1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Europa ime: Për lirinë duhet të formohesh

Masa ka rrezik të infektohet nga joshësit populistë. Por kur frymëzohet nga idealet humaniste, ajo mund të lëvizë malet dhe veprojë me përgjegjësi. Rruga deri aty është gjithsesi e gjatë, mendon Catalin Florescu.

Masa ka qenë gjithmonë eksponente politike. Nuk ka rëndësi, nëse ishte ajo turma, që solli Hitlerin në pushtet, ajo që duroi apo himnizoi mizoritë e Stalinit, një masë humaniste që protestoi në rrugë në Budapest apo Pragë kundër regjimit sovjetik. Ajo del në pah në histori, gjithmonë kur kanë ndodhur kriza dhe transformime, ndryshe: Kur masa arrin përmasa kritike, ajo mund ta shndërrojë çdo krizë në një transformim të papërfytyrueshëm.

E nxitur nga një frymë humaniste ajo mund të ndikojë shumë. Qindra mijëra vetë që demonstruan kundër luftës së Vietnamit dhe racizmit bënë të rritej presioni, që në fund çoi edhe në përfundimin e luftës. Pas rebelimeve të studentëve (në Francë edhe punëtoria) të vitit 1968 nuk pati kthim në qetësinë e varrit të viteve 50-të. Shumë ide të atëhershme depërtuan në shoqëri e në jetën tonë: forma alternative të jetesës, barazia gjinore, ndërgjegja ekologjike. Njeriu perëndimor u çlirua edhe më shumë nga korseja e papjekurisë.

Në lindjen gjermane dhe Rumani, për të përmendur vetëm dy vende, njerëzit dolën masivisht në rrugë për të rrëzuar regjimet komuniste. Edhe pse ka dyshime apo bindje, se kryengritja popullore e vitit 1989 ishte e manipuluar, shumë rrezikuan jetën për demokracinë dhe vlerat e saj.

Raport dashurie me liderin

Sot duket si rreze shprese, që qindra mijëra vetë pas ardhjes në pushtet të Donald Trump dalin në rrugë kundër tij dhe frymës që po sjell ai. Edhe pse ai u zgjodh në mënyrë demokratike. A mjafton kjo? Nuk dihet, sepse një masë tjetër ka arritur një pikë kritike në përmasa duke sjellë në pushtet një populist. Duhet të kemi kujdes nga masa të tilla cinike, të zemëruara, të ngarkuara me pakënaqësi . Ne, populli. Edhe pse populistët pretendojnë se flasin në emër të populit, masa dhe populli nuk janë njësoj. Kur ato bëhen njësoj, atëherë kemi humbur.

Masa të tilla fillojnë me dëshirë një raport dashurie me „Führer"- liderin e vet. Në një kohë që në Rusi opozitarët kërcënohen dhe gati nuk ka media të lira, dashuria e rusëve për Putinin lulëzon. Të ndezur nga propaganda e një Orbani dhe një Kaczynski, gjithnjë e më shumë hungarezë dhe polakë i drejtohen një nacionalizmi djathtist, madje radikalizmit. Për se konkretisht kanë frikë, as ata vetë nuk e dinë, sepse të huaj ata shohin vetëm jashtë vendit. Kulturat e tyre janë homogjene në masë të madhe, as ekonomia nuk mund të jetë argument, sepse polakët kishin deri më tani të dhëna të mira ekonomike.

Liria nuk mund të jepet me detyrim

Që populizmi gjen rrënjë edhe në Lindje, ka arsye të tjera. Kur përkrahësit e tij janë nga mosha 20 deri 35 vjeç, kjo do të thotë, se ata janë socializuar në kohën para dhe pas rrëzimit të komunizmit. Pas oportunizmit e konformizmit nga frika dhe në epokën komuniste, erdhën vitet e oportunizmit dhe rendjes drejt sigurimit të ekzistencës në kapitalizmin vulgar të viteve 90-të. Njerëzit donin të çliroheshin nga diktatura shtypëse, dhe kur e morën lirinë, ajo u bë një mbingarkesë. Edukimi në liri vazhdon në Lindje ende edhe sot.

Përgjegjësinë për lirinë nuk mund ta diktosh nga lart, ajo zhvillohet përmes brumosjes dhe institucioneve të forta. Jo përmes rrugës në kishë, sepse asnjë lutje nuk e zëvendëson procesin e maturimit të individit, ai bëhet në familje, në shkollat e një shteti të përgjegjshëm. Këtu Lindja duhet të pyesë veten, se ku ka dështuar.

Por a ka funksionuar në Perëndim. Aspak. Edhe këtu duket i lëndueshëm trualli i iluminizmit. Në SHBA, Francë, Angli të gjithë ata që ndjehen të braktisur nga shteti besojnë se kanë të drejtë të mbështesin mashtruesit dhe përçmuesit e vlerave humaniste. Në Gjermani madje ata e bëjnë edhe pse nuk kanë nevojë emergjente ekonomike. Por ata nuk kanë të drejtë, sepse etika e morali nuk janë të negociueshme për një individ të pjekur.

"Njeriu i plotë"

Kështu fillohet një luftë politike, kërkohen mjete e mënyra për t'iu bërë jehonë idealeve, bashkohesh me të tjerët për të krijuar një masë të bindur, dhe veçanërisht besimtarët - durohen, pa u helmuar nga urrejtja. Kështu je një njeri i plotësuar. Së paku synon të jesh të kështu. Nuk të ndihmon shumë përpjekja për të kuptuar masën. Përballë saj duhet të dalësh i vendosur dhe me forcën e vlerave humaniste, të cilat i ke bërë të tuat. Por humanizmi nuk mund të urdhërohet nga lart. Për këtë është i nevojshëm edukimi i ngadalshëm, por i qëndrueshëm për lirinë.

Shkrimtari gjermanishtfolës, Catalin Dorian Florescu lindi më 27. Gusht 1967 in Rumani, ai jeton nga viti 1982 në Zvicër. Në vitin 2011 ai nderua me Çmimin Zviceran të Librit për romanin "Jakobi vendos të dashurojë".