1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

ETA baske çarmatoset

Pas një lufte të dhunshme prej dekadash, organizata ilegale baske ETA i dorëzoi policisë franceze të shtunën një listë me 12 vende, ku janë fshehur armë të saj. Separatistët konsiderohen gjithsesi shumë të dobësuar.

ETA, organizata që e nisi luftën e armatosur në diktaturën e Frankos për pavarësinë e vendit të baskëve dhe që konsiderohet përgjegjëse për vrasjen e 829 vetëve dorëzon të shtunën (08.04.2017) depon e fundit të armëve në një "mbledhje të madhe popullore" në Bayonne të Francës Jugore, u tha në një letër që publikoi BBC.Të shtunën ETA i dorëzoi policisë franceze një listë me 12 vende ku janë fshehur armë të saj.

Përgatitjet për "çarmatosjen totale" të ETA-s kanë vazhduar prej kohësh në fshehtësi. Nga qarqe të nacionalistëve baskë u mësua se dorëzimi i armëve kryhet "jashtë Bayonne" në "kushte sigurie". Kryeministri francez, Bernard Cazeneuve pati deklaruar pas një deklarate të parë të ETA-s në 20 mars se procedura duhet të vazhdojë sipas "rregullave të shtetit juridik", kompetente për këtë është departamenti i antiterrorizmit të Prokurorisë së Parisit. Policia dhe ekspertët e  lëndëve shpërthyese tani janë të gatshëm për mision.

Prej dekadash ETA (në gjuhën baske: Euskadi Ta Askatasuna, Vendi i Baskëve dhe liria) preokupon forcat e sigurisë dhe drejtësinë në Spanjë dhe në Francë. Në BE ajo është kategorizuar si organizatë terroriste. Në atentatin e saj të fundit në vitin 2010 u vra një polic francez. Në vitin 2011 ETA e shpalli të përfunduar luftën e saj të armatosur.

Vitet e fundit kjo organizatë është dobësuar shumë, përmes zbulimit të shumë depove të armatimit dhe arrestimit të qindra anëtarëve të saj. Ndërkohë besohet se të lirë janë vetëm 30 anëtarë të ETA-s. Lufta e tyre e fundit bëhet në mbështetje të fatit të 360 të arrestuarve, të cilët për shkak të akteve të ETA-s mbahen të arrestuar - pjesërisht larg atdheut.  Aktivistët e mbetur duan të arrijnë lehtësime arresti, zbutje të dënimit ose lirime me kusht për ta.

Një rol të rëndësishëm në sfond ka luajtur me sa duket senatorja franceze Frederique Espagnac, një e besuar e Presidentit François Hollande. "Çarmatimi është i domosdoshëm, për ta mbyllur kapitullin e dhunës në Vendin e  Baskëve", tha Espagnac. "Në këtë kuadër duhet të respektohen rregullat e shtetit juridik."

Qeveria konservatore spanjolle i përmbahet pozicionit të saj të vjetër. Ministri i Brendshëm Juan Ignacio Zoido deklaroi se për ETA-na ekziston "vetëm një rrugë - shpërbërja, dorëzimi i armëve, pendimi dhe zhdëmtimi për të gjitha dëmet." Partitë në Vendin e baskëve kanë bërë thirrje së bashku - me përjashtim të partisë konservatore - që ETA të konsiderohet "e besueshme", për "të mbyllur një kapitull të së shkuarës" dhe për të ndërtuar një "të ardhme të bashkëjetesës".