1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Erdogani në prag të fushatës

Këtë verë në Turqi presidenti do të zgjidhet për herë të parë drejtpërdrejt nga populli. Kryeministri Erdogan ka gjasa që të kandidojë. Vëzhguesit kanë frikë se Erdogani do ta ndryshojë sistemin qeverisës në vend.

default

Rexhep Taip Erdogan

Vetëm disa javë para përvjetorit (28.05.2014) të fillimit të protestave në parkun Gezi të Stambollit filloi këtë javë seanca e parë kundër 255 kritikëve të qeverisë, që kanë marrë pjesë aktive në demonstratat masive kundër qeverisë turke. Midis tyre janë shtatë të huaj. Të pandehurit akuzohen ndër të tjera për shkelje të së drejtës për të demonstruar, për dëmtimin e vendeve të kultit dhe plagosjen e civilëve.

Shumë mendojnë se ata janë trajtuar në mënyrë të padrejtë nga qeveria. "Unë jam takuar me katër shokë në sheshin Taksim. Papritur u arrestuam nga policia. Ne nuk e dinim se çfarë po ndodhte me ne. Unë nuk jam fajtor dhe kërkoj lirimin", tha i akuzuari Seckin Cebeci për CNN Turk. Edhe kameramani Gorkem Celiloglu ndihet i akuzuar pa të drejtë. "Unë kam lëvizur me kamerën time në mes të një grupi protestuesish. Kur policia përdori papritmas gazin lotsjellës, grupi iku me vrap dhe unë mbeta aty. Pastaj ai u arrestua. Kjo nuk është e drejtë", thotë Celiloglu.

Momenti i zhvillimit të proceseve nuk ishte rastësi, mendon Fethi Acikel, politolog në universitetin e Ankarasë. "Rexhep Taip Erdogan do të preazantojë stilin e tij autoritar të qeverisjes pak kohë para zgjedhjeve presidenciale të gushtit. Që prej fillimit të protestave ai ndjek strategjinë mik-armik. "Erdogani e përçan vendin. Ai përpiqet të bindë elektoratin, se po përndjek ata, që prishin qetësinë e rendin. Unë nuk do të çuditesha, nëse kryeministri Erdogan e kthen përvjetorin në një lloj fushate zgjedhore për zgjedhjet presidenciale", tha Acikel në bisedë DW.

Përvjetori i fillimit të protestës po afrohet dhe ende kërkohen policët dhe punonjësit e sigurisë, që kanë plagosur njerëz të panumërt dhe disa madje i kanë vranë, thotë politologu. "Ka pezimizëm në popull. Procesi gjyqësor tregon se asgjë nuk ka ndryshuar", thotë Acikel.

Erdogani si president autoritar?

Më 10 gusht për herë të parë një president turk zgjidhet drejtpërdrejt nga populli. Nëse raundi i parë përfundon pa rezultat, do të ketë balotazh më 24 gusht. Megjithatë është ende e paqartë se kush do të kandidojë për postin e presidentit. Shumica e vëzhguesve supozojnë se kryeministri Erdogan do të kandidojë. Sidomos takimi i fundit i udhëheqjes së partisë konservatore islame AKP javën e kaluar (02.05.2014) nuk lë hapësirë për dyshime. Në të u vendos përfundimisht, që asnjë përfaqësues i AKP-së nuk lejohet të qëndrojë më shumë se tri legjislatura në të njëjtin post. Me këtë rregull të brendshëm Erdogani nuk mund të bëhet sërish kryeministër. Zëvendëskryeministri Bulent Arinc njoftoi se kandidati presidencial i AKP-së "do të jetë 100 për qind Erdogani", në qoftë se do.

Erdogan ka bërë të ditur se do shfrytëzojë "të gjithë pushtetin" e postit, në qoftë se ai do të bëhet president. Kjo do të ishte diçka e re në politikën turke, thotë Evren Balta, politologe në universitetin Yildiz në Stamboll. Presidenti turk në bazë të kushtetutës ka mjaft pushtet. "Por ky pushtet kurrë nuk është përdorur plotësisht. Presidentët në Turqi ishin më tepër neutralë dhe kishin rol simbolik." Por Erdogani dëshiron ta ndryshojë këtë. "Për këtë mund të jemi të sigurt. Në qoftë se Erdogani zgjidhet në gusht president, ai do të përpiqet të qeverisë si një president në një sistem presidencial", thotë Balta në bisedë me DW. Dhe me një stil autoritar udhëheqjeje, thotë politologia.

Evren Balta EINSCHRÄNKUNG

Evren Balta

Turqia nën Erdoganin: një vend "jo i lirë"?

Nga viti 2002 deri 2007 janë bërë përparime në demokratizimin e vendit, thekson Balta. "Dobësimi i ushtarakëve ka qenë një kërkesë kryesore nga ana e BE për pranimin e Turqisë në BE. Erdogan ka qenë politikani i parë që arriti ta bëjë këtë. Ne e kemi admiruar, sepse ai ishte reformist", thotë politologia. Por që nga viti 2010 AKP u bë gjithnjë e mëa autoritare, gjë që u demonstrua sidomos në kontrollin mbi mediat.

Balta përmend raportin e fundit të organizatës për të drejtat e njeriut Freedom House nga SHBA. Aty Turqia u klasifikua si vend "jo i lirë". Një vend me pak deri aspak liri shtypi. "Nën Erdoganin bëhet presion i madh mbi median", thotë Balta.

Edhe Fethi Acikel mendon se Erdogan në vitet e para të qeverisjes së tij konsiderohej si reformator. Por kur e pa se elektorati qëndronte me besnikëri pas tij, filloi të qeverisë me stil autoritar. Shtypi filloi të kontrollohej gjithnjë e më shumë, më shumë se 60 opinionistë humbën vendin e punës dhe televizioni shtetëror u vu nën kontrollin personal të kryeministrit. "Erdogani do ta transformonte Turqinë në një vend të stilit të Putinit, me një udhëheqje konservatore islame, thotë Acikel. Turqia kishte një sistem parlamentar dhe jo presidencial. "Por ne të gjithë e dimë se Erdogani do ta zbatojë në maksimun fuqinë e tij si president, nëse zgjidhet", thotë politologu.