1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Eurogrupi shtyn vendimet e ndërlikuara

18 ministrat e Financave të vendeve të euros u japin vendeve me probleme më shumë kohë për të konsoliduar financat publike.

Qeveria greke deklaroi me plot zë në tetor se nuk do të ketë më nevojë për ndihma financiare nga Evropa. Për këtë arsye dhe obligacionet qeveritare greke shënuan një rritje të normës së interesit prej nëntë për qind, gjë që nuk është e përballueshme. Grekët duhej ta kuptojnë se tregjet financiare besojnë se ata janë në gjendje t'i shlyejnë kreditë afatgjata me forcat e veta. Greqia ka marrë nga burimet evropiane dhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar 240 miliardë euro kredi të lira. Përveç këtyre dhe një falje kredish nga kreditorët privatë me vlerë rreth 100 miliardë euro.

Greqia kërkon kohë shtesë

Ekonomia e Greqisë gjendet përsëri në rritje të ngadaltë, por papunësia është ende e lartë dhe kërkesa tregut të brendshëm e dobët. Ministri gjerman i Financave Shable është, si shumica e ministrave të Financave në grupit 18-anëtarësh të eurozonës, për t'i dhënë Greqisë më shumë kohë dhe për t'i shtyrë vendime deri në mars të vitit 2015. Sipas vlerësimeve Greqia ka nevojë për një linjë parandaluese kredish prej rreth dhjetë miliardë eurosh.

"Në Greqi kemi parë vitet e fundit se ajo gjithmonë ka nevojë për pak më shumë kohë. Rruga është gjithmonë e vështirë, por Greqia në përgjithësi është në rrugën e duhur. Nëse është e nevojshme, duhet t'i japim pak më shumë kohë, por kjo nuk është hera e parë,"- tha Schäuble në Bruksel.

"Greqia duhet të vazhdojë të luftojë"

Kryeministri grek Antonis Samaras u ka premtuar zgjedhësve të tij, se grekët do t'i heqin qafe kontrollorët e padëshiruar financiarë të "troikës" së Komisionit Evropian, të Bankës Qendrore Evropiane dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar në fund të vitit. Por nëse Greqia do të vazhdojë të marrë kredi, edhe troika natyrisht do të vazhdojë kontrollimin e vendit. Meqë në shkurt ose mars në Greqi pritet të zhvillohen zgjedhje të reja, vendimi duhet të shtyhet deri në mars. Komisioneri i BE-së Pierre Moskovici do të takohet me Samarasin dhe vendosi: "Sot nuk ka asnjë vendim për të zgjeruar programin për Greqinë, ne duam të vazhdojmnë në një drejtim që t'i hapet një rrugëdalje Greqisë". Eksperti fiskal i grupit konservator në Parlamentin Evropian, Markus Ferber (CSU) është skeptik nëse grekët janë në rrugën e drejtë. "Unë e kuptoj që një vend si Greqia, pas pesë vjetësh krizë është disi e lodhur, por nuk ka asnjë mundësi për çlodhje. Greqia duhet të vazhdojë të luftojë dhe të punojë, përndryshe vendi nuk do të jetë në gjendje të kthehet përgjithmonë në tregjet financiare", tha Ferber për DW.

Jo vetëm Greqia

Përveç Greqisë, ministrat e Financave diskutuan edhe për deficitet e tepruara dhe zhbalancimet strukturore në buxhetet kombëtare të Francës, Italisë dhe Belgjikës. Edhe BE-ja ka vendosur rregulla më të ashpra për kontrollin e buxhetit, Komisioni i ri i BE-së do t'u japë këtyre vendeve kohë deri në mars 2015. Ministri gjerman Wolfgang Schäuble tha se ndaj këtyre vendeve duhet teguar durim, sepse Italia ka miratuar një reformë radikale të tregut të punës dhe Franca ka zbatuar vazhdimisht masa shtesë dhe reforma.

Gjatë fundjavës kancelarja gjermane Angela Merkel bëri thirrje për reforma të mëtejshme në Francë dhe Itali. Për këtë ajo u kritikua nga Italia dhe Franca.

Sekretari italian i Shtetit për Evropën, Sandro Gozi tha, sipas medias italiane, se kancelarja Merkel duhet të përqëndrohet më tepër tek Gjermania dhe tek mungesa e investimeve në vend. Kurse deputeti socialist francez Jean-Luc Melenchon shkroi në twitter në gjermanisht "Maul zu, Frau Merkel!" (Qepe gojën zonja Merkel!). Komisioneri francez Pierre Moskovici, i cili është përgjegjës për mbikqyrjen e financave në Evropë, u përpoq që t'i qetësonte gjëra dhe tha se i vlerëson rregullat e reja që u miratuan pas krizës financiare dhe që tani janë në fuqi.