1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Erdogani kritikon barazinë e gruas me burrin

Presidenti turk tha se gratë nuk mund të bëjnë çdo punë që bëjnë burrat, si në kohën e komunizmit. Erdogani kritikoi më tej dhunën në familje dhe rrymat feministe.

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan e ka refuzuar barazinë e plotë mes burrit dhe gruas. Një barazi e plotë gjinore është ‘‘kundër natyrës‘‘, tha ai në një fjalim të mbajtur mbi rolin e gruas para shoqatës së grave Kadem.

Si shembull të pikëpamjeve të tij mbi barazinë Erdogani i është referuar punës. ‘‘ Gratë nuk mund të bëjnë çdo punë që bëjnë burrat, siç ishtë në kohën e komunizmit‘‘, tha ai. ‘‘ Le të marrin një lopatë dhe të punojnë? Por kjo nuk shkon, pasi është në kundërshtim me imazhin e brishtë të gruas‘‘, tha Presidenti. Gratë shtatzëna dhe ato që i japin gji fëmijës nuk mund të punojnë në të njëjtat kushte si burrat, tha ai.

Përveç kësaj feja islame i ka dhënë gruas rolin e nënës. Erdogani kritikoi rrymat feministe, që nuk e pranojnë rolin e nënës. Ato nuk mund të shpjegojnë rolin që kishin nënat dhe gratë në fenë islame.

Dënon dhunën ndaj grave si antiislame

Erdogani dënoi njëkohësisht edhe dhunën shtëpiake ndaj grave në vendin e tij. Kjo është e papranueshme dhe shkel ‘‘rregullat e fesë islame si fe e paqes‘‘. Në Turqi pothuajse çdo ditë një grua vritet nga burri, i afërmi apo partneri i saj. Dhuna është rritur në mënyrë të vazhdueshme dhe vetëm këtë vit në Turqi janë vrarë 260 gra, ndërsa në vitin 2013 u vranë 214 gra.

Pikëpamjet e Erdoganit mbi rolin e gruas kanë ngjallur diskutime në Turqi. Në kohën kur ai ishte kryeministër dhe udhëneqës i Partisë Konservatore – Islame, AKP, ai shkaktoi debat me pohimin e tij se çdo grua duhej të kishte të paktën 3 fëmijë.