1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Eskpertët: përmbytjet në Veri të Shqipërisë jo thjesht nga shkaqe natyrore

Ekspertët kanë nisur të tregojnë arësyet, por dhe mësimet që dalin nga kjo situatë e jashtëzakonshme e fillim të vitit 2010.

default

Ura e Bahçallëkut mbi lumin Drin, Shkodër

Rreth 2400 shtëpi dhe rreth 10 mijë hektarë tokë nën ujë të përllogaritura aktualisht janë një kosto e konsiderueshme shkaktuar nga përmbytjet në veriperëndim të Shqipërisë, kryesisht në qarkun e Shkodrës. Sipas ekspertëve disa prej masave që duhen marrë sa më parë janë: zbatimi i rreptë i rregulloreve të ruajtjes së kuotave të ujit në hidrocentrale, rritja e investimeve për forcimin e argjinaturave mbrojtëse, shmangia e ndërtimeve pa leje në zonat pranë digave dhe shtrateve të lumenjve si dhe rehabilitmi i pyjeve.

Ing. Dhimitër Cico ka punuar rreth 40 vjet në Institutin e Projektimeve Hidroteknike në Tiranë. Ai është dhe projektuesi i portave të remontit në hidrocentralin e Komanit, mbi kaskadën e lumit Drin. Ing. Cico mendon se prurjet e ujit gjatë ditëvë të fundit kanë qënë mëse normale dhe nëse do të kishte zbatim rigoroz të rregulloreve të punës së hidrocentraleve, nuk do të kishte përmbytje dhe dëme të këtyre përmasave. Ai shprehet se situata e krijuar nuk është thjesht nga shkaqe natyrore. Pasi të arrihet normaliteti dhe të bëhen analizat përkatëse për situatën e paprecedent që ka ndodhur, duhet të hartohet një plan konkret për të ndërhyrë në zbatimin e standardeve të hidrocentraleve dhe të mjedisit rreth tyre, thotë ing.

Ing. Dhimiter Cico

Ing. Dhimiter Cico, ekspert i hidroteknikës

Dhimitër Cico për DW-në: "Detyrë urgjente e Korporatës Elekrtoenergjetike Shqiptare, KESH, është që t'i zbatojë me përpikmëri kuotat për shfrytëzimin e kaskadës së Drinit. Më mirë populli të rrijë një çikë pa drita në rast se nuk merr nga Fierza, por ama nuk duhet lejuar të arihet në këtë gjendje. Ka nevojë që të gjitha shtëpitë, ku është shtrati që derdhet Drini , të largohen, të prishen, të rregullohet shtrati, argjinaturat mbrojtëse, të thellohet shtrati. Dhe mbi të gjitha qeveria duhet të rregullojë shtratin e Bunës, derdhjen e saj. Gjatë periudhës së verës, kur ka pak rreshje duhet të bëhet me rigorozitet kontrolli dhe prova për portat dhe agregatet e tjera në hidrocentrale.", thotë ing. Cico. Sipas tij ky është një kusht i domosdoshëm, që e bën më të sigurtë performancën e hidrocentraleve në periudhën e pikut të punës dhe të rreshjeve e prurjeve të ujit. "Puna e parë që duhet të bëhet kur të kalojë ky dimër është që të jepet alarmi për të bërë zbatuar rregulloret për kontrollin e të gjitha portave në kaskadën e Drinit. Në të kundërt ky fenomen mund të ndodhë cdo vit.", thotë ing. Dhimitër Cico.

Prof. Sazan Guri

Prof. Sazan Guri, ekspert i mjedisit në Shqipëri

Prof. Sazan Guri, një ekspert i njohur i mjedisit në Shqipëri i shikon përmbytjet e fundit në zonën veriperëndimore edhe "si një sjellje jo normale të njeriut me natyrën". Ai rikujton prerjet masive pa kriter të pyjeve në zonat përreth hidrocentraleve, çka ka ulur maksimalisht aftësinë e thithjes dhe pengimit të ujrave nga rreshjet e shiut e të borës së shkrirë. Kjo situatë ka një kosto të lartë, kur krijohet përmbytje edhe nga rreshje normale, thotë prof. Guri për DW-në, dhe sipas tij duhet të bëhet sa më parë rehabilitimi pyjor. Ai përmend dhe një fakt që ka lidhje me rolin e autoriteteve vendase, të cilat janë indiferente dhe i tolerojnë ndërtimet pa leje në zona pranë digave të HEC-ve, apo pranë vendrrjedhjeve të ujrave. Këto akte duhet të ndalen, pasi rrezikojnë jetë njerëzish dhe shkaktojnë dëme të jashtëzakonshme ndaj pasurive natyrore, gjësë së gjallë, produkteve bujqësore, thotë prof. Sazan Guri. "Të mos bëhet asnjë lloj ndërtimi, sado i vogël qoftë, në këtë zonë që është një shtrat rezervë për përmbytjen nga diga, ose nga shirat e shumta natyrore, ose nga shkrirja e borës. Një hap tjetër është mirëmbajtja e argjinaturave siç është ajo bregdetare Tale –Lezhë . Njeriu i sotëm i viteve 1990 -2010 nuk ka dashur ta mbrojë, por e ka çarë atë. Argjinatura tjetër që duhe tmbrojtur është ajo lumore e shkarkimit të mbetjeve të Vau Dejës në drejtim të Drinit, Bunës a detit. Dhe së fundi, është e nevojshme mirëmbajtja e argjinaturave të vetë digave të këtyre rezervuareve të mëdhenj."

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora

  • Data 10.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LPy9
  • Data 10.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LPy9