1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Eurodeputeti kristiansocial Bernd Posselt: Kosova nuk do të jetë kurrë më serbe

Serbia nuk duhet ndërhyj në punët e brendshme të Kosovës, por duhet të zgjidhë çështjen e të drejtave të shqitparëve në Luginën e Preshevës, thotë eurodeputeti i Partisë Kristiansociale Bernd Posselt në bisedë për DW.

ARCHIV - Der CSU-Abgeordnete Bernd Posselt steht am 07.10.2011 in Nürnberg (Mittelfranken) vor dem Logo der Partei. Posselt hat die Euro-Abweichler in Union und FDP kritisiert. Er verlangte am Dienstag (28.02.2012) von den Koalitionsparteien, sie sollten Bundeskanzlerin Merkel (CDU) «massiv den Rücken stärken». Foto: Peter Kneffel dpa/lby (zu dpa lby 0439 vom 28.02.2012) +++(c) dpa - Bildfunk+++

Sprecher der Sudetendeutschen Volksgruppe Bernd Posselt CSU

DW: Zoti Posselt, Parlamenti i Serbisë e ka miratuar këto ditë një rezolutë në të cilën thuhet se ky vend nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës. Si e vlerësoni Ju këtë rezolutë, si një ndihmë në rrugën drejt rregullimit të raporteve apo si një pengesë në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit?

Posselt: Natyrisht që kjo rezolutë paraqet një pengesë shumë serioze. Megjithatë duhet të angazhohemi që bisedimet për zgjidhjen e çështjeve praktike të vazhdojnë. Të enjten do të zhvillohet raundi i ardhshëm i bisedimeve. Unë sot kam pasur një takim dhe bisedime me përfaqësuesit e Komisionit Evropian, i cili e mbështet vazhdimin e dialogut. Por askush në Parlamentin Evropian nuk e pranon këtë rezolutë të Serbisë.

DW: Mendoni se është i mundur normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë apo kjo është vetëm një dëshirë, në veçanti pas rezolutës së Parlamentit të Serbisë dhe faktit që Beogradi dhe Prishtina vazhdojnë të kenë pozicione krejt të ndryshme sa i përket statusit të Kosovës?

Posselt: Mendoj se normalizimi është i mundur. Shikoni, edhe ne në Gjermani kemi pasur një situatë kur Republika Federale dhe DDR (Gjermania Lindore) kanë pasur mendime dhe qëndrime plotësisht të ndryshme për shumë çështje madhore. Por kanë gjetur zgjidhje për çështjet praktike: që njerëzit të vizitojnë njëri-tjetrin, të bëjnë tregti, të udhëtojnë të lirë... Marrëveshja për kontrollin e përbashkët të kufirit, për shembull, është një hap konkret në drejtimin e duhur. Ne i mbështesim këto hapa. Të gjitha ato që po bën Serbia, një ditë mund t'i kthehen si bumerang, sepse qëndrimet e Serbisë nuk janë aspak reale.

DW: Ju e thatë se marrëveshja për konotrollin e kufirit ishte një prej hapave në drejtimin e duhur. Në këtë rrugë janë bërë edhe disa hapa të tjerë por pengesat edhe më tej janë shumë të mëdha në raportet mes këtyre dy vendeve. Cilat janë pengesat më të mëdha në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit?

Posselt: Pengesa më e madhe është natyrisht fakti që Serbia gjithnjë po përpiqet që të rihapë çështjen e statusit të Kosovës dhe çështjet e tjera elementare, të cilat s'kanë të bëjnë fare me këtë dialog. Në këtë dialog bëhet fjalë për mundësinë e lehtësimit të kushteve për jetën e njerëzve të thjeshtë siç janë njohja e diplomave, lufta kundër kriminalitetit, liria e lëvizjes dhe e udhëtimit, kalimi i kufirit, gjendja e sigurisë, mbrojtja nga katastrofat... këto janë temat, që duhet të trajtohen. Ndërsa kush përpiqet vazhdimisht që ta rihapë çështjen i dëmton raprotet e fqinjësisë me vendet e tjera. Mendoj se Serbia po e dëmton vetveten tmerrësisht. Unë u kam thënë edhe politikanëve dhe mediave serbe, se ata po ndjekin një rrugë plot iluzione, sepse të gjithë e dinë: Kosova nuk do të jetë kurrë më serbe. Këtë e dinë në fakt edhe vet serbët, të cilët me qëndrimet si ato në rezolutë po bllokojnë vetveten. Ata duhet të përqëndrohen në rrugën drejt Bashkimit Evropian, ndërsa Kosovën duhet t'ua lenë kosovarëve.

DW: Një prej problemeve më të mëdha në raportet mes Prishtinës dhe Beogradit me siguri që do të jetë gjendja në veri të Kosovës. Serbia kërkon që kjo pjesë të ketë një autonomi të veçantë. Si i vlerësoni Ju këto kërkesa të Serbisë?

