1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Euro e dobët: shans apo rrezik?

Eksportuesit e Evropës dhe bankierët e bankave qendrore gëzohen, importuesit dhe pushuesit janë të humburit. Euro e dobët mund ta nxisë zhvillimin e ekonomisë evropiane - por ajo sjell edhe rreziqe.

1,39 dollarë merrje në mars 2014 për një euro, 1,29 dollarë merrje në shtator - kurse tani merr vetëm 1,19 dollarë për 1 euro. Monedha e përbashkët evropiane euro ka humbur gjithnjë e më shumë vlerë muajt e fundit. Aktualisht ajo ndodhet në nivelin më të ulët që prej vitit 2006.

Papritur kjo nuk erdhi: në një kohë që Banka Qendrore amerikane Fed po ecën drejt ngritjes së interesave bankare, Banka Qendrore Evropiane (BQE) ndjek kursin e liberalizimit të mëtejshëm të politikës fiskale. Sepse në SHBA konjuktura ka marrë vrull të qartë, kurse në Eurozonë rritja ekonomike vazhdon të jetë e moderuar. "Në parim ndodh ajo që kanë parashikuar shumë analistë gjithë kohën", thotë Stefan Schneider, ekonomist i Deutsche Bank-ës. Kolegët e tij mendojnë që kursi vitet e ardhshme do të ecë gjithnjë e më shumë drejt barazimit: ka shumë mundësi që një euro në të ardhmen të jetë e barabartë me vetëm një dollar.

Për shkak të rënies së vlerës së euros nuk duhet të shqetësohemi, thotë Schneider. Përkundrazi: euroja më e lirë i bën më atraktive blerjet nga Evropa. Kombet eksportuese si Gjermania përfitojnë shumë nga kjo. Sipërmarrjet evropiane bëhen më konkurruese përballë atyre japoneze, ku vitet e fundit ka ndodhur një zhvlerësim i madh i euros.

Kursi i euros çon ujë në mullirin e Draghit

Një euro e dobët është krejtësisht ajo që dëshiron Banka Qendrore Evropiane. Në intervistë me gazetën Handelsblatt, Presidenti i BQE, Mario Draghi tha javën e kaluar se kursi i këmbimit vërtet që nuk është objektiv i përcaktuar i politikës së BQE, por kursi është i rëndësishëm për stabilitetin e çmimeve dhe për rritjen ekonomike. Për të garantuar stabilitetin e çmimeve, po bëhen përgatitje "për masa shtesë ndoshta të nevojshme", tha Draghi. Shumë ekspertë e interpretojnë këtë si gatishmëri të BQE për të blerë hua shtetërore në stil të gjerë.

Këto spekulime e nxisin edhe më tepër rënien e euros, njësoj si frika për dhënien fund të politikës së kursimeve në Greqi ose për një dalje të Greqisë nga Eurozona.

Rrezik për një krizë të re?

Të humburit me kursin aktual të këmbimit janë jo vetëm ata që udhëtojnë drejt SHBA. Edhe produkte që importohen nga bota e jashtme në Evropë mund të shtrenjtohen- për shembull kompjuterat nga Azia. Çmimi i ulët i naftës mund ta bëjë edhe më të ulët çmimin e benzinës në pikat e furnizimit në Eurozonë.

Edhe investorët e huaj kanë aktualisht më shumë humbje se fitim me investimet e tyre në Eurozonë. Analisti i tregjeve financiare, Christoph Zwermann druhet se euroja do ta humbasë edhe më tej vlerën, më shpejt se dëshirohet. "Pa kaluar shumë kohë mund të ndodhë që ky fenomen të shkaktojë një krizë të re të euros- thjesht për faktin sepse besimi tek euroja dhe tek Evropa do të humbasë".