1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Europa ime: Antisemitizmi në Europë nuk është i importuar

1 Prill 2018

Në Europë dhe Gjermani flitet sot shumë për „antisemitizmin e importuar“. Ndërkohë që urrejtja kundër hebrenjve është në ADN-n e krishtërimit, mendon Krsto Lazerevic.

https://p.dw.com/p/2vHr5
Deutschland Jüdische Schule
Fotografi: picture-alliance/dpa/D. Bockwoldt

Në debatin për islamin në Gjermani ka një kausalitet të çuditshëm. Sa herë që politikanët bavarezë bëjnë të ditur, se islami nuk i përket Gjermanisë, shfaqet në fjalimet e tyre më shpesh fjalia e ndikimit „të krishterë-hebraik" apo tradita. Në të njëjtën kohë nuk pëmendet, se tradita e krishterë-hebraike në një masë jo të vogël, është e përbërë nga përndjekja që të krishterët i kanë bërë hebrenjve, i kanë dëbuar dhe i kanë vrarë. E kur në shtëpitë europiane lyhen vezët me ngjyra nga më të ndryshme, duhet të kujtohet edhe se antijudaizimi i krishterë bazohet në akuzën e përjetshme, se çifutët vranë Jezusin.

Hebrenjtë – imigrantë të mirëpritur në Perandorinë Osmae

Hebrenjtë u përndoqën dy mijë vjet me radhë nga të krishterët. Si në vitin 1492 me ediktin e Alhambras të Spanjës, pasi për qindra vjet jetuan nën sundimin arab. Shumë nga këta hebrenj gjetën strehë me ftesë të sulltanit Bayezidi i II në Perandorinë Osmane. Këtij sulltani i atribuohet shprehja: „Sa dritëshkurtër duhet të jenë mbretërit spanjollë, që dëbojnë qytetarët e tyre më të mirë dhe ua lënë ata armiqve më të mëdhenj."

Në qytetet osmane si Selanik apo Sarajevë u zhvillua në shekuj jeta e hebrenjve, që kishte traditë deri në ardhjen e nazistëve. Këto janë fakte historike, që duhet të dihen, kur flitet nga njëra anë për traditën e kishterë-hebraike dhe antisemitizmin „e importuar" nga myslimanët. Por as nuk duhet të njohësh këtë sfond historik për të kuptuar se sa absurde është kjo dërdëllitje për „antisemitizmin e importuar". Mjafton të dish se gjermanët kryen krimet më të mëdha në historinë e njerëzimit –shoah.

Hit eksporti nga Gjermania

Gjermania, antisemitizmi, importim – është e pamundur të ndërtosh një fjali për të qenë ku të futen këto trefjalë. Përveç njërës: Antisemitizmi në Gjermani nuk është importuar. Antisemitizmi është hit i eksporteve gjermane, e kjo para automjeteve, birrës dhe sandaleve me dru mështekne.

Gjermanët janë populli që ia del që luftën kundër antisemitizmit dhe sigurinë e Izraelit ta kthejë në një çështje shtetërore për Gjermaninë, por në të njëjtën kohë të festojnë një vit rresht reformatorin Martin Luther, që bënte thirrje të digjeshin sinagogat dhe rabinëve ua ndalonte punën nën kërcënimin e dënimit me vdekje. Në gjuhën gjermane ka togfjalësha si „kritika për Izraelin", por nuk ka të tilla si „kritika për Spanjën" apo „kritika për Brazilin apo Ugandën".