Posselt: Këto kërkesa i konsideroj si plotësisht absurde. Duhet theksuar se zgjidhja e statusit të pakicave në kushtetutën e Kosovës është zgjidhja më e mirë që ekziston në Evropë. Shumica e minoriteteve në Evropë vetëm mund t'i ëndërrojnë të drejtat që ka minoriteti serb në Kosovë. Shumica e minoritetit serb në Kosovë e di këtë dhe po i shfrytëzon këto të drejta. Për fat të keq ekziston një grup i pakicës serbe në veri i cili është i instrumentalizuar nga Beogradi dhe në këtë mënyrë po punon në dëm të vetvetes. Unë sot kam pasur një takim me përfaqësuesit e Komisionit Evropian dhe me komisionerin Stefan Fülle, me të cilët kam tematizuar edhe gjendjen në Luginën e Preshevës. Në shtigje afatgjata, ëshë e papranueshme që Serbia për serbët në Mitrovicë të kërkojë të drejta të veçanta deri në seperatizëm, ndëkrohë që minoriteteve të veta dhe në veçanti shqiptarëve në Preshevë ua mohon të drejtat elementare. Ky lloj disproporcioni nuk ka funksionuar kurrë në histori. Unë jam kundër ndryshimit të kufijve. Por të drejtat që i gëzojnë serbët në Kosovë duhet t'i gëzojnë edhe shqiptarët në Serbi. Ky rajon duhet të zhvillohet ekonomikisht, sepse Lugina e Preshevës është një prej rajoneve më të varfëra në Evropë.

DW: Si i shikoni ju zhvillimet e fundit në Luginën e Preshevës: mendoni se jemi më afër ashpërsimit të situatës apo zgjidhjes politike të këtij konflikti dhe si duhet të zgjidhet ky problem?

Posselt: Atje mund të ketë një shkallëzim shumë të rrezikshëm, në qoftë se nuk ndërmerren masat e duhura. Komisioneri Fülle më tha sot gjatë një bisede se Presheva është absolutisht në qendër të vëmndjes së Komisionit Evropian dhe do të jetë pjesë e raportit të Komisionit të BE-së për gjendjen në Serbi. Serbia duhet të ketë shumë kujdes që të mos hapet një vatër e re krize. Natyrisht kjo vlen për të gjithë, por shqiptarët atje kanë nevojë për të drejtat e tyre dhe për zhvillim ekonomik. Gjërat duhet të përmirësohen edhe në kalimet kufitare dhe në bashkëpunimin e këtij rajoni me Maqedoninë dhe me Kosovën. Atje duhet të investohet më shumë. Ndryshe rreziku është shumë i madh. Kjo vlen edhe për Sanxhakun. Këto janë rajone të krizave të mundshme. Ndaj do të ishte më mirë që Serbia të kujdeset për minoritetet e veta se sa të përzihet në punët e brendshme të Kosovës.

DW: Rreziku pra është i madh ndaj shtrohet pyetja se çfarë duhet bërë për zgjidhjen e problemeve dhe si mund të ndihmojë Bashkimi Evropian në këtë rrugë?

Posselt: BE-a duhet të jetë korrekt dhe e paanshme. Në shekullin e 19-të u mbajt Kongresi i Berlinit, ku është njohur pavarësia e Bullgarisë, e Rumanisë, e Serbisë ... ndërkohë që shqiptarët u lanë plotësisht pas dore. Në 1912 dhe 1913 janë bërë edhe masakra kundër shqipatrëve. Nga historia duhet të mësojmë se nuk duhet të ketë disproporcionalitete. Të gjitha palët duhet të jenë të kujdesshme, por në shtigje afatgjate nuk është e mundur që të shkelen të drejtat e shqiptarëve në jug të Serbisë e në anën tjetër që të drejtat maksimale që gëzojnë serbët në Kosovë të shpallen si të pamjaftushme. Këto gjëra janë të papranueshme.

DW: Zoti Posselt, në Kosovë dhe në Serbi janë dëgjuar dhe mendime për mundësinë e shkëmbimit të territoreve: që Serbia të marrë veriun e Kosovës ndërsa Kosova tri komunat e banuara me shumicë shqiptare në jug të Serbisë. A mund të përfytyrohet një zgjidhje e tillë?

Posselt: Një zgjidhje e tillë nuk mund të përfytyrohet fare. Nëse e hapim tani çështjen e kufijve, nuk dihet se ku do të përfundojmë. Atëherë do të hapen edhe çështjet e kufijve në Sanxhak, në Vojvodinë, në Bosnjë e Hercegovinë, në Maqedoni etj. Kjo është shumë e rrezikshme. Parimi evropian është shumë i arsyeshëm: kufijtë nuk duhet të lëvizen por duhet të relativizohet domethënia e tyre. Për shembull, kur vij nga Gjermania në Strasburg, unë nuk e vërej fare kur kaloj nga territori i Gjermanisë në Francë. Pra ne jemi për kufij të hapur, që i lidhin njerëzit dhe jo që i ndajnë ato. Ne poashtu kërkojmë respektimin e të drejtave të minoriteteve sipas standardeve të njëjta dhe jo sipas tekave. Ndërsa ndryshimi i kufijve nuk është fare zgjidhje e mirë.

DW: Zoti Posselt, mendoni se çështja e Luginës së Preshevës do të hapet edhe në dialogun mes kryeministrave Thaçi dhe Daçiq, apo kjo çështje do të zgjidhet në dialog mes përfaqësuesve të shqitparëve në jug të Serbisë dhe qeverisë së Beogradit?

Posselt: Mendoj se këtë problem duhet ta zgjidhin vet serbët. Serbia nuk mund të afrohet me BE-në, në qoftë se nuk i respekton kriteret e Kopenhagës, ku bën pjesë edhe respektimi i të drejtave të minoriteteve. Kjo është çësthje e Serbisë. Unë personalisht jam për një bashkëpunim të mirë me Serbinë, por në qoftë se Serbia nuk i respekton minoritetet e veta, kjo do të thotë se po ndjek një rrugë joevropiane dhe në këtë mënyrë po e dëmton vetveten.