1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Eurogrupi refuzon zgjatjen e programit të ndihmave për Greqinë

Eurogrupi i thotë jo zgjatjes së programit të ndihmave për Greqinë. Zhgënjim për referendumin e planifikuar nga kryeministri grek Aleksis Tsipras.

Vendet Eurozonës e hodhën poshtë një zgjatje të programit të ndihmës greke përtej datës 30 qershor. Sipas njoftimeve të diplomatëve kjo u vendos nga 18 vendet e tjera të bashkimit monetar në një takim të veçantë të Eurogrupit të shtunën në Bruksel. Po sipas këtyre njoftimeve ministri grek i Financave, Janis Varoufakis, kishte deklaruar se qeveria e tij nuk dëshiron të heqë dorë nga referendumi i planifikuar për të dielën e ardhshme në lidhje me kushtet për mbështetjen e mëtejshme financiare të Greqisë, e cila ndodhet në prag të vendit falimentimit.

Kritika të ashpra nga BE-ja

Evropa reagoi e zemëruar pas shpalljes së referendumit nga ana e kryeministrit grek, Aleksis Tsipras. Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz e përshëndeti referendumin, por kritikoi ashpër Tsiprasin duke e akuzuar për "ideologji të pastër". "Mendoj se është e drejtë ta pyesësh popullin, por kjo mund të bëhet kur si kryetar qeverie e përmbush përgjegjësinë e drejtimit", tha Schulz.

Edhe kreu i eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem u shpreh po ashtu i zhgënjyer që qeveria greke i ka refuzuar propozimet e fundit të kreditorëve. "Ky është një vendim i trishtueshëm për Greqinë", tha Dijsselbloem, "që e mbyll derën për bisedime të tjera." "Jam i surprizuar negativisht për vendimin e qeverisë greke." - deklaroi kreu i Eurogrupit.

Ndërsa ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble e konsideron referendumin heqjen e bazës për programin e ndihmës. "Tryeza e bisedimeve u braktis nga Greqia", tha Schäuble, madje në mënyrë "të njëanshme". Edhe ministri belg i Financave, Johan Van Overtveldt e shikon si të çuditshëm planin grek për referendum. "Duket kundërthënëse që një qeveri thotë se 'do të pyesim popullin', kur thekson po vetë, se e refuzon programin". Holanda nga ana e saj i kritikoi planet greke për referendumin "Afati mbetet afat", ka thënë sekretari holandez për financat e shtetit, Eric Wieb, duke pasur parasysh skadimin e afatit më 30 qershor.

Shok në Greqi

Ndërkohë lajmi për zhvillimin e referendumit ka shkaktuar shok në Greqi. Me këtë hap nuk kishte llogaritur njeri, radhët përpara bankomatëve të bankave në Greqi janë shtuar, shenjat flasin për përkeqësim të rrjedhjes së kapitalit.

Sipas studiuesit gjerman të ekonomisë, Clemens Fuest do të ketë rritje dramatike të tërheqjes së parave nga ana e klientëve. "Vetëm përmes kontrollit të lëvizjes së kapitalit nga e hëna, mund t'i garantohet Greqisë deri më 5 korrik mbajtja e një referendumi për programin e shpëtimit".