1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Erler: Konflikti në Ukrainë nuk ka zgjidhje ushtarake

Koordinatori i qeverisë gjermane për bashkëpunimin gjermano-rus, Gernot Erler mendon se konflikti në Ukrainë dhe problemi i separatizmit nuk mund të zgjidhen me rrugë ushtarake.

Përfaqësues të qeverisë gjermane u bënë edhe një herë thirrje gjatë fundjavës palëve të konfliktit në Ukrainë që të kërkojnë një zgjidhje politike. Por ndoshta kjo aktualisht nuk është më aq tërheqëse për Presidentin e Ukrainës Poroshenko. Ushtria e tij njoftoi në fundjavë për suksese në luftimin e separatistëve në lindje të vendit.

Koordinatori i qeverisë gjermane për bashkëpunimin gjermano-rus, Gernot Erler, mendon se ky qëndrim i Poroshekos është i kuptueshëm, por se kjo "nuk do të thotë se me këtë gjë marrëveshja e së mërkurës së kaluar në Berlin bëhet e pavlefshme." Në këtë marrëveshje të dy palët, si ajo ruse dhe ukrainase, ranë dakord për të vazhduar bisedimet në këtë grup kontakti. Erler mendon se tani "Perëndimi nuk ka zgjidhje tjetër, përveç se të bëjë presion ndaj Poroshenkos, që ta respektojë vërtetë marrëveshje."

Për këtë konflikt nuk ka zgjidhje ushtarake

Erler shprehet me bindje se konflikti në Ukrainë nuk mund të zgjidhet me rrugë ushtarake. Edhe në rast se ushtria ukranase arrin t'i rrethojë qytetet Donezk dhe Luhansk, "me këtë nuk zgjidhet politikisht përgjithmonë problemi i separatizmit, por vetëm mund të rivendoset kontrolli politik dhe ligji i Ukrainës në këtë zonë." Qëndrimi gjerman është sipas Erlerit, që veprimet ushtarake nuk e zgjidhin dot problemin politik të separatizimit. Qeveria gjermane, OSBE-ja dhe shtetet e tjera të grupit të kontaktit po përpiqen të ndikojnë te Poroshenko, që ky të mos heqë dorë prej zgjidhjes politike të konfliktit.