Një traditë europiane

Antisemitizmi është pjesë e Gjermanisë dhe Europës. Ai gjendet tek e djathta, e majta dhe në mesin e shoqërisë. Tek profesorët dhe bujqit, tek Hansi dhe Aliu. Po e vërtetë, duhet të flasim për botëkuptimin antisemitist të myslimanëve në Europë dhe Gjermani. Duhet të flasim sepse 85-vjeçarja Mireille Knoll, e mbijetuar e Holokaustit u vra në apartametin e saj në Paris për asrye antisemitiste. Dhe jo larg para banesës së saj Sarah Halimi, një tjetër grua hebreje u qëllua me thikë nga fqinji i saj nën thirrjen „Allahu Akbar." Edhe sepse demonstrues antisemitistë jo larg Portës së Brandenburgut në Berlin guxojnë të djegin një yll të Davidit.

Krsto Lazarevic
Fotografi: Privat

Por problem për këtë nuk është „islami", sepse „Islami" si një dhe i vetëm nuk ekziston. Por shtete me shumicë myslimane, që e kanë politikë shtetërore antisemitizmin. Ka një Arabi Saudite që mallin më të rëndësishëm të eksportit ka salafizmin, një Iran që kërcënon rregullisht me shuarjen e Izraelit. E mes myslimanvë në Europë ka një pakicë që e quan këtë një gjë të mirë.

Ka shoqata myslimane që i tolerojnë në xhamitë e tyre predikues të urrejtjes. Ka madje edhe „një islam politik" që përfaqësohet në disa nga këto shoqata. Por edhe politikanë gjermanë që me këto shoqata nënshkruajnë marrëveshje shtetërore, e ulen me njerëz në podiume që justifikojnë atentatet ndaj hebrenjve.

Ne duhet të flasim se si duhet të veprojmë me këtë në të ardhmen, edhe pse mes të të majtëve dhe liberalëve ka zëra që nuk i duan këto debate. Sepse pas kësaj ata kanë frikë se fshihet „islamofobia" e nuk kuptojnë se këtë temë ua lënë kështu ekstremistëve të djathtë. Konflikti për Lindjen e Afërt nuk zhvillohet vetëm në Izrael, Gaza apo rajonet autonome palestineze, por edhe në fqinjësinë time në Berlin-Neukölln.

Çfarë përjeton në Berlin-Neukölln?

Kur Donald Trump shpalli në dhjetor Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit, dhe partia e menduar si e moderuar, Fatah bëri thirrje për „tre ditë zemërimi", nuk kisha nevojë të lexoja gazeta, sepse shihja se ç'ndodhte tek fqinjët. Në bulevardin Sonnenallee, rruga më arabe e Gjermanisë. Kur acarohet konflikti në Lindjen e Afërt, pronarët e dyqaneve të vogla në këtë rrugë nxjerrin në dritare më shumë harta ku shihet flamuri palestinez mbi territorin izraelit. Në këto harta Izraeli nuk ekziston. Edhe numri i shalleve tipikë –palestinezë shtohet. Ndoshta shumica e të rinjve nuk e dinë se ky shall e ka origjinën tek një imam, admirues i Hitlerit që e mbështeste politikën e tij të shfarosjes. Po ashtu ky shall ishte edhe një simbol i kulturës subversive të majtë në Gjermani. Por një gjendje e çuditshme të mbetet, sidomos kur pas demonstratave pro Palestinës, grupe djemsh bashkohen në Neukölnn dhe këlthasin parulla antisemitiste.

Megjithatë numri më i madh i veprave penale antisemitiste kryhet nga ekstremistët e djathë. E kur të djathtët bëjnë fjalë për „antisemitzmin e importuar" dhe hedhin dyshim përgjithësues mbi myslimanët, atëherë opcioni më i mirë kundërshtues është shfaqja e gishtit të mesit. Por tek e vërteta bën pjesë edhe se darkave në bulevardin Sonnenallee nuk guxon kush të ecë me kipan karakteristike të hebrenjve. Viti 2018 në Gjermani. Duhet të ngrihemi më në fund kundër kësaj.

Krsto Lazarevic ka lindur në Bosnje-Hercegovinë, dhe ka ardhur si fëmijë me familjen në Gjermani. Ai jeton në Berlin, ku punon si gazetar e publicist për mediat gjermane.