1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Etja e Europës për energji, drama e pengjeve gjermane në Turqi dhe problemet e dopingut në Xhiron e Francës

EXH18 Korrik 2008

"Märkische Oderzeitung": BE-ja ka nevojë për një Gjeorgji të qëndrueshme si vend i rëndësishëm tranziti për furnizimin e vazhdueshëm me energji nga hapësira e Kaspikut dhe Azia Qëndrore."

https://p.dw.com/p/EeMK
Kancelarja gjermane Merkel takon presidentin algjerian Abdelaziz BouteflikaFotografi: AP

"Märkische Oderzeitung" komenton udhëtimet aktuale zyrtare të kancelares gjermane dhe ministrit të jashtëm. Citojmë: "Etja e Europës për gaz shtohet vazhdimisht. Kështu lind natyrshëm pyetja se nga duhet të vijë në të ardhmen lënda e parë. Kancelarja gjermane Angela Merkel po kërkon aktualisht në Algjeri një përgjigje. Vendi afrikano-verior është vërtet prodhuesi i katërt më i madh i gazit në botë, por thujase nuk lëvron aspak në Gjermani. Ministri i jashtëm gjerman Frank-Valter Shtajnmajer ndodhet në Kaukaz zyrtarisht për sheshimin e konfliktit mes Gjeorgjisë dhe provincës që kërkon shkëputje prej saj Abkazisë. Por synimi i vërtetë i udhëtimit është një tjetër. BE-ja ka nevojë për një Gjeorgji të qëndrueshme si vend i rëndësishëm tranziti për furnizimin e vazhdueshëm me energji nga hapësira e Kaspikut dhe Azia Qëndrore."


"Landeszeitung" e Lüneburg-ut komenton tragjedinë e pengjeve gjermane të rrëmbyer nga Partia Punëtore Kurde PKK: "Që tani është e qartë se PKK-ja nuk do ta arrijë qëllimin e saj. Një ndryshim në politikë kishin kërkuar terroristët me rrëmbimin e pengjeve dhe patën spekuluar me lëshimin pe nga Berlini. Por më shumë ka të ngjarë që qëndrimi gjerman të ashpërsohet. Me të drejtë! Do të ishte fatale nëse një qeveri demokratike do t'i përkulej logjikës së terrorit dhe do të përpiqej për pajtim me PKK-në siç kërkon tani Kongresi Kombëtar Kurd. Por kush e akuzon qeverinë gjermane për represion ndaj kurdëve si p.sh. zëdhënësja e partisë së majtë 'Die Linke' Ulla Jelpke, harron me qëllim se aktiviteti gjerman në procesin e anëtarësimit të Turqisë në BE ka sjellë përmirësim të kushteve të jetesës së kurdëve në Turqi."


Së fundi shkëpusim nga komenti në "Frankfurter Allgemeine Zeitung" mbi skandalet e dopingut në Xhiron e Francës: "Në mes të profesionistëve sundon bindja se rezultatet e larta nuk mund të arrihen pa ndihmën e dopingut. Pra çfarë bëjën çiklistët? Ata kërkojnë mjete të cilat nuk mund të dallohen me testet e zakonshme. Shefat e ekipeve sillen sikur nuk dinë asgjë. Dhe organizatori përpiqet të kapë nja dy prej tyre në mënyrë që zotërinjtë e televizionit të besojnë në një sistem vetë-pastrimi. Por tani fusha është përfshirë nga ethet. Një preparat dopingu për gjakun i cili nga përdoruesit konsiderohej i sigurtë mund të vërtetohet në teste. Kush e ka përdorur nuk do të mund të flerë më i qetë deri në fund të Xhiros. Ose do të zbulohet! Por a do të kemi të bëjmë përsëri me një rast të izoluar? Me siguri që kështu do t'a quajnë artistët e mbijetesës në çiklizëm rastin e ardhshëm!"