1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Europa ime: Populistët i djathtë i kanë fituar zgjedhjet

BE mbyll kufijtë dhe i dorëzon të drejtat e njeriut tek milicët libianë dhe diktatorët afrikanë. Me këtë Europa largohet nga vlerat që proklamon vetë, mendon Krsto Lazarevic.

Në Gjermani dhe Austri do të zhvillohen zgjedhje, edhe në Itali nuk ka për të zgjatur shumë. Por sido që të dalë rezultati, populistët e djathtë janë në një lloj mënyre në pushtet. E për këtë ata nuk kanë nevojë të bashkëqeverisin. Nga frika e humbjes së votuesve në skajin e djathtë politik, partitë kanë filluar të imitojnë gjuhën e tyre. Se sa është zhvendosur djathtas debati, këtë e tregon edhe një Votomat, i ofruar online nga Qendra Gjermane për Edukimin Politik.

Aty pyetet nëse „gjenocidi ndaj hebrenjve do duhet të vazhdojë të jetë pjesë e kulturës së kujtesës gjermane." Këtë mund ta miratosh, ta refuzosh apo ta vlerësosh si neutrale. Pak muaj pas kërkesës së Björn Höckes, nga partia djathtiste "Alternativa për Gjermaninë” që duhet të "kemi një kthesë 180 gradë për kujtesën politike”, mund të diskutosh tani duke e lënë rezultatin të hapur për Aushvicin. Ky është suksesi i madh i një partie ekstremiste të djathtë që as nuk ndodhet në Bundestag.

Madje AfD ndodhet edhe në kokën e disa moderatorëve. Në duelin mes Merkelit e Martin Schulzit temat e mëdha nuk ishin drejtësia sociale, arsimi dhe marrëdhëniet e punës të pasigurta, por politika e refugjatëve. Ne duhet ta falënderojmë Merkelin që nuk do të një akt të dytë të tragjedisë me emrin duel televiziv.

Milicët libianë si roje kufitare europiane

Edhe në Itali gjendja nuk është më e mirë. Autoritetet në këtë vend filluan të pengojnë punën e disa organizatave humanitare që shpëtonin njerëzit në Mesdhe. Disa avokatë nga qytetet siciliane ngritën akuza për bashkëpunim me kontrabandistët. Një akuzë që forcat konservatore e të djathta në Itali, Austri e Gjermani e përvetësuan menjëherë. Ndërkohë që dëshmitë e pakundërshtueshme për këtë mungojnë.

Ndërkohë vijnë pak refugjatë nga Libia. Kjo falë ministrit të Brendshëm italian, Marco Mininit që bëri marrëveshje të dyshueshme me milicët dhe kërkon bashkëpunim intensiv me rojen bregdetare libiane. Kush do të dijë si funksionon kjo, le të pyesë organizatën humanitare, Sea-Watch. Në natën e 21 tetorit, aktivistët e kësaj organizate, të ndodhur në ujërat ndërkombëtare donin të shpëtonin njerëz në nevojë, por i pengoi roja bregdetare libiane. Këtë natë u mbytën më shumë se 20 vetë.

Të drejtat e njeriut? Cilat të drejta?

Neni 13, paragrafi 2 i deklaratës së të drejtave të njeriut thotë: „Çdo njeri ka të drejtën të largohet nga çdo vend në çdo kohë." Bashkëpunimi i BE me rojen bregdetare libiane synon pikërisht të kundërtën. Njerëzit duhet të pengohen të largohen nga një rajon lufte civile, në kampet e të cilit rregullisht kryhen ekzekutime, tortura, përdhunime. Ambasada gjermane në kryeqytetin e Nigerit, Niamey raporton për zyrën e kancelarisë për gjendjen e burgjeve private aty. Flitet për "marrëdhënie të ngjashme me kampet e përqëndrimit në të ashtuquajturat burgje private.” Shtetet e BE-së janë të lira të modifikojnë ligjet e azilit, por të ndalosh njerëzit të largohen nga një vend në luftë civile, kjo as nuk përkon me moralin dhe as me të drejtat bazë të njeriut.

 Krsto Lazarevic (Privat)

Krsto Lazarevic

Kjo vlen edhe për dëbimet nga Gjermania në Afganistan. "Shikoni, ne po i kthejmë njerëzit në rajone lufte civile. Nuk keni nevojë pra të votoni për populistët.” Në Afganistan rritet vazhdimisht numri i luftimeve dhe viktimave e nuk ka provinca të sigurta. Ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maizière e di këtë, prandaj e viziton këtë vend i mbrojtur mirë. Tek socialdemokratët të paktën ka disa që turpërohen për këtë praktikë dëbimi.

Të martën në mbrëmje, kandidati për kancelar, Martin Schulz tha për ZDF: "Vlerësimi im është i qartë: Në këtë moment nuk mund të kthehet askush në Afganistan.” Por vetëm tre orë më parë u krye një fluturim nga Dyseldorfi në Kabul për të kthyer disa refugjatë, që nuk mund të bëhej pa Ministrinë e Jashtme të drejtuar nga SPD-ja. Nuk është pra e besueshme, kur kandidati për kancelar kërkon të thotë se partia e tij nuk ka të bëjë me praktikën e dëbimit, pas katër vjetësh bashkëqeverisjeje.

Mbyllje kufijsh

Të drejtat e njeriut apo izolimi? Të dyja nuk bëhen, dhe vendet e BE-së kanë vendosur kundër të drejtave të njeriut. Për ta justifikuar këtë, të drejtat e njeriut transferohen tek roja bregdetare libiane e milicët e atjeshëm. Në të ardhmen edhe diktatorët afrikanë do të ndihmojnë për këtë. Në një kohë që për diktatorin sudanez Al-Bashir ekziston një urdhërarresti ndërkombëtar i Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë për gjenocid, Shoqata Gjermane për Bashkëpunimin Ndërkombëtar, GIZ nuk heziton të trajnojë policë në Sudan. Refugjatët që vriten apo vdesin nga etja në Sahara i interesojnë opinionit europian më pak se ata që mbyten në Mesdhe.

Djathtistët i kanë fituar zgjedhjet e ardhshme në Europë, pavarësisht cili është rezultati i tyre. Të drejtat e njeriut dhe standartet e civilizuara, BE i ka hedhur në kosh qëkur kërkon bashkëpunimin me rojen bregdetare libiane, diktatorët afrikanë dhe fluturimet e kthimit. Për këtë shqetësohen shumë pak qytetarë në BE, kryesorja kufijtë janë siguruar dhe nuk vijnë më refugjatë të tjerë në vend. Mund ta bësh këtë politikë, por retorikën e „të drejtave të njeriut" dhe „vlerave europiane" nuk duhet ta përdorin më.

 

Krsto Lazarevic ka lindur në Bosnje dhe ka ardhur me familjen si fëmijë në Gjermani. Ai jeton në Berlin dhe shkruan për media të ndryshme gjermane.