Europa ime: Frika nga pasiviteti i gjermanëve | Evropa | DW | 18.03.2018
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Europa ime: Frika nga pasiviteti i gjermanëve

Që nga marrja e pushtetit të partisë nacionalkonservatore, PiS Polonia po largohet shumë nga Europa. Dobësia e BE e favorizon atë. Forcimi i BE duhet të jetë prioritet i qeverisë së Merkelit, mendon Bartosz Wielinski.

Në nëntor të vitit 2011 Radosłav Sikorski, atëherë ministër i Jashtëm i Polonisë, shprehu diçka që tërhoqi vëmendjen. Në një fjalim të njohur në Berlin, ai tha se ka më shumë frikë nga pasiviteti gjerman në politikën europiane, se sa nga aktiviteti i gjermanëve. Shtatë vite më vonë, në mesin e një lufte politike për mbijetesën e Europës së bashkuar, këto fjalë marrin rëndësi edhe më të madhe: Ruajtja e unitetit europian dhe forcimi i BE duhet të jenë prioritetet më të rëndësishme të qeverisë së katërt të Angela Merkelit. Një hezitim gjerman do të ketë pasoja të vështira.

Qeveria nacional-konservatore e Polonisë do të më kundërshtonte. Nga marrja e pushtetit nga ana e partisë Ligj dhe Drejtësi, PiS, vendi im largohet dukshëm nga Europa. Një proces i vendosur: pavarësia e drejtësisë kufizohet, liria e shtypit, të drejtat e qytetarëve. Drejtësia në Poloni nga gjykatat e shkallës së parë deri tek Gjykata Kushtetuese ndodhet në kontrollin e qeveritarëve. Mediat merren vetëm me propagandën e PiS. Një qeveri e tillë nuk ka interes të forcojë Europën por ta pengojë këtë forcim. Për nacionalkonservatorët, BE duhet të reduktohet në një bashkësi shtetesh sovrane. Roli i institucioneve të saj nuk duhet të jetë më i rëndësishëm, me qëllim që në të ardhmen të mos ketë pyetje për shkelje të mundshme të ligjshmërisë në vendet anëtare. Përzierja ndalohet!

Ndarja e vjetër rilind

Ky përfytyrim për Europën nuk gjendet vetëm në Poloni. Victor Orban, i forti nga Hungaria e ndan këtë mendim. Edhe politikanë në Rumani dhe Bullgari, që kritikohen nga Brukseli për shkelje të shtetit ligjor apo korrupsion duan të çlirohen nga mbikqyrja e BE. Po t'u kushtosh vëmendje deklaratave të presidentit çek, Zeman që mediat publike kërkon t'i sjellë në kursin e qeverisë në detyrë, atëherë nuk ka dyshim, që Çekia do të jetë vendi tjetër që i kthen kurrizin Europës.

Kur Sikorski në vjeshtën e 2011-s u ankua për mosveprimin gjerman, dukej një mënyrë provokative për të inkurajuar Gjermaninë për angazhim më të madh në Europë. Një deklaratë që pati jehonë, sepse një politikan i rëndësishëm i një vendi që kishte vuajtur kaq shumë nën gjermanët nuk kishte më frikë nga Gjermania e sotme. Fjalët e tij u panë si shenjë e tejkalimit të ndarjes Lindje-Perëndim.

Por populizmi i motivuar nacionalisht në lindje e feston ndarjen e vjetër. Një pjesë e Europës Lindore, Polonia në krye, me politikën e saj del qartësisht kundër vlerave europiane. Kësaj i shtohet rinxjerrja e një teze të vjetër – pranimi i Polonisë, Hungarisë, apo Bullgarisë nuk ka qenë një vendim i drejtë, të paktën në atë kohë. Përpjekja për reforma e Macron mund të kuptohet edhe si një përpjekje për të krijuar një klub të elitarëve brenda BE. Të tjerët, janë ata që nuk janë pjesë e eurozonës.

Europa duhet forcuar ndjeshëm

Populistët lulëzojnë, sepse Europa është e dobët. Ajo nuk ishte në gjendje të menaxhonte krizën e migracionit, as t'ua impononte respektimin e vlerave europiane fqinjëve lindorë. Zgjidhja e vetme qëndron aty, që Europa të forcohet ndjeshëm. Kjo nuk bëhet pa pjesëmarrjen e gjermanëve.

Angela Merkel nuk duhet të lejojë që përçarja të thellohet. Aftësia e saj diplomatike nevojitet tani për të bindur fqinjët perëndimore, se Europa pa Poloninë do të ishte më e dobët. Por edhe Polonisë i duhet thënë qartë dhe publikisht, se reduktimi i demokracisë sjell dëme të mëdha. E kur në Varshavë praktikohet një stil gjysmë autoritar, kancelarja gjermane duhet të ketë guximin ta thotë hapur këtë. Injorimi i hapur i konsesusit të bashkësisë europiane e dëmton që tani këtë bashkësi. Nëse Polonia nuk e kupton këtë duhet të ndjejë pasojat.

Një Poloni që largohet nga udha e demokracisë nuk është problemi i vetëm i Europës. Pas tronditjes së Brexit duket se ndihmon vetëm politika „përpara". Integrimi brendaeuropian duhet të thellohet. Angela Merkel duhet të merret me këtë temë në mandatin e saj të fundit. Tingëllon paradoksale, por gjendemi edhe në një situatë të favorshme. Presioni ndaj Europës rritet nga të gjitha anët. Donald Trump kërcënon me luftë tregtare. Vladimir Putin me raketa dhe tanke. Kësaj i shtohen kërcënimet e Erdoganit. Pikërisht ky presion mund të sjellë diçka të re, më të mirë – sigurisht nëse Angela Merkel e ka guximin t'i hyjë kësaj teme. Si e tha Sikorski para shtatë vitesh – frikë duhet pasur nga pasiviteti i gjermanëve.

 

Bartosz T. Wielinski drejton sektorin e politikës së jashtme në "Gazeta Wyborcza", një nga gazetat më të rëndësishme polake.