1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Eurogrupi shton trysninë ndaj Qipros

Ministrat e financave të eurogrupit duan të hetojnë nga palë neutrale akuzat për pastrim parash ndaj Qipros. Ky është kusht para së të vendoset për masat e ndihmës për shpëtim, për vendin me borxhe të larta.

Takim i Eurogrupit në Bruksel

Takim i Eurogrupit në Bruksel

Është hera e parë që kryetari i ri i eurogrupit, holandezi Jeroen Dijsselbloem, drejton takimin. Vendimi i vështirë, se në çfarë forme do t'i vijë në ndihmë Qipros BE-ja, këtë herë nuk është në rendin e ditës. Fillimisht eurogrupi do të presë zgjedhjet presidenciale në Qipro, në mënyrë që të jetë e qartë se me kë po negociohet. Presidenti i deritanishëm Dimitris Christofias, është i vetmi kryetar shteti komunist në BE dhe ka kontakte mjaft të ngushta me Moskën. Por para së gjithash të ngushta janë marrëdhëniet financiare mes Rusisë dhe bankave qipriote, në gjendje të vështirë. Qarkullojnë akuza për pastrim parash dhe shmangie të detyrimeve fiskale. Për këtë arsye edhe qeveria gjermane është e rezervuar në çështjen e ndihmave për Qipron dhe kërkon fillimisht hetimin e gjerë të çështjes. Nën trysninë e Gjermanisë ministrat e eurogrupit, sipas fjalëve të ministrit gjerman të Financave, Wolfgang Schäuble, vendosën që Qipro "të angazhojë një institucion të pavarur për të dokumentuar në mënyrë të besueshme zbatimin e standardeve për luftimin e pastrimit të parave". Në këtë drejtim Qipro duhet të bëjë më shumë.

Shumë politikanë gjermanë kanë kërkuar veç kësaj që të vihen si garanci për ndihmën pasuritë e mundshme qipriote në gaz natyror. Dijsselbloem megjithatë nuk sheh asnjë arsye për të dyshuar në ndihmën për Qipron në përgjithësi: "Besoj se jemi të gjithë të një mendje se për Qipron duhet të gjehet një zgjidhje. Kohën deri në zgjedhje duhet ta shfrytëëzojmë për të gjetur zgjidhjen më të mirë të mundshme. Jam i sigurt se qeveria gjermane pajtohet me këtë." Ministri Schäuble nga ana e tij nuk sheh arsye për nxitim dhe e shprehu kështu skepticizmin e tij: "nëse do të flasim ndonjëherë për një program."

A duhet të përgjigjen kreditorët privatë?

Ministri qipriot i Financave Vassos Shiarly, nuk i kupton këto shqetësime. Ai ka theksuar shumë herë se sektori financiar i vendit të tij është i pastër. Veç kësaj Qipro "ka bërë gjithçka që i është kërkuar. Pra unë besoj se jemi në pozitë të mirë për të vazhduar." Spekulimet sipas të cilave edhe investues në bankat qipriote dhe pronarë të obligacioneve shtetërore qipriote duhet të përfshihen në masat e shpëtimit, Shiarly i hodhi poshtë me zemërim: "Këtë nuk do ta pranojmë në asnjë mënyrë."

Ish-shefi i eurogrupit Jean-Claude Juncker i dha të drejtë. Vendet e eurozonës deri tani vetëm në rastin e Greqisë kanë përfshirë kreditorët privatë në një ndihmë shtetërore. Ky duhet të mbetet rast i izoluar. Shqetësimi është që investuesit të tërhiqen nëse druhen se një pjesë e investimeve të tyre në një vend të unionit monetar, mund të humbasë në një aksion ndihme. Por Dijsselbloem nuk e përjashtoi këtë mundësi. Ministrja austriake e Financave, Maria Fekter, konsideron legjitime, të paktën në rastin e bankave që "... kur shteti merr në duar para të taksapaguesve atëherë edhe p.sh. menaxherët apo punonjësit të kontribuojnë për sigurimin e vendit të punës." Sipas saj është e pajustifikueshme për shembull që "të paguhen shpërblime për bankierët megjithëse banka merr ndihma nga paratë e taksapaguesve."

Jeroen Dijsselbloem dhe Jean Claude Juncker

Jeroen Dijsselbloem dhe Jean Claude Juncker

Iniciativa franceze e kursit të këmbimit

Një tjetër temë e rëndësishme e takimit është paraqitur nga qeveria franceze: ajo shqetësohet për kursin aktualisht të lartë të euros kundrejt valutave të tjera të rëndësishme. Fuqia e euros shtrenjton eksportet nga eurozona në vende si SHBA, Kina apo Japonia. Ministri gjerman i Financave, Pierre Moscovici, foli pa përmendur emra për "praktika agresive të partnerëve tanë". Ai dëshiron "një mënyrë veprimi të harmonizuar me të cilën, para së gjithash në kuadër të G-20, të mund të stabilizohen kurset e këmbimit." Por me këtë propozim ai korri kundërshtime të shumta. Austriakja Fekter u shpreh se kurset përcaktohen si rregull nga tregu. "Një dobësim artificial të euros e konsideroj pa vend", u shpreh ministrja austriake e Financave, pa kundërshtuar nevojën e ndërhyrjes në rast spekulimesh me valutat.

Homologu i saj luksemburgas gjithashtu u shpreh kundër një politike aktive të kurseve të këmbimit. Ai shprehu gëzim për fuqinë e euros: "Një vit më parë të gjithë pyesnin nëse euro do të arrinte të mbijetonte. Sot unë konstatoj se ajo konsiderohet shumë e fuqishme. Ky është sinjali më i mirë që euro është një valutë e qendrueshme." Ministrat vendosën vetëm që të diskutojnë për këtë temë në takimin e G-20 fundjavën e ardhshme dhe të paralajmërojnë atje për luhatjet shumë të forta të kurseve të këmbimit.


Christoph Hasselbach/ Eliana Xhani

Redaktoi: Auron Dodi