1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Erler: Partitë politike në Shqipëri e paraqesin si katastrofë të pariparueshme fitoren e palës tjetër

Nënkryetari i fraksionit socialdemokrat gjerman në Bundestag e president i Shoqatës së Evropës Juglindore në Gjermani, Gernot Erler mbi situatën politike në Shqipëri. Duhet së paku një besim e konsensus minimal.

Politikani socialdemokrat Gernot Erler

Politikani socialdemokrat Gernot Erler

DW: Hendeku politik mes dy partive kryesore në Shqipëri pasi KQZ shpalli fitues Bashën me numërimin e votave të hedhura gabim është më i thellë se kurrë. Situata politike veçse nuk ka qenë më e mirë që pas 2009-s. Mos kanë krijuar politikanët shqiptarë ishullin e vet të sherrit, dhe nuk i kuptojnë më sinjalet nga Evropa?

Erler: Para se të filloj të fajësoj dikë, jam shumë i trishtuar. Këto zgjedhje duhej të ishin një pikë kthese, e të çonin drejt stabilizimit, pas një krize të vazhdueshme pas zgjedhjeve të vitit 2009. Po rezultati doli shumë i ngushtë, vërtet shumë i ngushtë. Kjo çoi në një grackë të re, ku këshilla e mirë është flori dhe askush nuk e di vërtet se si të dilet nga kjo situatë. Bëhet fjalë për shumë pak vota. Por e dyshimtë është se si u gjetën votat në kutitë e gabuara. Nga ana tjetër gjendja ligjore këtu është e paqartë. Qytetarëve fillimisht iu tha se votat që janë në kutitë e gabuara janë të pavlefshme, tani ato u numëruan dhe kjo duhet sqaruar nga pikëpamja ligjore. Shpresoj që vendimi i Kolegjit Zgjedhor të sjellë më në fund qartësi për këtë çështje.

DW: Kolegji Zgjedhor do të japë verdiktin e tij pas pak ditësh, po a besoni se palët do ta pranojnë atë? Siç dihet nga përvoja në Shqipëri nuk ekziston ndonjë besim i madh në institucionet e drejtësisë.

Erler: Unë fola për një situatë gracke. Është e qartë që nuk ka asnjë mundësi tjetër përveç sqarimit ligjor të çështjes. Më pas mund të ketë përpjekje për të bërë edhe qartësimin politik të saj. Sido që të jetë vendimi, ai do të jetë i pakënaqshëm, pavarësisht nëse njëra palë do të jetë fituese apo humbëse. Sepse edhe po qe se Kolegji Zgjedhor do ta rrëzonte rezultatin duke e lënë të vlefshëm atë të mëparshmin, që do të thoshte që Rama do të ishte fitues, edhe kjo do të ishte e pakënaqshme, kur e di që po të merreshin në konsideratë votat e hedhura gabim, do të dilte një rezultat tjetër.

Në thelb pastaj duhej të niste një proces dialogu mes partive, i cili do të çonte në zgjedhje të reja. Por këtë mund ta zgjidhësh politikisht, një gjykatë nuk mund ta zgjidhë këtë.

DW: Duket se votuesit shqiptarë i kanë parakaluar politikanët. Më 8 Maj ata votuan me pjesëmarrje të lartë e të qetë. Rezultati gati i barabartë për të dyja palët, në thelb është sinjal i votuesve për dialog. Pse nuk duan ta marrin në konsideratë politikanët shqiptarë këtë sinjal? Kokëfortësi apo papjekuri politike?

Erler: Në një pikë do t'iu jepja të drejtë. Problemi që kemi është mungesa e një gjuhe komunikuese mes aktorëve të ndryshëm politikë dhe partive të ndryshme, si edhe mungesa e një konsesusi bazë. Në thelb partitë politike në Shqipëri e vlerësojnë njëra-tjetrën me kategoritë e vlerësimit të armikut, dhe e paraqesin gjithmonë si një katastrofë të pariparueshme për vendin po qe se fiton pala tjetër ose po qe se ndodhesh në opozitë. Po qe se vazhdon një gjendje e tillë kjo është një gur i rëndë në kurriz të popullit shqiptar, një peshë e rëndë për të. Sepse është e nevojshme të kihet një konsensus minmal, një besim minimal mes palëve, si nga qeveria ashtu edhe nga opozita, ndryshe nje vend nuk mund të prosperojë. Kjo situatë është vërtet shumë e ngurtësuar në Shqipëri, unë vetë shpresoja që këto zgjedhje do të na çonin një hap përpara, ka pasur një mbështetje të gjerë ndërkombëtare për këto zgjedhje. Prandaj është tragjike që rasti i Tiranës sërish hedh hije mbi politikën shqiptare.

DW: Po partnerët ndërkombëtarë kanë kohë që e përsërisin kërkesën për dialog, ajo është kthyer në refren, por rezultati nuk ka qenë shumë shpresëdhënës, siç duket edhe pas këtyre zgjedhjeve. Duhet ndonjë mesazh edhe më i qartë?

Erler: Mesazhi ka qenë shumë i qartë, fakti që mbi 500 vëzhgues ndërkombëtarë morën pjesë aty, tregon që partnerët ndërkombëtarë duan të ndihmojnë, nuk e di sa miliona janë derdhur nga burimet ndërkombëtare për këto zgjedhje. Pra nuk ka munguar angazhimi që këto zgjedhje vërtet të ktheheshin në një pikë kthese për politikën shqiptare.

Përpjekjet duhet të vazhdojnë, fillimisht duhet zgjidhur rasti i Tiranës në mënyrë paqësore, të civilizuar, dhe mbi baza ligjore. Vendimi i Kolegjit Zgjedhor këtu është shumë i rëndësishëm. Por i rëndësishëm është edhe disiplinimi i aktorëve politikë. Duhet të marrin fund fyerjet e dyanshme nga krerët e të dyja kampeve, por edhe kërcënimet e zemëruara për revolta popullore. Të dyja këto mënrya nuk e projektojnë rrugën e së ardhmes për Shqipërinë.

Autor: Lindita Arapi

Redaktoi: Bahri Cani