1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Eurogrupi: Athina duhet t’i përdorë shanset

Ministrat e Financave të eurogrupit dhanë dritën jeshile për 86 miliardë euro kredi ndihme për Greqinë e rënduar nga kriza. Ministri gjerman i Financave i bën thirrje Athinës të mos e lërë t’i ikë ky shans.

Griechischer Finanzminister Euklid Tsakalotos

Ministri grek i Financave, Euklid Tsakalotos

Të premten në mëngjes kryeministri grek, Aleksis Tsipras akuzoi ministrin konservator të Gjermanisë, Wolfgang Schäuble për presion. Në një fjalim në parlament për miratimin e paketës së kredisë, Tsipras tha se ai ishte detyruar të pranonte paketën e ndihmës, ndryshe Schäuble do ta kishte nxjerrë Greqinë nga eurozona. Në mbrëmjen e së premtes, ministrit gjerman të Financave, të atakuar nga Tsipras nuk iu kuptua gati aspak opinioni për deklaratat e qeverisë greke.

Në një intervistë me Deutsche Welle-n, Schäuble tha: „Epo mirë, qeveria greke duhet të bëjë pak a shumë të kundërtën e asaj që premtoi në fushatë zgjedhore. Por po qe se e ndihmon Greqinë, atëherë është gjë e mirë. Edhe pse ai (fjala është për Tsipras, shën.red.) e shpreh pak jo miqësisht, në thelb ai thotë që qëndrimi i qartë i qeverisë gjermane, i ministrit të Financave ka bërë që Greqia të kalojë në një rrugë, për të cilën të gjithë besojnë se është një shans. Kjo është vendimtare.“ Tek eurogrupi ministrat e Financave janë të mendimit se ky shans duhet përdorur. „Por duhet të jemi të kujdesshëm“, thotë Schäuble.

USA IWF Online-PK

Drejtoresha e FMN Christine Lagarde

"Kooperim i shkëlqyer"

Wolfgang Schäuble me sa duket kishte mbetur i kënaqur nga ministri grek i Financave, Euklid Tsakalotos. Ky i fundit duhej të paraqiste një plan se si do mundet qeveria e pakicës në Athinë të vërë në jetë reformat e premtuara në 29 faqe. Javën e ardhshme Tsipras do kërkojë votëbesimin. Disa javë më vonë mund të pasojnë zgjedhjet e parakohshme. Ende është e pasigurtë nëse do të krijohet një qeveri koalicioni e stabilizuar. Megjithatë Tsakalotos ia ka dalë të krijojë sërish besim me stilin e tij të qetë dhe të heshtur në negociata. Këtë mendim e kanë edhe krerët e institucioneve, Bankës Qendrore Europiane, FMN-së, dhe Komisionit Europian. Madje kreu i fondit të shpëtimit, ESM, Klaus Regling është shprehur se bashkëpunimi me grekët ka qenë „i shkëlqyer“. Pala greke ka qenë e përgatitur krahasuar me takimet e mëparshme. „Dhe kjo të ndihmon nganjëherë“, shtoi kreu i eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem. Tani duhet që „qeveria greke të bëjë të vetin këtë program, të veprojë shpejt dhe ta zbatojë“, komisioneri i BE-së për euron, Valdis Dombrovskis.

Fondi për pasuritë shtetërore do fillojë nga puna më herët

Në fund ministrat e Financave dhe dritën jeshile dhe miratuan „memorandumin e mirëkuptimit“ me Greqinë, pra 86 miliardë eurot e paketës së shpëtimit. Edhe lista e „prior actions“ – reformave prioritare ku janë listuar reforma ligjore, të cilat duhet t'i ndërmarrë e zbatojë Greqia në krizë brenda pak muajsh.

