1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

EULEX është për të gjithë Kosovën

Bekim Shehu / Prishtinë13 Mars 2008

Shefi i misionit të BE-së për polici dhe drejtësi në Kosovë, Yves de Kermabon, gjatë një vizite që po realizon në Prishtinë, tha se synim i tij është që në tërë rajonin e Kosovës të respektohet rendi dhe ligji.

https://p.dw.com/p/DNzQ
Yves de Kermabon
Yves de KermabonFotografi: Ministère de la Défense/France

Shefi i misionit të BE-së për polici dhe drejtësi, Yves de Kermabon, tha se policia gjykatësit dhe prokurorët
ndërkombëtarë do të veprojnë në të gjithë rajonin e Kosovës. Ai kërkoi mbështetjen e qytetarëvë në mënyrë që misioni që ai kryeson të ketë sukses. Këto komente, Yves de Kermabon, i bëri gjatë një vizite që po realizon në Kosovë dhe takimeve që zhvilloi me udhëheqësit politik kosovarë.

"Synimi im është që të punoj në tërë Kosovën dhe misioni i EULEX-it, do të shtrihet në tërë Kosovën dhe të punojë për të gjithë qytetarët pa dallim etnik. Por, fillimisht duhet shpjeguar njerëzve në teren se çfarë është ky mision dhe unë jam i bindur se ata do ta kuptojnë se misioni është në të mirën e tyre, pra për të përmirësuar rendin dhe ligjin në Kosovë", tha
Yves de Kermabon.

"Ju e dini se rendi dhe ligji janë elementet bazë për funksionimin e një shoqërie demokratike dhe ne duhet ta përmirësojmë rendin dhe ligjin në Kosovë, por kjo mund të bëhet vetëm edhe më ndihmen e institucioneve të Kosovës. Misioni i EULEX-it, në thelb do të monitoroje dhe ndihmojë institucionet e Kosovës në vendosjen e rendit dhe ligjit, mirëpo natyrisht nëse është nevoja edhe mund të marr vendime", tha Yves De Kermabon.

Udhëheqësit politik kosovarë, thanë se siguria, paqja dhe stabiliteti janë faktorët kryesorë që e bëjnë Kosovën të ecë përpara. Ata së bashku me misionin e BE-së në Kosovë do të angazhohen në luftën kundër korrupcionit. Disa pjestarë të misonit të BE-së ndërkaq kanë ardhur në Kosovë, kanë filluar punën, mirëpo jo në pjesën veriore të Kosovës. Kjo për shkak që ata nuk janë ndier rehat dhe të sigurt të punojë në këtë pjesë, ku serbët lokalë kundërshtojnë vendosjen e misionit. Tash për tash akoma nuk është thënë se kur pjestarët e misionit të BE-së, do të kthehen edhe në pjesën veriore të Kosovës, mirëpo vazhdimisht potencohet nga zyrtarët se misioni të shtrihet në tërë rajonin e Kosovës.