1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

EULEX: Përfshirja në bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit vetëm nëse vendos Brukseli

Përfaqësues të misionit EULEX në Kosovë, thonë se ata mund të ndihmojnë në zbatimin e çfarëdo marrëveshjeje që mund të arrihet në dialogun Prishtinë - Beograd, por nuk do të përfshihen drejpëdrejt në këtë dialog.

Hanns-Christian Klasing, zëdhënësi i misionit EULEX për veriun e Kosovës

Hanns-Christian Klasing, zëdhënësi i misionit EULEX për veriun e Kosovës

Zyrtarë të misionit evropian për polici dhe gjyqësi, thonë se misioni EULEX mund të përfshihet në dialogun Prishtinë-Beograd vetëm nëse kjo vendoset në Bruksel. Sipas tyre, vizitat e zyrtarëve të misionit EULEX në Beograd, kanë për qëllim mbështetjen në aspektin logjistik të dialogut, por ato mund të ndihmojnë edhe në zbatimin e çfarëdo marrëveshjeje që mund të arrihet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Kështu u shpreh zëdhënësi i misionit EULEX për veriun e Kosovës, Hans Kristian Klasing, pas disa shkrimeve të publikuara në mediat kosovare, ku thuhet se misioni EULEX do të përfshihet në dialogun Prishtinë - Beograd me kërkesë të shefes së diplomacisë evropiane Kathrin Ashton. Megjithatë, njoftime zyrtare për këtë çështje nga Brukseli nuk ka. Sipas Klasing: " Dialogu është pjesë e politikës së Bashkimit Evropian që ka për synim të promovojë bashkëpunimin, vlerat evropiane dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve." "Dëshiroj të rikujtoj se ne jemi një mision teknik për rend dhe ligj dhe ne merremi me sundimin e ligjit, që ka lidhje me policinë, gjyqësinë dhe doganat. Pra ne nuk kemi mandat politik, por vetëm mandat teknik.", tha Klasing.

Sekretari i shtetit në Ministrinë serbe për Kosovën Oliver Ivanoviq, thotë se misioni EULEX mund të ndihmojë në funksionimin e gjykatave, të policisë dhe të doganave në veri të Kosovës, por nuk mund të jetë i përfshirë drejtërdrejt në bisedimet Prishtinë-Beograd. "Unë mendoj se EULEX-i nuk mund të përfshihet në bisedime dhe mendoj se në to nuk mund të përfshihet asnjë palë e re. EULEX-i mund të ndihmojë shumë, sepse ky mision është i interesuar për funksionimin e gjykatave, policisë dhe doganave. Kjo është fusha e përgjegjësisë së EULEX-it dhe ai mund të ndihmojë këtu dhe të propozojnë ndonjë temë, por jo të përfshihen vet në dialog."

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, nuk pranojnë të komentojnë përfshirjen e mundshme të misionit EULEX në bisedimet Prishtinë - Beograd, përderisa nuk ka njoftim zyrtar nga Brukseli.

Driton Lajqi, analist politik

Driton Lajqi, analist politik

Ndërkohë, analistët e pavarur mendojnë se shefja e diplomacisë evropiane Kathrin Ashton, mund t'i japë detyra shtesë misionit EULEX, në këtë rast që të përfshihet edhe në dialogun Prishtinë-Beograd. Megjithatë, Driton Lajqi, njohës i marrëdhënieve nderkombëtare, shpreh për DW skepticizmin e tij për mundësinë që misioni i EULEX-it të përshihet në këtë dialog. "Unë kam dilema, sepse është një lloj kontradikte në mes vet misionit të EULEX, për faktin që njerëzit që punojnë këtu në EULEX janë të specializuar për sundimin e ligjit, por nuk janë të specializuar për lehtësimin e dialogut apo për bisedime", thotë Driton Lajqi.


Javën e kaluar mediat serbe njoftuan se qeveria e Beogradit tashmë ka hartuar paltformën e bisedave me Prishtinën zyrtare dhe kjo platformë thuhet se është ndërtuar në koordinim me Bashkimin Evropian dhe mbi bazën e rezolutave parlamenare të mëhershme të parlamentit të Serbisë. Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës nga ana e tyre, thonë se bisedimet me Beogradin mund të fillojnë vetëm pas krijimit të qeverisë legjitime në Prishtinë pas zgjedhjeve që do të mbahen më 12 dhjetor. Por ato e lenë të hapur mundësinë që pika të këtij dialogu siç është çështja e personave të zhdukur mund të fillojë edhe brenda këtij viti, duke mos përmendur ndonjë datë.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora

  • Data 29.11.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/QLGV
  • Data 29.11.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/QLGV