1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

EULEX-i i gatshëm të ndihmojë zbatimin e IBM

Ujdia për menaxhimin e integruar të kufirit në veri të Kosovës është arritur, por ende nuk ka një datë për zbatimin e tij. Megjithatë EULEX- shprehet i gatshëm të ndihmojë në implementimin e saj.

Ushtarë të EULEX-it

Ushtarë të EULEX-it

Megjithë ujdinë për menaxhimin e integruar të kufirit qeveria e Prishtinës dhe ajo e Beogradit nuk kanë dhënë ende një datë të saktë për fillimin e zbatimit të saj. Në fillim të dhjetorit pritet takimi i radhës mes kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë Ivica Daçiq. Sipas njoftimeve në media ky takim mund të shënojë edhe fillimin e zbatimit të marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

EULEX i gatshëm ta ndihmojë zbatimin e IBM

Sipas zyrtarëve të misionit EULEX, ata do ta ndihmojnë zbatimin e çfarëdo marrëveshje që arrihet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, sa i përket menaxhimit të integruar të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Menaxhimi integruar i kufirit Kosovë-Serbi, ishte pjesë e bisedave teknike dhe po ashtu së fundmi edhe pjesë e bisedave politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Helikopteri i EULEX-it transporton doganierë dhe policë në Brnjak

Helikopteri i EULEX-it transporton doganierë dhe policë në Brnjak

"EULEX-i është i gatshëm për të ndihmuar në lehtësimin e çdo marrëveshjeje të arritur në mes të Prishtinës dhe Beogradit. IMB mbetet prioritet për të gjithë. Roli i EULEX-it do të përcaktohet saktësisht në përputhje me mandatin e misionit dhe në kuadër të cilësdo marrëveshje të arritur midis Prishtinës dhe Beogradit ", thonë përfaqësues nga zyra e shefit të misionit EULEX, Xavier Bout de Marniak.

Angazhim për çështjen e kufirit

Të premten e shkuar Marniak ishte në Beograd për ta diskutuar me autoritetet e Beogradit çështjen e menaxhimit të integruar të kufirit Kosovë-Serbi. Që nga vera e vitit të shkuar misioni EULEX, është vendosur në dy pikëkalimet kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në veri të vendit në dy pikat kufitare të cilësuara si më problematiket. Policët dhe doganierët e misionit EULEX, kontrollojnë qarkullimin e njerëzve dhe mallrave që hyjnë nga Serbia në Kosovë. Aty janë edhe policët dhe doganierët e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, thotë se roli i misionit EULEX, në pikat kufitare në veri të vendit do të jetë i njëjtë sikurse në të gjitha pikat tjera kufitare të Kosovës. “Roli i misionit EULEX në pikat kufitare në veri të vendit do të jetë krejtësisht i njëjtë me rolin që do ta luaj në pikat tjera kufitare qofshin ato në jug, perëndim apo lindje. Pra EULEX, ka një mandat të vetëm dhe atë mandat do ta zbatojë në të gjithë Kosovën ashtu siç jemi pajtuar në kuvendin e Republikës së Kosovës”, thotë kryeministri Hashim Thaçi. Por zbatimi i marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit me Serbinë në veri të Kosovës, në këtë fazë, duket se do të jetë problematik. E gjithë kjo shkak të kundërshtimit të serbëve të veriut.

Kryeministri kosovar, Hashim Thaçi

Kryeministri kosovar, Hashim Thaçi

Serbët e veriut kundërshtojnë zbatimin e IBM-së

Njëri nga udhëheqësit e serbëve të veriut të Kosovës, Milan Ivanoviq, ka thënë për mediat lokale serbe, se serbët e veriut nuk i duan institucionet e Kosovës në kufirin me Serbinë. "Ne nuk dëshirojmë që edhe në pikë-kalimet administrative të kemi doganierë dhe policë të Kosovës, sepse kjo do të thotë kufi brenda shtetit të Serbisë, gjë që është antikushtetuese. Në veri të Kosovës do të ketë rezistencë ndaj zbatimit të marrëveshjeve që i ka arritur qeveria e shkuar në bisedimet teknike”, thotë Milan Ivanovi.

Naim Huruglica

Drejtori i doganave Naim Huruglica

Dogana e Kosovë gati për zbatimin e marrëveshjes

Sipas marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit Kosovë-Serbi, e arritur gjatë dialogut teknik, palët janë pajtuar që në zonën neutrale, të vendoset një pikë e përbashkët kontrolli. Ekipet teknike nga të dy vendet tashmë janë në terren për të saktësuar vendin se ku do të vendosen pikat e përbashkëta.

Drejtori i Doganave të Kosovës, Naim Huruglica, thotë se pala kosovare është e gatshme që të nisë punën, sepse sipas tij, kjo nuk kërkon ndonjë angazhim të shtuar. “Nuk ka ndonjë ndryshim të madh prej asaj që po bëjmë sot. Në realitet i gjithë stafi që është duke punuar në këto vendkalime kufitare do të lëvizë në një lokacion të ri ku punohet më afër. Ashtu së paku e kam kuptuar unë, që për mua nuk kërkon ndonjë angazhim shtesë apo të veçantë që nuk mund ta përmbushim. Qysh nesër nëse fillon, ne do të jemi të gatshëm”.