Griechenland Öffnung der Banken in Athen

Bankat greke para falimentimit

Këtu bën pjesë reforma e pensioneve dhe heqja e avantazheve tatimore për bujqit, po ashtu edhe një reformë e zgjeruar e administratës publike, ku do të vendoset pagesa mbi bazën e aftësive. Nga ana tjetër u gjend një zgjidhje edhe për fondin e ri për shitjen dhe administrimin e pasurive shtetërore. Fondi i privatizimit duhet të fillojë nga puna deri në fund të vitit. Nga ky fond priten fitime në vlerë prej 50 miliardë eurosh. Ky fond ishte një nga kërkesat këmbëngulëse të kancelares Angela Merkel në samitin e krizës më 12 dhe 13 korrik. Gjysma e të ardhurave të fondit do të kalojë tek shlyerja e borxheve.

Falje e borxheve apo zgjatje kohës së kthimit të tyre?

Vetëm në tetor pritet të ketë një ujdi mes ministrave europianë të Financave dhe drejtoreshës së FMN-së, Christine Lagarde, nëse FMN do të jetë pjesëmarrëse në paketën e tretë të shpëtimit. Lagarde, e cila ishte pjesëmarrëse përmes konferencës telefonike nuk bëri ndonjë premtim për këtë. Ajo kërkoi nga kreditorët europianë lehtësime të dukshme të borxheve greke, që të mundësohet që në vitin 2016 bashkë me kreditë e reja dhe një ekonomi të dobët, borxhet të arrijnë 200% të prodhimit të brendshëm bruto. FMN mbron qëndrimin se me programin aktual kthimi i borxheve është i pamundur.

Por edhe Komisioni Europian dhe Banka Qendrore Europiane shikojnë një problem të madh në aftësinë greke të përballimit të borxheve. Recetat janë të ndryshme. Europianët nuk duan falje të borxheve. Më së shumti një zgjatje e afateve të kthimit të kredive për përtej afatit mesatar të 32 viteve, tha ministri gjerman i Financave, Schäuble. Të gjithë ministrat e Financave theksuan në një deklaratë të përbashkët se pjesëmarrja e FMN-së është një kusht i panegociueshëm për programin e ndihmës. „Kemi nevojë për FMN-në si një qen roje“, tha ministri sllovak i Financave, Peter Kazimir.

EU Deutschland Euro Währung Klaus Regling von EFSF

Kreu i fondit të shpëtimit, Klaus Regling

25 milliardë euro për shpëtimin e bankave

Edhe me gjendjen e bankave u morën ministrat e Financave të eurozonës. 25 nga 86 miliardë eurot do të përdoren për shpëtimin e bankave. Deri në tetor do të bëhet testi i „stresit“ të bankave. KE dhe Banka Qendrore Europiane në një dokument të përbashkët janë shprehur se bankat janë vendosur në krizë të rëndë për shkak të mbylljes disajavore. Bankat greke janë praktikisht të shkëputura nga tregu i kapitalit dhe varen nga BQE, që i furnizon me likuiditetin e emergjencës. Institucionet theksojnë se “pasiguria politike” dhe “rënia e fortë e të ardhurave nga taksat dhe vendimet e qeverisë” do të bëjnë që ekonomia greke të bjerë këtë vit dhe në 2016-n. Nga 2017 pritet rritje ekonomike.

Parlamentet duhet të thonë „po“

Paketën greke të shpëtimit duhet ta miratojnë edhe shtatë parlamente të vendeve anëtare të BE-së. Bundestagu duhet ta miratojë atë të martën ose të mërkurën. Parlamenti finlandez ka thënë ndërkohë Po. Nëse afatet mbahen, atëherë të enjten e ardhshme do të livrohet kësti i parë prej 26 miliardë eurosh. 10 miliardë do të përdoren menjëherë për bankat, 16 miliardë për detyrimet greke të prapambetura. Po ashtu qeveria e Tsiprasit i ka borxh ekonomisë private disa miliardë euro. Komisioneri i BE-së, Dombrovski tha se “këto para do t'i vijnë në ndihmë ekonomisë private dhe me shpresë edhe rritjes ekonomike.” Në tetor do të kontrollohet nëse qeveria greke i respekton kushtet e kredive. Pas kësaj do të kryhet livrimi i këstit të dytë.