1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Ethe spiunazhi në Krime

Arrestimet për spiunazh po shtohen si në anën ruse, ashtu edhe ukrainase. Ato i rëndojnë negociatat e ardhshme.

Leonid Parchomenko ka spiunuar i ngarkuar nga Ukraina në Krime Flotën ruse të Detit të Zi e për këtë arsye është ndaluar, bëri të ditur të enjten Shërbimi i Fshehtë i brendshëm rus, FSB. Televizioni tregoi pamje, se si një burrë në fillim të të 50-ave rrëmbehet dhe me sa duket merret në pyetje nga persona të maskuar. Parchomenko ka qenë më parë oficer i Flotës Ruse të Detit të Zi dhe ka punuar më parë në shtabin e saj në Sevastopol, u bë e ditur. Atë e pret një dënim deri 20 vjet heqje liri, për shkak të "tradhëtisë së Lartë". Se çfarë thotë Parchomenko vetë për kritikat, kjo nuk u përmend në raportet e para nga Moska. Ministria ukrainase e Mbrojtjes në Kiev foli për një provokim të ri. "Ne nuk dimë asgjë për këtë burrë," tha një zëdhënës.  

Ukraina arreston "dezertorë"

Incidenti ndodhi vetëm pak ditë pasi autoritetet ukrainase të sigurisë arrestuan dy ushtarakë rusë në kufirin faktik midis tokës kontinentale ukrainase dhe gadishullit të aneksuar nga Rusia. Bëhet fjalë për ish-ushtarakë ukrainas, të cilët pas aneksimit në vitin 2014 qendruan në Krime dhe tani shërbenin në ushtrinë ruse.

Pala ruse e paraqet rastin sikur të rinjtë donin të merrnin në Ukrainë dëshmi për kualifikimin e tyre. Në një kalim kufiri i patën tërhequr në një kurth. Presidenti rus, Vladimir Putin foli të mërkurën për një "akt të pabesë". Ministri i jashtëm, Sergej Lavrov për një provokim. Kurse Ukraina i akuzon personat e arrestuar se kanë dezertuar. Mijëra ushtarakë ukrainas kaluan në anën ruse pas aneksimit të Krimesë.

A shpreson Kievi për një shkëmbim të arrestuarish?

Ky dhe raste të tjera kujtojnë të kujtojnë modelin e sjelljes "si ti mua, ashtu edhe unë ty". Në Rusi dhe në Ukrainë spekulohet se Kievi ndoshta donte t'i shkëmbente ushtarakët rusë. Në dy vitet e shkuara janë shkëmbyer herë pas here persona të arrestuar: njëherë midis Rusisë dhe Ukrainës, njëherë midis Kievit dhe separatistëve prorusë në Ukrainën Lindore.

Kritikat për spiunazh janë shtuar para së gjithash në palën ruse. Jo më larg se fillimi i nëntorit, FSB bëri të ditur arrestimin e tri ukrainasve në Krime, të cilët gjoja kishin planifikuar akte sabotazhi. Pak ditë më vonë u arrestuan dy të tjerë, nga "i njëjti grupim". Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës e hodhi poshtë pohimin se bëhej fjalë për punonjës të saj. Në fund të shtatorit, në Moskë u arrestua papritur gazetari ukrainas, Roman Sushçenko. Korrespondenti në Paris i një agjencie shtetërore lajmesh ukrainase akuzohet se si oficer i Zbulimit Ushtarak të Kievit ka spiunuar në Rusi. Sushçenko i hedh poshtë akuzat, njësoj si qeveria në Kiev.

Problem para takimit të formatit të Normandisë

Rasti më spektakolar deri tani ndodhi në fillim të gushtit. FSB raportoi atëherë se kishte penguar atentate terroriste të shërbimeve të fshehta ukrainase. Më shumë se një gjysmë dyzine burrash - rusë dhe ukrainas - qenë ndaluar në Krime, të paktën dy vetë u arrestuan. Në një shkëmbim zjarri në kufirin faktik qe vrarë një bashkëpunëtor i FSB-së. Për këtë shkak, Presidenti rus Putin anuloi një takim në të ashtuquajturin format i Normandisë për krizën e Ukrainës, në kuadër të takimit të nivelit të lartë të G-20-ës në Kinë.

Për të martën e javës së ardhshme, në Minsk të Bjellorusisë është planifikuar një takim në formatin e Normandisë. Në të, ministrat e Jashtëm të Gjermanisë, Francës, Ukrainës dhe Rusisë do të diskutojnë për një plan konkret hapash për vënien në jetë të marrëveshjeve të Minskut për zgjidhjen e konfliktit të armatosur në Ukrainën Lindore. Arrestimet e fundit në Krime besohet se i rëndojnë edhe më tepër raportet e tensionuara midis Moskës dhe Kievit.