1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

"Europa duhet të shpëtohet" - Por si?

Kriza ekonomike nuk është një mori ngjarjesh të veçanta dhe të shkëputura, as një krizë e kredive të këqia në SHBA, apo një krizë e borxhit publik në Greqi, shkruan James K. Galbraith.

ARCHIV - ILLUSTRATION - Eine Ein-Euro-Münze liegt am 13.07.2011 auf einem beleuchteten Globus über Europa. Die Verhandlungen für die Ratifizierung des Fiskalpakts und des ständigen Euro-Rettungsschirms ESM gehen am Donnerstag (21.06.2012) in die entscheidende Phase. Regierung und Opposition kommen mit Bundeskanzlerin Merkel (CDU) zu einer neuen Gesprächsrunde zusammen. Foto: Patrick Pleul dpa (zu dpa 0298 vom 21.06.2012) +++(c) dpa - Bildfunk+++ pixel

ILLUSTRATION zu Fiskalpakt

Ka një krizë, vetëm një krizë, e cila është e shpërndarë në të gjithë sistemin botëror. Kriza ka tre arsye që shkojnë 40 vjet mbrapa në kohë nga fillimi i viteve 1970, fundi i periudhës që ndonjëherë e quajmë si "koha e artë", apo "30 vitet e lavdishme" menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Arsyeja e parë është rritja e kostove të burimeve të energjisë, që ne përdorim. Ky është një problem që u ngrit për herë të parë në vitet 70' por u harrua pas pak kohësh. Kjo çështje u eklipsua nga zbulimet e reja, situata gjeopolitike dhe fuqia financiare e vendeve perëndimore. Por kostoja e energjisë është rritur dyfish në krahasim me një dekadë më parë dhe e ardhmja nuk është ende e qartë. Në një kohë kur jemi duke u përballur me ndryshimet klimatike dhe kemi filluar të vuajmë pasojat, ky problem do të jetë akoma më i vështirë.

Arsyeja e dytë janë ndryshimet teknike. Revolucioni digjital ka fshirë shumë vende pune dhe jemi duke jetuar gjithnjë e më shumë një periudhë ku teknologjia ka zëvëndësuar njeriun. Mund të themi pa shumë ekzagjerim se kompjuteri dhe teknologjia që komandohet nga ai, janë duke i bërë punonjësit të zyrës atë që i bëri motorri me avull kalit një shekull më parë.

Ideologji neo-liberale

Arsyeja e tretë e problemit tonë është ideologjia. Sipas nocionit neo-liberal tregjet mund të jenë të susksesshëm ose mund të falimentojnë pa rrezikuar tregje të tjera. Ky është iluzioni më i madh i gjeneratave të reja, që u mbështet nga rritja ekonomike, e cila njëherë ishte e qëndrueshme e njëherë e paqëndrueshme. Pse? Sepse ishte e bazuar në standarde të ulëta të dhënies së kredive. Ose të themi më thjeshtë, ishte bazuar në një mashtrim financiar, mashtrimin më të madh financiar që ka parë ndonjëherë bota. Kjo ishte e vërteta e kredive të shtëpive në SHBA dhe e kredive të sektorit publik në Greqi. Fakti se Greqia kishte një sektor publik të dobët dhe një sistem taksash të dobët nuk ishte një sekret shtetëror përpara krizës. Dhe kur ky mashtrim nuk mund të mbahej më i fshehtë, filloi paniku dhe kolapsi. Kjo ndodhi në SHBA dhe në Europë dhe dëmtoi shumë rëndë sistemin financiar. Miliona vende pune u shkurtuan në të dy kontinentet.

Secili për vete?

Këto probleme janë të pranishme edhe sot. Prandaj ne duhet të pyesim, si duhet të përballemi me to? Zgjidhja kryesore gjendet mes dy parimeve. Mes parimit "të gjithë së bashku" apo "secili për vete". Ekspertët thonë shpesh se SHBA-ja ka një treg pune më fleksibël. Pagesa minimale atje nuk u ul, përkundrazi, në vitin e parë të krizës ajo u rrit. Por pavarësisht kësaj nuk u rregullua punësimi. Numri i të papunëve u rrit me 5 përqind në krahasim me një dekadë më parë. Në Europën Veriore ka institucione financiare kombëtare shumë të forta që janë krijuar sipas traditës së solidaritetit dhe të sigurisë sociale. Problemi qëndron tek insitucionet e reja, që janë neo-liberale dhe kanë eksportuar shumë ide nga Shtetet e Bashkuara. Europa eksportoi bankën qendrore dhe kufirin e deficitit buxhetor, dhe tani është duke paguar për to. Por mbi të gjitha politika europiane është duke imponuar masat jo funksionale ndaj debitorëve, të cilët nuk mund t'i paguajnë borxhet e tyre.

