1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

"ETA kërkon të tërheqë vëmendjen te vetja"

Henning Riecke, ekspert për sigurinë në Shoqatën për Politikën e Jashtme shpjegon sfondin e sulmeve me bombë, të kryera siç dyshohet nga ETA në në Majorka dhe në Burgos të Spanjës.

ETA përpiqet me terror që të mos e harrojnë. Ne foto: nje ushtar i Gardia Civil ecen para nje pllakati te ETA-s

ETA përpiqet me terror që të mos e harrojnë

DW: Z. Riecke përse pikërisht ky sulm në Majorka?

Riecke: "Majorka është një ndër rajonet kryesore të udhëtimeve në Spanjë, aeroporti i Majorkës është i treti për nga madhësia në vend. ETA tradicionalisht ka përzgjedhur sezonin e pikut të turizmit për të goditur me sulme terroriste qeverinë dhe politikën spanjolle. Turizmi është një faktor i rëndësishëm ekonomik dhe për këtë arësye edhe mjaft i ndjeshëm."

DW: Askush nuk e ka marrë deri tani përgjegjësinë për atentatin. Por të gjithë mendojnë se pas tij qëndron ETA. Përse pikërisht ETA?

Riecke: "Për këtë flet kryesisht fakti, që viktimat e sulmeve terroriste në Majorka dhe një ditë më parë në Burgos në Veri të Spanjës janë policë si dhe të afërm e familjarë të policëve të Gardës Civile. ETA ndodhet aktualisht në një fazë që do të tërheqë vazhdimisht vëmendjen. Qysh prej dy muajsh në rajonin e baskëve ka një qeveri të re rajonale, e cila drejtohet nga një socialist dhe jo më nga një nacionalist. Vitin e kaluar u arrestuan shumë anëtarë drejtues të ETA-s. Si rrjedhojë mund të thuash se ETA vërtetë është dobësuar, por njëkohësisht ajo do të sulmojë përsëri."

DW: Një gjysmë shekulli pas themelimit, sa mbështetje vazhdon të ketë ETA nga popullsia në rajonin e baskëve?

Riecke: "ETA është themeluar si një lëvizje rezistence kundër Frankos dhe për këtë jo vetëm në Spanjë, por edhe në botën e jashtme në fillim ajo gëzonte simpati. Por qëkurse Spanja është demokraci shumica e spanjollëve nuk e kuptojnë më pse ETA përdor dhunë. Edhe në rajonin e baskëve ajo e ka humbur mbështetjen për luftën e armatosur. Po ashtu edhe në radhët e ETA-s ka shumë, që kërkojnë bisedime dhe afrimin me qeverinë. Ndaj në këtë moment ekziston kjo situatë dobësie. Vitin e kaluar u arrestuan pesë udhëheqës të ETA-s. Në aspektin politik ETA nuk është më e fortë. Por që ajo është e dobët nuk do të thotë, se ajo është e parrezikshme, sepse luftrat që zhvillohen brenda ETA-s mund të nxisin sërish frymën për të tërhequr vëmendjen përmes atentateve."

Autor: Kerstin Dauzend/DW-TV/Vilma Filaj Ballvora

Redaktoi: Auron Dodi