1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Europa ime: Rruga drejt një gjuhe tjetër

Gjuha e miteve kombëtare nuk mjafton më për Europën e sotme moderne, multikulturore e të hapur. Kemi nevojë për forma të reja të saj, mendon Stanislav Strasburger.

Stanislaw Strasburger (Mathias Bothor)

Stanislaw Strasburger

Gjatë një udhëtimi në Spanjë më ra në sy në një treg një libër i vjetër historie, që e paraqiste Spanjën si „fortesë të krishtërimit". Autori shkruante se spanjollët „me vetëmohimin e tyre kishin mbrojtur zemrën e Europës nga shpatat e arabëve duke ndikuar kështu rrjedhën e historisë. Një libër shkollor, që zgjoi interesin tim, sepse përmendej edhe vendlindja ime, Polonia.

Një pjesë e rëndësishme e gjuhës sunduese aktualisht të mbushur me nostalgji në Poloni ka lidhje me mitin e „fortesës së pushtuar". Ky mit thjeshtëzon realitetin, duke e paraqitur botën e jashtme si kërcënim. E drejta është me „ne", „tjerët" janë armiq, që sjellin shkatërrimin.

Granada si përndritje

Për mua Spanja e sotme, Andaluzia është një inspirim i veçantë në kërkimin e një gjuhe të re politike. Në një kohë që në Poloni lulëzon miti i "fortesës së pushtuar”, si edhe në disa vende të tjera europiane, spanjollët kanë realizuar diçka impresionuese. Libri i historisë, që unë e gjeta për pak qindarka në treg, është një kuriozitet sot.

Këtë tekst po e shkruaj në Granda. Qëndrimi im dymujor këtu nuk është rastësi. Një nga pikërëndesat e mia është EUtopia - greqisht vendi i mirë - projekti i një Republike europiane të rajoneve, bazuar në parimet e drejtësisë sociale, diversitetit kulturor dhe barazisë së qytetarëve. Granada është kryeqyteti i EUtopisë për mua. Po pse?

Historia e qytetit të impresionon: Elementi i saj themelor është kujtesa kolektive dhe bashkëjetesa e feve të ndryshme (hebrenj, të krishterë e myslimanë). Lagjja e vjetër piktoreske e qytetit dhe pallati Nasriden me arkitekturën e rafinuar janë dëshmi të kësaj historie. Megjithatë Granada e sotme nuk është një muze i hapur e pa jetë. Popullariteti i diversitetit të Granadas mes turistëve, të kujton, se çdo ndarje në "ne” dhe "ata” do ta varroste këtë sukses turistik.

E shkuara si rrëfim i hapur

Një shembull spektakolar i ujdisë së suksesshme mes realitetit dhe formësimit të kujtesës kolektive të qytetit është Centro Cultural Caja GRANADA, Memoria de Andalucía – Qendra Kulturore "Caja GRANADA, Kujtesa e Andaluzisë” e ngritur në vitin 2009. Ekspozita është ndarë në katër hapësira: Shumëllojshmëria e peizazhit, mënyra e jetesës, hapësira e qytetit dhe fshatit dhe arti e kultura. Në qendër janë vendosur eksponatë interaktivë multimedialë, që mund të shihen, preken e dëgjohen.

Virtualisht takon njerëz që kanë jetuar në epoka të ndryshme në Andaluzi. Në monitorë të mëdhenj ndesh mbretë arabë, bujq të kohës moderne, qytetarë antikë, murgj e zanatçinj. Secili ka një histori për të rrëfyer. Një hapësirë pluraliteti, e njësoj si kujtimi personal i kujtdo prej nesh, kujtesa kolektive kthehet në një rrëfim të hapur.

Program për të sotmen

Vendosja e fokusit tek përvojat e mira të të shkuarës multikulturore në Granada na mëson në një mënyrë të besueshme dhe jo pretencioze se ç'do të thotë të jesh i hapur ndaj tjetrit, e të angazhohesh kundër izolimit. Në kohëra, kur gjuha është kthyer në mjet të manipulimit politik, kjo formë e përjetimit të historisë na inkurajon të kërkojmë diskurse të reja. Nocioni i "kombit” e "identitetit janë përcaktuar në shekullin e 19-të, në një kontekst politik e shoqëror, që nuk është më ekzistent sot.

Kur flas me banorët në Granada, apo edhe me fqinjët e mi në Berlin apo Varshavë, kam përshtypjen, se këto nocione më shumë sjellin probleme, se të mira. Vërtet është vendlindja ime shteti ku jam lindur? Qyteti apo rajoni? Apo krahina nga e kanë origjinën prindërit e mi? Po si ia bëhet kur të dy nuk vijnë nga e njëjta krahinë? Një gjuhë, të cilën e gjen edhe në treg, nuk na përshkruan dot në mënyrë të plotë, se si jetojmë ne sot. Prandaj ia vlen të vihemi në kërkim të një gjuhe të re. E parë nga Granada ka shpresë për sukses.

Stanisław Strasburger, lindur në Varshavë është shkrimtar dhe menaxher kulture. Temat e tij kryesore janë kujtesa kolektive, migracioni, multikulturaliteti dhe EUtopia. Ai jeton në Berlin, Varshavë e Bejrut.