1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Akuzë për krim të organizuar kundër Limajt

Bekim Shehu16 Nëntor 2012

Kundër Fatmir Limajt dhe gjashtë bashkë të pandehurve të tjerë, është ngritur akuza për krim të organizuar dhe vepra të tjera të lidhura me korrupsionin.

https://p.dw.com/p/16kUD
Eulex Logo

Një prokuror special i misionit EULEX, nga Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur aktakuzë kundër Fatmir Limajt dhe gjashtë bashkë të pandehurve të tjerë për krim të organizuar dhe vepra të tjera të lidhura me korrupsionin në të ashtëquajturën çështje të Ministrisë së Transportit dhe Post-Telekomunikacionit. Veprat penale për të cilat deputeti Limaj dhe të tjetërt akuzohen, kanë ndodhur gjatë periudhave kohore mes vitit 2008 dhe 2010, ndërsa në lidhje me pastrimin të parave mes vitit 2009 dhe 2012, njofton misioni EULEX.

“Të pandehurit, Fatmir Limaj, Florim Lima, Demir Lima, Endrit Shala, Nexhat Krasniqi, Florim Zuka dhe Gani Zogaj, akuzohen, mes tjerash, për manipulimin e procedurave të tenderëve, dhënien dhe marrjen e rryshfetit dhe pengimin e mbledhjes së provave dhe dëshmive në lidhje me tre tenderë në ministrinë e Postës dhe Telekomunikacionit, për përfitime personale. Dëmi në buxhetin e kësaj ministrie llogaritet të jetë rreth dy milion euro”, thuhet në një njoftim të shkruar nga misioni EULEX.

Deputeti Fatmir Limaj akuzohet gjithashtu për mosdeklarimin e parave në kohën që garonte për zgjedhjet komunale të Prishtinës në vitin 2007 si dhe për vepra të tjera penale.

Deputeti Fatmir Limaj, ishte akuzuar edhe më herët nga misioni EULEX për krime lufte, në të ashtuquajturin rasti “Kleçka”, mirëpo, u shpall i pafajshëm në maj të këtij viti.