1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Opozita kosovare të respektojë rregullat e demokracisë"

Bekim Shehu12 Tetor 2015

I ngarkuari i Ministrisë së Jashtme gjermane për Ballkanin Perëndimor, Ernst Reichel, takoi në Prishtinë kryeparlamentarin, Kadri Veseli, ku diskutuan për zhvillimet e fundit rreth bllokadës së kuvendit nga opozita.

https://p.dw.com/p/1Gmjr
Ernst Reichel, Angelika Viest und Kadri Veseli
Fotografi: Kosovo Assembly

I ngarkuari i Ministrisë së Jashtme gjermane për Ballkanin Perëndimor, Ernst Reichel, tha në Prishtinë se opozita kosovare duhet t'i respektojë rregullat e demokracisë parlamentare. Sipas tij, pakica nuk mundet t'ia imponojë vullnetin shumicës. Kështu citohet diplomati gjerman në një deklaratë të kuvendit të Kosovës për media, pas një takimi që Ernst Reichel zhvilloi me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli.

Partitë politike opozitare nuk lejojnë zhvillimin e seancave parlamentare në kuvend deri sa, siç thonë, kryeministri Isa Mustafa të tërheq nënshkrimet nga marrëveshjet për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe nga ajo për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. "Fajtori për këtë situatë është opozita e cila duhet t'i respektojë rregullat e demokracisë parlamentare, ku pakica nuk mundet që me veprime të dhunshme t'ia imponojë vullnetin shumicës", citohet në deklaratën e kuvendit ambasadori gjerman Reinchel. Sipas tij, Kosova është shumë afër përmbylljes së procesit të nënshkrimit të MSA-së dhe liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe këto procese nuk duhen ndalur. Ernst Reichel, menjëherë pas zhvillimeve në seancën e së enjtes (08.10)ku nga opozita u përdor edhe gazi lotsjellës, shkroi në profilin e tij në Facebook se "pas gazit çfarë armësh do të përdorin në Parlament".

"Në demokraci politikat ndryshohen vetëm duke i bindur votuesit dhe duke i fituar zgjedhjet e radhës. Opozita nuk pajtohet me qeverinë, si zakonisht. Por, në sisteme demokratike, ndërrimi i politikave nënkupton t'i bindësh votuesit dhe t'i fitosh zgjedhjet e ardhshme. Nëse tani opozita ka sulmuar me gaz lotsjellës, çfarë forme të dhunës do të përdorin më pas? Me çfarë justifikimi beson opozita që mund t'ia imponojë vullnetin e saj një qeverie të zgjedhur në mënyrë demokratike që përfaqëson shumicën e votuesve?", kishte shkruar emisari gjerman në Facebook.

Kryetari i kuvendit, Kadri Veseli tha se është duke bërë përpjekje që në Parlamentin e Kosovës të ruhet fryma e demokracisë parlamentare, duke vazhduar me insistim në mjetet demokratike për afrimin e pozitës dhe opozitës. "Kuvendi nuk mund të bllokohet dhe do të vazhdojë punën e tij me një paketë projektligjesh më shumë rëndësi për zhvillimin e vendit", tha Kadri Veseli pas takimit që zhvilloi me diplomatin gjerman Ernst Reichell, i cili shoqërohej nga ambasadorja gjermane në Prishtinë, Angelika Viets.

Tre partitë politike opozitare, lëvizja Vetëvendosje, AAK dhe Nisma, vazhdojnë të mbajnë qëndrimin e tyre për të bllokuar fizikisht punimet e Kuvendit të Kosovës për aq sa, siç thonë, kryeministri Isa Mustafa nuk tërheq nënshkrimet nga marrëveshjet për krijimin e asociacionit të komunave më shumicë serbe dhe nga ajo për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Ndërkohë LDK në pushtet me kryetar Isa Mustafën që është në koalicion me PDK-në, prej nga vjen kryetari i kuvendit Kadri Veseli, i ka kërkuar këtij të fundit që të respektojë Rregulloren e Punës së Kuvendit për të mundësuar funksionimin e Parlamentit. "Zbatimi i Rregullores së Punës së Kuvendit po shihet domosdoshmëri për zhbllokimin e punës së kuvendit, e cila ia mundëson kryetarit Veseli që t'ua ndalojë pjesëmarrjen në seanca deputetëve që pengojnë punën parlamentare, si p.sh. duke futur në sallë sigurimin e kuvendit. Megjithatë, zhvillime dramatike dhe skenarë nga më të ndryshmet pritet të përdoren nga opozita sërish këtë të enjte (15.10), kur pritte të mbahet seanca plenare", thuhet në një njoftim të LDK-së. Kryetari i kuvendit Kadri Veseli nga ana e tij disa herë është deklaruar se ai nuk do ta përdorë të drejtën e tij që ta nxjerrë nga salla e kuvendit opozitën.

Sidoqoftë, akoma nuk dihet sesi do të mundësohet zhvillimi i seancave në të ardhmen në parlament. Kryeparlamentari Kadri Veseli thotë se kjo bllokadë nuk do të lejohet në pafundësi. E kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, thotë se proceset në Kosovë nuk mund të kthehen prapa, duke rikujtuar se nuk e ka ndërmend ta tërheq nënshkrimin nga marrëveshja me Serbinë për krijimin e asociacionit të komunave më shumicë serbe.