BE-së janë të vetëdijshëm se pas krizës aktuale është kriza tjetër

Prapa dyerve të mbyllura nëpunësit e BE-së pohojnë se kriza e euros ka gërvishur vetëm në sipërfaqe problemet, që gjenden më thellë. Kriza e vërtetë në Europë nuk është e natyrës ekonomike dhe financiare. Ajo ka më shumë arsye të thella sociale dhe politike.

Një shkak është se BE nga jashtë duket si një qilim i arnuar, që ndahet në veri dhe jug, shtete të mëdha dhe të vogla anëtare, vende donatore dhe vende me borxhe. Përveç kësaj prestigji ndërkombëtar i BE-së është dëmtuar, kështu që ai e ka të vështirë, të gjejë probleme për zgjidhjet financiare dhe politike. Sidomos gazetarët kritikë nga jashtë e përshkruajnë me dëshirë Europën si kontinent në rënie, me popullsi të plakur dhe me model të vjetëruar social.

Struktura të qarta udhëheqëse në Bruksel

Radek Sikorski polnischer Aussenminister Ort: Berlin Villa Borsig Datum: 21.3.2012

Ministri i Jashtëm polak, Radoslav Sikorski

Ministri i Jashtëm polak, Radoslav Sikorski kërkon një strukturë të qartë drejtuese. Momentalisht ne jemi të organizuar si një institucion multilateral nga shtete, që bashkëpunojnë", thotë Sikorski.

Për ta ndryshuar këtë, duhet të bashkohen posti i kryetarit të komisionit të BE dhe i presidentit të parlamentit Evropian. Vendimet do të merreshin dhe të zbatoheshin shumë shpejt, mendon ministri i Jashtëm polak. Propozimi i Sikorskit do të ishte një hap drejt një unioni politik, që u premtua në marrëveshjen e Maastrichtit të vitit 1992.

Kryeministri i Luksemburgut, Jean-Claude Juncker, që është edhe shef i Eurogupit, i 17 shteteve të BE-së që kanë monedhe euron, beson se integrimi i pamjaftueshëm politik dhe solidariteti evropian janë faktori kryesor i rrezikut për euron.

Bashkëpunimi më i ngushtë politik sipas mendimit të Sikorskit do të forconte edhe ndikimin e BE-së në politikën e jashtme. Ai jep si shembull potencialin ushtarak të Europës. "Po të supozojmë, se do të kishim një union, që funksionon politikisht, atëherë BE do të kishte dy milionë ushtarë dhe armë bërthamore", thotë Sikorski dhe shton: "Me sa di unë buxheti i përbashkët i mbrojtjes do të ishte më i madh se i Kinës, Indisë dhe Rusisë së bashku."

Ende kriza financiare është një pykë ndarëse në BE. Solidariteti dhe projekti për bashkimin e Evropës kanë humbur forcë prej krizës së borxheve. Edhe më keq: Gjatë përpjekjeve për të ndihmuar janë thelluar paragjykimet ndërmjet Evropës së Veriut dhe asaj të Jugut. Mosbesimi ndërmjet vendeve me ekonomi dinamike në veri ndaj atyre të jugut me një PBB të ulët është rritur. Politikani liberalkonservator Sikorski është i bindur se dallimi ndërmjet veriut dhe jugut të Evropës nuk është  i pandryshueshëm si një ligj i natyrës, por i ndryshueshëm. Fundja dallimin e bën politika dhe jo gjeografia, thotë Sikorksi.

Ajo, që i shkakton kokëçarje administratës së BE, nuk është gjeografia, por demografia. Zyra e statistikave të BE, EUROSTAT, parashikon se në BE në vitin 2050 do të jetojnë 48 milionë njerëz më pak në moshë të aftë për punë. Dhe do të ketë 58 milionë më shumë njerëz mbi 65 vjeç. Në qoftë se bie popullsia në moshë të aftë për punë, sipas ekspertëve bie zhvillimi ekonomik. Financimi i sistemve të sigurimeve sociale, pensioneve dhe sigurimeve shëndetësore do të ishte në rrezik.

Shanse përmes marrjes së emigrantëve

Kryetari i grupit parlamentar të liberalëve në Parlamentin Evropian dhe ekspert i politikës së jashtme, Alexander Graf Lambsdorff

Kryetari i grupit parlamentar të liberalëve në Parlamentin Evropian, Alexander Graf Lambsdorff

Kryetari i grupit parlamentar të liberalëve në Parlamentin Evropian dhe ekspert i politikës së jashtme, Alexander Graf Lambsdorff, thotë se si pasojë e ndryshimeve demografike në BE duhet të forcohet gara për fuqi të kualifikuar pune. "Atëherë duhet të shohim përtej kufijve të Evropës. Ka të rinj, që presin një shans, për të ndërtuar jetën e tyre këtu."Sfida më e madhe do të ishte që emigrimi të bëhej në atë mënyrë, që të ishte "produktiv për shoqërinë". Emigracioni është çelësi kryesor për suksesin e BE-së.

Një tjetër komponent suksesi, si për Sikorskin ashtu edhe për Graf Lambsdorff është pranimi i anëtarëve të rinj të BE. Përmes zgjerimit BE do të jetë në gjendje, të ruajë pushtetin dhe ndikimin dhe të hapë potenciale të reja. "Avantazhi ynë ndaj SHBA është se ne nuk jemi projekt i përfunduar përsa i përket anës territoriale, se ne jemi të hapur për pranimin e vendeve të tjera", thotë Radoslav Sikorski. "Premtimi i zgjerimit është një nga mjetet tona më të efektshme."

Autor: Ralf Bosen/Angjelian Verbica

Redaktoi: Mimoza Kelmendi