Zgjidhja e mundshme

Europa dhe në veçanti Gjermania ka shumë detyra të vështira. Europa po lëviz nga njëri ngërç në tjetrin, nga një siguri false në tjetrën dhe situata përkeqësohet akoma më shumë. Aktualisht debitorët janë kthyer në viktima rebele, por nuk kanë fuqi ekonomike, morale dhe politike për ta shpëtuar Europën. Pra cila është alternativa? Në radhë të parë duhen shkurtuar borxhet. Unë mendoj se "Propozimi modest" i Yanis Varoufakis dhe Stuart Holland, është një bazë e mirë fillestare. Ky plan konsiston në tre elemente: bonot e përbashkëta plotësuese të thesarit sipas Marrëveshjes së Mastrihtit, Bankën Europiane të Investimeve, që duhet të merret me sfidat e rindërtimit të ekonomisë dhe problemet me energjinë e klimën, dhe së treti një autoritet bankar të pavarur me të drejtën për të kontrolluar dhe ristrukturuar sistemin financiar.

James Galbraith Professor University of Texas

Profesor James K. Galbraith

Zgjidhje afatgjata

Ja dhe disa ide më shumë për zgjidhje: - Një union i pensioneve – Një Bashkim Evropian i Pensioneve për të siguruar njerëzit, të cilët kur dalin në pension pasi kanë punuar gjatë gjithë jetës së tyre, të mund të paguhen sipas standardit të përgjithshëm evropian dhe jo sipas produktivitetit të vendeve të tyre të varfëra. Më pas duhet të ketë një skemë të pagave dhe modelit të tatimit mbi të ardhurat e pakta si në SHBA, ndoshta kjo mund të jetë një pagë minimale në nivel kontinenti. Këto masa nuk ndihen shumë, janë të thjeshta për t'u administruar dhe i shmangin qeveritë e dobëta dhe jo efektive të periferisë. Njëkohësisht ato stabilizojnë të ardhurat, punësimin dhe fuqinë blerëse.

Çfarë do të ndodhë nëse ne nuk do të kemi sukses? Mendoj se për këtë kemi një model jo shumë të largët në kohë dhe në distancë. Ky model është ish-Jugosllavia, një vend shumë i suksesshëm me të ardhura mesatare. Por kur nis dhuna në një vend të përparuar dhe të zhvilluar ajo lëviz shumë shpejt dhe pasojat janë të rënda. Nëse flet sot me njerëzit në disa pjesë të Evropës, në veçanti në Greqi, do të dëgjosh të njëjtat shqetësime, që kemi dëgjuar në fillim të viteve 1990 nga njerëzit në ish-Jugosllavi.

Ndaj duke pasur parasysh alternativat konkluzioni është: Se Evropa duhet shpëtuar. E kjo duhet bërë jo vetëm për atë vetë. Në mesazhin drejtuar Kongresit të SHBA-së në dhjetor të vitit 1862 Abraham Lincoln u shpreh: "Dogmat e së kaluarës së qetë janë të papërshtatshme për të tashmen e stuhishme. Nëse çështja jonë është e re, atëherë ne duhet të mendojmë rishtazi dhe të veprojmë rishtazi. ...Ne themi se jemi për Bashkimin. Bota nuk do ta harrojë që ne e kemi thënë këtë. Ne e dimë si ta shpëtojmë Bashkimin. Bota e di që ne dimë si ta shpëtojmë atë. Ne - dhe vetëm ne këtu - kemi pushtetin dhe përgjegjësinë për këtë. Rruga është e qartë, paqësore dhe njerëzore. Kjo është një rrugë, të cilën nëse e ndjekim bota do ta përshëndesë përgjithmonë."

James K. Galbraith është ekonomist amerikan, profesor në Universitetin e Teksasit në Austin, në Lyndon B. Johnson School of Public Affairs si dhe në katedrën Lloyd M. Bentsen Jr. për marrëdhënie Qeverisjejeje / Biznesi. Ky ështe një verison i shkrtuar i opinionit të tij dërguar Kongresit të IG Metall "Ndryshim kursi për një jetë më të mirë" në Berlin, më 6 Dhjetor, 2012.