1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Ernst: Marrëdhëniet normale e me respekt të dyanshëm Shqipëri-Serbi janë të mundura

Megjithë tensionimin aktual të marrëdhënieve Serbi-Shqipëri, analisti i "Neue Zürcher Zeitung" Andreas Ernst shprehet se pikërisht tani duhet dialogu. Shqipëria e Serbia duhet të fillojnë të njohin njëra-tjetrën.

DW: Tensionet e papritura para vizitës së kryeministrit Edi Rama në Beograd pas dështimit të ndeshjes mes dy vendeve - tanimë janë prezente. Tirana i dërgon notë proteste Beogradit për të ndërmarrë diçka kundër gjuhës së dhunës. Megjithatë Rama do të shkojë në Beograd, më parë ai ka refuzuar që vë llai i tij kishte lidhje me dronin. Sa shanse për sukses ka një vizitë e tillë në këto kushte?

Andreas Ernst: Për këtë unë do t'i bashkangjitesha filozofit nga Prishtina, Shkëlzen Maliqi e këshilltar i presidentit shqiptar, i cili në një bisedë me gazetën beogradase "Danas", tha se se pikërisht këto ngjarje tregojnë se sa e rëndësishme është të futemi në dialog. Do të ishte e gabuar, thotë Maliqi, që të presim edhe 70 vjet të tjera, deri sa të takohen dy krerët e qeverive të Shqipërisë dhe Serbisë.

DW: Si është tani atmosfera në Beograd? Si përmendet vizita e Ramës?

Andreas Ernst: Provokimi me simbolet e Shqipërisë së madhe mbi stadiumin Partizani e ka helmuar edhe më shumë gjendjen në Beograd. Që ajo ishte që më parë e keqndezur, këtë e treguan edhe koret ekstremisht primitive të tifozëve serbë të futbollit. Politikanët megjithatë do të bëjnë me gjakftohtësi llogari politike. Dhe prioriteti kryesor do të jetë që të bëjnë "bella figura" para Bashkimit Europian.

DW: Ajo që ndodhi në fushën e lojës helmoi sërish shpresën e vogël për një histori të re të marrëdhënieve mes dy vendeve, vizita quhej si historike. - Është iluzion i perëndimit e pro-perëndimorëve në rajon një marrëdhënie e mirë mes vendeve të rajonit, por në fakt urrejtja pret të zgjohet me rastin e parë që i jepet?

Andreas Ernst: Nëse ka diçka që është kuptuar gabimisht në Perëndim, ajo është marrëveshja e normalizimit të marrëdhënieve në prill të vitit të shkuar mes Beogradit dhe Prishtinës. Ajo është një kompromis oportunist i elitave - dhe nuk ka të bëjë për momentin me pajtimin shoqëror. Them oportunist sepse, pas saj qëndron dëshira e dy kryeqyteteve për integrim europian dhe kjo nuk mund të bëhet pa kompensim. Them një kompromis elitash, sepse shoqëritë ishin të përjashtuara plotësisht nga ky proces si në drejtim të krijimit të qëndrimeve përkatëse ashtu edhe të vendimmarrjes.

DW: A ka shanse për një marrëdhënie pozitive mes dy vendeve, Serbi-Shqipëri?

Andreas Ernst: Sigurisht. Marrëdhëniet politike të normalizuara dhe me respekt të dyanshëm mes Beogradit dhe Tiranës nuk janë vetëm të dëshirueshme, por edhe të mundura. Mendoj se marrëdhënia dypalëshe Shqipëri-Serbi nuk duhet parë gjithmonë nën prizmin e Kosovës. Por po qe se Edi Rama do ta kthejë veten në një zëdhënës të të gjithë shqiptarëve në rajon, kjo do të ishte problematike, po ashtu sikundër kryeministri Vuçiç të donte të bëhej padroni mbrojtës i serbëve në Bosnje.

Andreas Ernst

Andreas Ernst

DW: Kosova do të jetë temë bisedimesh. Për Edi Ramën njohja e Kosovës nga ana e Serbisë do të ishte një kërkesë normale, për Vuçiç kjo temë nuk shtrohet. Si mundet që të dy kryeministrat të hedhin urat e ndërtimit të marrëdhënieve të mira, por pa e injoruar Kosovën?

Andreas Ernst: Siç e thashë, shpresoj që Kosova të mos jetë tema e vetme: Por do të jetë një pikë e rëndësishme, kjo dihet. Të flasësh tani për një njohje të Kosovës nuk do të sillte asgjë. Koha për këtë nuk ka ardhur. Ajo që qëndron para kësaj është zbatimi i plotë i marrëveshjes së arritur në prill 2013. Por kjo prek më shumë Vuçiç dhe kryeministrin e Kosovës, dhe jo Edi Ramën. Do të dëshiroja që të dy kryeministrat të flisnin për projekte ekonomike, kulturore, nxitjen e tregtisë, projekte infrastrukturore, programe studentore dhe shkëmbime mes artistësh, punën në media etj. Bëhet fjalë që të dyja shoqëritë të fillojnë të njihen njëherë me njëra-tjetrën. Me Serbinë dhe Shqipërinë kemi përballë njëra-tjetrës dy shtete të panjohura. Varet nga qytetarët e tyre nëse duan t'i futen aventurës për të njohur vendin tjetër.

DW: A mund të bëjë diçka konkrete Edi Rama për pakicën shqiptare në jug të Serbisë, të përmirësohet jeta e këtyre qytetarëve?

Andreas Ernst: Problemi i shqiptarëve në jug të Serbisë duhet parë nga dy anë, ajo sociale dhe nacionale. Për fat të keq të dyja dimensionet përzihen në debate. Sipas mendimit tim, problemi i Serbisë jugore si një çështje e politikës rajonale, duhet zgjidhur në radhë të parë ekonomikisht. Si mund të ndihmohet kjo zonë në ekonomi, përmirësim infrastrukture, mundësi shkollimi me qëllim që të futet në udhën e rritjes ekonomik? Po qe se do ta shohësh këtë problem nga ana etnike, këtë e bëjnë shumë vetë, unë do të isha në vend të një autonomie për Luginën e Preshevës për një shkëmbim territoresh me pjesën serbe të Veriut të Kosovës. Pra po qe se hyn në etno-politikë, atëherë hyr me të vërtetë. Por ndryshimi i kufijve që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës është tabuizuar nga fuqitë perëndimore, për këtë nuk ka shans. Pra mbetet politika sociale dhe ekonomike e Beogradit për këtë pjesë. Por për shkak të arkave bosh të shtetit serb, as Rama nuk mund të bëjë ndonjë gjë në këtë drejtim.

DW: Nga ana tjetër është përmendur se pala serbe do të adresojë edhe gjendjen e minoritetit serb në Shqipëri. Çfarë do të mund të kërkonin serbët, pasi në Shqipëri një gjë e tillë nuk është temë?

Andreas Ernst: Pakica serbe në Shqipëri nuk është as në Serbi ndonjë temë - besoj se bëhet më shumë fjalë për një stil etno-politik "më jep- të të jap".