1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

EULEX-i vazhdon punën, por zvogëlon stafin

Përfaqësues të misionit EULEX thonë se do të vazhdojë punën edhe për disa vjet në Kosovë, por me një staf më të vogël. Krimet e luftës do të trajtohen nga EULEX-i, sepse ato duhet trajtuar në mënyrë neutrale.

EULEX-i vazhdon punën në Kosovë

EULEX-i vazhdon punën në Kosovë

Viti 2012 do të shënojë zvogëlimin e pranisë së Bashkimit Evropian në Kosovë, asaj civile dhe të misionit EULEX. Mirëpo, ndonëse Zyra Civile Ndërkombëtare dëshiron të mbyllë mandatin, misioni EULEX edhe pse me staf më të vogël, do të vazhdojë punën të paktën edhe për disa vjet. Zëvëndës-shefi i misionit EULEX, Andy Sparkes, thotë për DW, se misioni gjatë këtij viti, gradualisht do ta zvogëlojë stafin dhe do ta rishikojë aktivitetin dhe mandatin në të ardhmen.

EULEX-i nuk do të qëndrojë përgjithmonë në Kosovë

“EULEX-i nuk do të qëndrojë në Kosovë përgjithmonë. Vendet anëtare nuk kanë llogari që të kenë një mision kaq të madh, kaq të kushtueshëm për shumë vite më radhë në Kosovë. Pra, drejtimi është që të punohet me homologet tanë kosovarë për t'u mundësuar atyre që gjithë punën ta kryejnë vetë, ndoshta me një ndihmë nga Bashkimi Evropian, në mënyrë që punën në rendin dhe ligjin ata ta bëjnë vetë si kosovarë në Kosovë. Ky është drejtimi i synuar”, thotë Andy Sparkes.

Qeveria e Kosovës dhe misioni EULEX po punojnë së bashku që të definojnë fushat se ku mund të bartë misioni EULEX përgjegjësitë te institucionet e Kosovës. Zëvëndëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se Kosova do të vazhdojë reformat në sistemin e drejtësisë dhe është e gatshme të marrë përgjegjësitë nga misioni i EULEX. Por, sipas tij, një mbikqyrje e vogël do të vazhdojë.

Kosova është e gatshme të marrë përgjegjësitë nga EULEX-i

“Këtu do të jemi të mbikqyrur për pjesën e krimeve të luftës, ndoshta për pjesën që ka të bëjë me profile të larta. Në pjesën tjetër, këtë vit, besojmë se do të plotësojmë numrin me gjyqtarë dhe prokurorë, që t'i kryejmë reformat e parapara në këtë drejtim dhe nga viti i ardhshëm, në janar, të kemi një strukturë të re”, thotë Hajredin Kuçi.

Hajredin Kuci flet për DW

Hajredin Kuci flet për DW

Ndërkohë, zëvëndësshefi i misionit EULEX, Andy Sparkes, thotë se misioni megjithatë edhe për një kohë do të vazhdojë punën, sepse sipas tij kjo i ofron siguri popullit kosovar për zbatimin e drejtësisë në të gjitha nivelet. Fusha më e ndjeshme sipas, Andy Sparkes, janë rastet e krimeve të luftës në Kosovë. Ai shpjegon për DW se pse misioni EULEX, do të vazhdojë të trajtojë rastet e krimeve të luftës edhe për një kohë.

Rastet e krimeve të luftës - në mënyrë neutrale

“Është krejt e natyrshme që lufta në Kosovë ka lënë shumë plagë pas, se ka dhe shumë probleme që lidhen më të. Kosovarët, përsa u përket veprave, krimeve që janë kryer gjatë luftës nuk do të ndihen rehat në mendjet e tyre. Sepse këto krime vërtet janë krime, por në anën tjetër janë kryer në emër të një lirie dhe një beteje për liri. Prandaj, drejtësia duhet të bëhet në mënyrë neutrale dhe pa emocione”, thotë Andy Sparkes. Sipas tij, Kosova është një vend që po zhvillohet dhe me ndihmën e misionit EULEX do të jetë shpejt në gjendje që të merret vetë edhe me krimet e luftës, në mënyrë të paanshme.

Ndërkohë, analistët thonë se shoqëria kosovare duhet të punojë shumë dhe të investojë në institucionet e Kosovës, në mënyrë që të forcohet sistemi juridik. Analisti Mufail Limani thotë për programin tonë se mosbesimi i shoqërisë kosovare në institucionet e drejtësisë e bënë të nevojshëm misionin EULEX.

Mosbesimi në institucionet e Kosovës e bënë të nevojshëm EULEX-in

“Po të plotësohet sistemi juridik në Kosovë dhe të mos ketë zbrazëti ligjore në asnjë fushë EULEX-i do të bëhet i panevojshëm. Por atmosfera politike dhe mosbesimi në institucionet e Kosovës e bën të nevojshëm misionin EULEX në Kosovë dhe përderisa të jetë kështu, misioni EULEX do të jetë në Kosovë me dëshirën apo pa dëshirën e kosovarëve”, thotë Mufail Limani.

Sidoqoftë, përfaqësuesit e misionit EULEX thonë se në bazë të sondazheve që zhvillojnë në Kosovë, qytetarët e këtushëm dëshirojnë që ky mision të vazhdojë punën. Vazhdimi i punës së misionit, sipas përfaqësuesve të tij, do t'i ofrojë siguri dhe garanci edhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, se Kosova po ecën gradualisht dhe sigurt drejt standardeve evropiane.

Autor: Bekim Shehu/Prishtinë

Redaktoi: Auron Dodi