1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Erler: Statusi i Kosovës nuk kthehet mbas

Intervistë ekskluzive me ministrin gjerman të shtetit për politikë të jashtme, Gernot Erler

Gernot Erler

Gernot Erler

DW: Zoti Erler, ministri i shtetit, Glozer gjatë vizitës së tij në Kosovë u citua nëpër media të ketë thënë se Serbia nuk mund të hyjë në BE pa e njohur Kosovën. Cili është mendimi juaj për këtë çështje?

Erler: Unë nuk dua të komentoj deklaratën e kolegut tim Glozer. Por natyrisht që është e qartë, që ne shpresojmë shumë, që ky fillim i ri në Serbi do të sjellë edhe ndryshimin e qëndrimit ndaj Kosovës. Ne e kemi çmuar gjithmonë punën e presidentit serb dhe me të kemi lidhur edhe disa shpresa, të cilat nganjëherë duhet të thuhen hapur.

DW: Ndërkohë qeveria e re sërish e ka hedhur poshtë njohjen e pavarësisë së Kosovës, por ka sinjalizuar gatishmëri për të negociuar për disa detaje. A e dini ju se për çfarë detajesh bëhet fjalë?

Erler: Ne nuk kemi ndër mend të lëvizim nga statusi i përcaktuar. Statusi është vendosur tashmë dhe nuk mund të kthehet mbrapsht ajo çka është mbështetur nga kaq shumë shtete dhe nga OKB-ja. Askush nuk e synon një gjë të tillë dhe Gjermania nuk do të marrë pjesë në një proces të tillë.

DW: Kosova sapo përfitoi një ndihmë prej 1,2 miliardë eurosh. Ku do të matet suksesi i përdorimit të këtyre parave?

Erler: Së pari, rezultati i konferencës së donatorëve ishte një sukses më vete, sepse shuma ishte më e madhe se ç'ishte pritur. Por ne dëgjuam me vëmendje se çfarë tha kryeministri Thaçi e të tjerë në konferencë. Ishin premtime të qarta se do të garantojnë që paratë të shkojnë në destinimin e duhur, që lufta kundër korrupsionit, kundër keqmenaxhimit dhe kundër dobësisë së institucioneve do të vazhdojë dhe ne shpresojmë natyrisht që pas fjalëve të vijnë veprat.

DW: Mendoni se konstelacioni EULEX/Unmik i propozuar së fundi nga Ban ki Mun rrezikon të çojë në ndarjen e Kosovës?

Erler: Jo. Ishte e qartë që aty duhej të ndaheshin kompetencat, por kjo ndarje është horizontale dhe jo rajonale. Dhe prej kësaj nuk do të bëj përjashtim as veriu i Kosovës ku hap pas hapi do të fillojë punën edhe EULEX-i, ashtu si në të gjithë pjesën tjetër të Kosovës.

DW: Në Maqedoni sapo u zhvilluan zgjedhjet, ku u shënuan një sërë parregullsish, partia opozitare e shqiptarëve ka paralajmëruar se do të bojkotojë parlamentin. Duket sikur sapo u zgjidh një problem i shqiptarëve në Kosovë, filloi tjetri në Maqedoni, si e shpjegoni ju këtë?

Erler: Kosova nuk luan rolin vendimtar tek shqiptarët e Maqedonisë. Aty është krijuar tashmë një traditë, sipas të cilës pjesëmarrja në qeveri lidhet me privilegje për anëtarët e partive dhe me shpërndarjen e posteve, bashkë me to dhe të të ardhurave. Kjo nuk përputhet me rregullat e përgjithshme të demokracisë. Sigurisht që çdo kryetar qeverie ka të drejtë ta gjejë vetë partnerin qeverisës, në bazë të pikëpamjeve politike dhe jo të raportit të votave në radhët e pakicës. Por kjo me sa duket nuk ka filluar të pranohet ende në Maqedoni. Ky është një problem, të cilin Maqedonia duhet ta zgjidhë gjithsesi në mënyrë që ta shndërrojë statusin e kandidatit në një perspektivë konkrete negociatash për BE.

DW: Por për të arritur këtë i duhet të zgjidhë çështjen e emrit me Greqinë. A nuk ishte në këtë drejtim letra e fundit e kryeministrit Gruevski drejtuar homologut grek Karamanlis për problemet e pakicave maqedonase në Greqi si benzinë mbi zjarr?

Erler: Është me të vërtetë për të dyshuar se a do ta ndihmojë kjo letër zgjidhjen e konfliktit me Greqinë për çështjen e emrit. Ne do të do ta përshëndesnim me shumë kënaqësi Maqedoninë, krahas Shqipërisë dhe Kroacisë, si anëtare në samitin e ardhshëm të NATO-s që do të zhvillohet në verën e vitit të ardhshëm në Francë dhe Gjermani. Por kjo kërkon zgjidhjen e grindjes për emrin, e cila që kërkon gatishmëri për kompromis nga të dyja palët. Dhe është e vërtetë që kjo letër nuk dëshmon medoemos gatishmëri për kompromis.

  • Data 18.07.2008
  • Autor Anila Shuka/ Berlin
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/EeiI
  • Data 18.07.2008
  • Autor Anila Shuka/ Berlin
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/EeiI