1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Rruga drejt bashkimit

Eufori, rindërtim dhe shkatërrim

Rindërtimi përfshin edhe shkatërrimin: Edhe sot e kësaj dite, 20 vjet mbas kthesës, Gjermania lindore konfrontohet me probleme të mëdha demografike. Zhvillim i vrullshëm në qytete – shkatërrim dhe rrënim nëpër fshatra.

Tri ndërtesa me parafabrikatë të rinovuara në lagjen Herrenberg në Efurt

Me fitim: Tri ndërtesa me parafabrikatë të rinovuara në lagjen Herrenberg në Efurt

"Kopshte me lule" premtoi kancelari Helmut Kol (Kohl) para se të bëhej bashkimi gjerman. Ka disa zona në lindje të Gjermanisë ku ky premtim me të vërtetë është bërë realitet: në Berlin, Drezden, Lajpcig, Erfurt e rrethina. Gjetkë, para portave të mbyllura me mur dhe zgavrave të dritareve pa jetë, po rritet bari. 1,3 milionë banesa në Gjermaninë lindore qëndrojnë të zbrazëta. 350 mijë syresh duhet të jenë prishur deri në vitin 2010.

"Programi i rindërtimit të qyteteve – Lindje", - kështu quhet projekti ku tkurrja e qyteteve konsiderohet si shans."Në lindje të Gjermanisë ka disa qytete që kanë dalë me humbje dhe të tjera që kanë dalë me fitim," - thotë Philipp Oswalt, përgjegjës për projektin ndërkombëtar "Shrinking Cities" (Qytete në tkurrje). Arkitektë, etnologë, gjeografë dhe artistë kanë vënë re se procese të tilla, ku qytetet sa vijnë e zvogëlohen, ka në të gjithë botën.

Qytetet që kanë dalë me fitim, si Lajpcigu ose Erfurti, patën shansin ta ndalin hovin e zvogëlimit. Në Pocdamin që shtrihet para portave të kryeqytetit, qiratë janë nga më të lartat e gjithë Gjermanisë. Gërlici (Görlitz), i cili ndërkohë është rregulluar për bukuri, po shijon dyndjet e pensionistëve nga perëndimi.

Fanarë ndriçues dhe errësirë

Shkatërrimi i një ndërtese me parafabrikatë në një lagje të Shtralsundit (Stralsund)

Shkatërrim në Shtralsund (Stralsund)

Krahas fanarëve ndriçues, gjen edhe shumë errësirë. Se sa i madh është ndryshimi ekonomik dhe social që shkaktoi ribashkimi, këtë e tregon zhvillimi demografik. Në bazë të parashikimeve zyrtare pritet që popullsia të jetë përgjysmuar deri në vitin 2050. Ndër dhjetë rajonet evropiane që po zvogëlohen më së shumti, tre janë gjermane, ka përllogaritur Instituti i Berlinit për Popullsi dhe Zhvillim. Ato janë Saksoni-Anhalti, Kemnici dhe Tyringeni. Shkencëtarët e shohin këtë zhvillim si pasojë të epokës post-socialiste dhe të çindustrializimit, ndërthurur me problemet e zakonshme të periferisë.

Kush qendron larg qendrave të zhvilluara të Evropës e larg metropoleve, e ka të ardhmen të pasigurtë. Sidomos sektori i sipërmarrjeve industriale të mesme është në tkurrje të vazhdueshme. Si për shembull, Ajzenhytenshtadti (Eisenhüttenstadt), ish Qyteti-Stalin, që asokohe u krijua për punëtorët e kombinatit të çelikut. Që nga viti 1990 numri i banorëve të tij është zvogëluar nga 50 mijë në 33 mijë. Shvedti mbi Oder (Schwedt an der Oder) arriti ta shmangte përgjysmimin, vetëm pasi përfshiu edhe disa komuna të tjera. Lista e rasteve të tilla është e gjatë.

Për zona të pastra agrare e që janë larg qendrave urbane, si për shembull Prignitz-i, Uckermark-u ose Lausitz-i mbetet pak shpresë. Instituti i Berlinit për Popullsi dhe Zhvillim propozon, që fokusi të përqendrohet tek komunat e afta për të mbijetuar. Disa fshatra dhe qyteza nuk do të kenë shans të mbijetojnë në planin afatgjatë. Kostot e infrastrukturës janë tepër të larta, kur numri i banorëve katandiset sa një grusht. Kështu për shembull në Saksoni tani duhet të bëhet ngushtimi i gypave të rrjetit ujor. Kur uji përdoret nga pak banorë, presioni i rrjedhjes së tij ngadalësohet dhe rreziku i përhapjes së mikrobeve dhe baktereve rritet.

Rruga Firradener (Vierradener Straße) në Shvedt, rruga e dyqaneve në qëndër të qytetit

Ku janë njerëzit? Qyteti Shvedt thuajse është përgjysmuar

Pak lindje dhe shumë emigracion, këto janë dy bishtat e nyjës së problemit: Mbi një milionë banorë janë larguar nga Landet e Reja që nga koha e bashkimit. Ata kanë shkuar në perëndim, aty ku ka punë. Landi i Saksonisë çdo vit humb afro 20 mijë banorë – pra, një qytet të tërë. Një hulumtim që ka bërë Qendra për Kërkime Sociologjike në Halle konstaton se më së shumti largohen gra në moshë të re. Ato zakonisht kanë janë të shkolluara. Sipas studimit të quajtur "ostmobil", numri i vajzave që mbarojnë maturën gjermane në Landet e Reja është dyfish më i lartë se ai i bashkëmoshatarëve të tyre meshkuj. Ato mund të gjejnë punë kudo, por në vendin e tyre nuk gjejnë burra, që u përshtaten nivelit të tyre. Në disa rrethe të lindjes korrespondojnë 80 vajza për çdo 100 meshkuj të rinj. Deri në vitin 2030 pritet të përgjysmohet numri i nënave të mundshme. Kjo do ta zvogëlojë edhe më shumë numrin e fëmijëve, ndërkohë që Gjermania Lindore, radhitet qysh sot në fund të tabelës së lindjeve në nivel evropian.

Orteku e rrënimit vazhdon të mbledhë. Shkollat dhe dyqanet mbyllen, shtëpitë braktisen, banesat rrënohen – një hendek i madh po hapet mes rajoneve me zhvillim të vrullshëm dhe atyre të braktisura, parashikon Instituti i Berlinit për Popullsi dhe Zhvillim. Por, lindorët nuk duan të jenë pesimistë. Tek e fundit, ka disa degë me perspektivë që janë ngulur në disa pjesë të lindjes, si teknologjitë e energjisë dhe të mjedisit.

"Tkurrja mund të shihet edhe si shans", - shton Filip Osvalt, që drejton projektin "Shrinking Cities". "Ky proces u ka sjellë përparësi gjermano-lindorëve", mendon arkitekti. "Edhe në Gjermaninë Perëndimore është zvogëluar popullsia. Lindja tani po demonstron në mënyrë të përshpejtuar atë që po ndodh në prej kohësh në disa pjesë të Perëndimit, si për shembull në veri të Hessen-it ose në veri të Bavarisë."

Autor: Oliver Samson / Anila Shuka

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 20.04.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GLKf
  • Data 20.04.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GLKf