1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Erler: Më shumë kontroll ndaj qeverisë së Kosovës

Përderisa qeveria gjermane mundohet të ruajë mirësjelljen, ish-sekretari i shtetit për Evropën, Gernot Erler, kritikon qeverinë e Kosovës. Ai kërkon më shumë kontroll ndaj aktivitieteve ekonomike të qeveritarëve.

default

Gernot Erler flet për DW

DW: Zoti Erler, si e vlerësoni gjendjen nw Kosovë, dy vjet pas shpalljes së pavarësisë?

Erler: Pozitiv është fakti që nuk ka pasur ndonjë ngjarje dramatike negative, por në anën tjetër kemi 45 për qind papunësi, numri i investimeve nga jashtë është shumë i vogël, kultura e ndëshkimit të krimit mungon, gjë që e solli ambasadorin amerikan para disa kohësh të fliste për rrezikun e një "shteti të dështuar". Për fat të keq konstatojmë se ka qenë e gabuar pritja se shumë probleme do të zgjidheshin vetvetiu, pas zgjidhjes së statusin. Ne duhet të shikojmë me kujdes, se çfarë bën kjo qeveri dhe para së gjithash, cilat janë aktivitet e saj në jetën ekonomike. Këtu kemi disa shembuj që na e kanë ulur besimin ndaj qeverisë dhe na detyrojmë të ushtrojmë më shumë kontroll ndaj saj.

DW: Për cilat raste e keni fjalën konkretisht?

Erler: Ka shumë gazeta që shkruajnë për aktivitetet ekonomike të anëtarëve të qeverisë, disa prej të cilave nuk janë brenda kuadrit ligjor. Ajo çka konstatoj unë është se shpresat e varura tek EULEX-i ishin shumë më të mëdha se sa është arritur tani dhe se në disa pjesë të Kosovës krime të tilla si dhuna, korrupsioni, mashtrimi, tw cilat nuk ndëshkohen. Kjo është diçka vendimtare dhe parakusht për të krijuar besimin tek popullsia. Prandaj duhet rritur kontrolli ndaj qeverisë.

DW: Si e cilësoni politikën e Beogradit ndaj Kosovës?

Erler: Besoj se duhet të bëjmë dallim: Udhëheqja politike në Beograd e di tashmë që gjërat nuk mund të kthehen mbrapsht. Kjo shihet tek 65 vendet që e kanë njohur Kosovën - për fat të keq, pa pesë anëtarë të BE-së. Tek kreu i Beogradit është përhapur njëfarë realizmi. Por në anën tjetër, kjo temë vazhduan të luajë një rol në politikën e brendshme dhe kështu do të jetë për disa vjet. Por, unë mendoj se tema e Kosovës do të luajë një rol gjithnjë e më të vogël, sa më shumë që Serbia t'i afrohet BE-së. Prandaj edhe liberalizimi i vizave në këtë drejtim ishte mjaft i dobishëm.

DW: Veriu i Kosovës vazhdon të mbetet i shkëputur nga Prishtina. Një ide e hedhur së fundi për zgjidhjen e çështjes etnike është kantonizimi i Kosovës sipas modelit zviceran. Cili është mendimi juaj për këtë zgjidhje?

Erler: Nuk besoj se janë pjekur kushtet për një zgjidhje përfundimtare. Unë besoj se puna për ndërtimin e shtetit ligjor ka prioritet, sepse për sa kohë që ne nuk arrijmë përparime në këtë fushë, edhe zgjidhja politike e veriut do të jetë e vështirë.

DW: Mendoni se Gjermania mund të angazhohej më shumë në Kosovës?

Erler: Angazhimi ynë në Kosovë nuk është i vogël: Ne kemi pasur deri tani 1500 ushtarë në kuadër të KFOR-it, kemi 180 anëtarë tek EULEX-i, dhe kemi harxhuar shumë para në buxhetin tonë për Kosovën. Vetëm në vitin 2009 shuma ka qenë 240 milionë euro, duke qenë kështu donatorët e dytë. Nuk mund të thuhet se Germania nuk angazhohet, ne bëjmë ç'kemi në dorë, por kemi nevojë për partnerë të angazhuar në terren, dhe këtu qëndron problemi.

DW: Megjithatë ju e kritikoni politikën aktuale të koalicionit qeveritar ndaj Evropës Juglindore...

Erler: Kjo ka të bëjë me perspektivën e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit në BE. Në marrëveshjen e koalicionit nuk ekziston një deklaratë e qartë për këtë çështje. Kjo është e rëndësishme edhe për Kosovën, po ashtu edhe për Serbinë, sepse një zhvillim konstruktiv varet nga perspektiva e integrimit në BE. Por kjo nuk ka të bëjë vetëm me Gjermaninë, por me të gjithë Evropën, e cila edhe pas arritjes së marrëveshjes së Lisbonës, nuk është e hapur për zgjerime të mëtejshme.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Bahri Cani

  • Data 17.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/M3s9
  • Data 17.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/M3s9