1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

EULEX i beson hetuesisë dhe autopsisë në rastin Dehari

EULEX: Rezultatet e hetimeve për rastin Dehari janë profesionale e sipas praktikave më të mira evropiane. Por Vetëvendosja kundërshton: EULEX nuk ka më kredibilitet në Kosovë.

Misioni në Kosovë i Bashkimit Evropian për Rend dhe Ligj, EULEX vlerëson se hetimet dhe autopsia e kryer në rastin e vdekjes në një qendër të paraburgimit të aktivistit të lëvizjes, Vetëvendosje Astrit Dehari, janë bërë në mënyrë profesionale dhe me kujdes. Por rezultatet e hetimeve dhe autopsia të kryera nga instucionet e Kosovës që konstatuan që Astrit Dehari u vetëvra, nuk janë të besueshme për lëvizjen Vetëvendosje, e cila në një reagim publik edhe misionin EULEX e cilëson si mision jo të besueshëm.

Monitorimi i EULEX

Në një komunikatë për media misoni EULEX, i cili ishte vëzhgues në këto hetime, thotë se hetimet për këtë rast janë kryer në përputhje me praktikat më të mira evropiane. "Si pjesë e mandatit të tij, EULEX-i e monitoroi këtë rast dhe beson se hetimet dhe autopsia janë kryer në mënyrë të saktë, profesionale dhe me kujdes, në pajtim me praktikat më të mira evropiane dhe duke i hetuar të gjitha pistat e mundshme. Tri agjencitë përkatëse që kanë qenë të përfshira vazhdojnë t'i përmbushin obligimet ashtu siç pritet nga to. Nga rastet si ky gjithmonë nxirren mësime, ndërsa elementi më i rëndësishëm drejt përmirësimit është vënia në jetë e këtyre mësimeve”, thuhet në komunikatën e EULEX-it.

Misioni EULEX-i thotë se "gjithçka që lidhet me vdekjen e Astrit Deharit duhet të shërbejë për të rikujtuar se megjithëse Shërbimi Korrektues i Kosovës është duke u përpjekur që të bëjë përmirësime, duhet të bëhet edhe më shumë në të ardhmen për t'i parandaluar incidentet si ky dhe humbje të jetëve tjera”. "Ndonëse rrethanat janë të jashtëzakonshme, institucionet e Kosovës kanë zbuluar se Astriti ka qenë i vetëm në dhomën e paraburgimit në kohën kur ka ndodhur rasti.

Vetëvendosja: EULEX pa kredibilitet

Këtë e konfirmojnë inçizimet e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë e personave të pranishëm. EULEX-i i mbështet të dhënat dhe konstatimin logjik të nxjerrë prej fakteve dhe provave të gjetura gjatë hetimeve dhe autopsisë”, thuhet më tej në këtë komunikatë. I menjëhershëm ishte reagimi i lëvizjes Vetëvendosje, e cila misionin EULEX e cilëson një mision jo me kredibilitet dhe jo të besueshëm.

"EULEX-i as nuk është i pavarur e as i paanshëm. Gjatë kohës sa shërben në Kosovë EULEX ka qenë subjekt i skandaleve të shumta dhe dyshimeve të mëdha për intervenime gjyqësore me qëllime politike e deri te skandalet e shumta të korrupsionit. Edhe për këto EULEX-i kishte thënë që i ka hetuar. Dhe nuk kanë gjetur asgjë. Si në rastin e fundit të monitorimit të hetimeve të prokurorisë për vdekjen e Astrit Deharit”, thuhet në reagimin e lëvizjes Vetëvendosje.

Politika: Rasti i Deharit të mos shfrytëzohet për qëllime politike

Sipas Vetëvendosjes, "misioni EULEX-i nuk mund të sigurojë hetime të pavarura, sepse nuk e ka kredibilitetin minimal për të qenë të përfshirë në një rast të tillë”. Astrit Dehari u gjet i vdekur me (05.11) në një qendër të paraburimit në Prizren. Ai së bashku me pesë aktivistë të Vetëvendosjes akuzoheshin për terrorizëm "sulm me minahedhës mbi godinën e parlamentit të Kosovës”.

Lëvizja Vetëvendosje dhe shumë organizata të shoqërisë civile organizuan peticion dhe mblodhën mbi 26 mijë nënshkrime duke kërkuar që rasti i Astrit Deharti të diskutohet në parlamentin e Kosovës në një seancë të jashtzakonshme. Po ashtu kërkohet dorëheqja e Ministres së Drejtësisë që administron burgjet e Kosovës dhe dorëheqja e ministrit të rendit. Mirëpo, dy partitë më të mëdha në parlament PDK dhe LDK, nuk u pajtuan për seancë të jashtëzakonshme duke thënë se rasti tragjik i vdekjes së Astrit Deharti nuk duhet të përdoret për qëllime politike, por duhet lënë organet e drejtësisë që ta thonë fjalën e tyre.