1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Erdogani korrigjon gabimet në politikën e jashtme

Thomas Seibert/Lindita Arapi28 Janar 2014

Me vizitën e tij zyrtare në Teheran, kryeministri turk, Erdogan synon të përmirësojë marrëdhëniet me Teheranin. Vitet e fundit Turqia është izoluar gjithnjë e më shumë politikisht në rajon.

https://p.dw.com/p/1AyFZ
Fotografi: Reuters

Kryeministri turk, Recep Tayyip Erdogan e vizitoi Iranin së fundmi në vitin 2012, por këtë herë në Teheran ai do të bisedojë për intensifikimin e marrëdhënieve politike dhe ekonomike mes Iranit dhe Turqisë. Të dyja palët duan të bien në ujdi (28.02) për të bërë konsultime të rregullta në nivel të lartë. Për shkak të zbutjes së sanksioneve kundër Iranit, - në kuadër të zgjidhjes së konfliktit atomik me Teheranin - Turqia shpreson të rrisë importet e gazit dhe naftës nga ky vend. Vetëm para pak vitesh Turqia u detyrua të të reduktojë më shumë se gjysmën e importit të naftës nga Irani, e kjo vetëm me rritjen e presionit të Shteteve të Bashkuara. Celaletin Yavuz, zëvendësdrejtor i një instituti për studime politike në Ankara u shpreh se Turqia synon të rigjallërojë projektet në fushën energjitike.

Problemet e Turqisë në rajon

Marrëdhëniet turko-iraniane u rënduan vitet e fundit me ashpërsimin e konfliktit të armatosur në Siri. Ankaraja mbështet opozitën, ndërkohë që Teherani punon ngushtë me qeverinë e presidentit Bashar Al-Asad. Por edhe tensionet me fqinjin e përbashkët Irakun janë shtuar. Erdogani ka pasur përplasje me kryeministrin shiit irakian, Nuri al-Maliki, një partner i Iranit.

Ahmet Davutoglu türkischer
Ahmet Davutoglu dhe Hassan RouhaniFotografi: picture alliance/AA

Vizita e kryeministrit turk në Iran nuk i shërben kështu vetëm zbutjes e përmirësimit të marrëdhënieve me Teheranin. Në vitet e fundit Turqia ka pasur probleme në të gjithë rajonin. Ajo doli hapur në anën e grupeve sunite, si Vëllazërinë Myslimane, duke shkaktuar me këtë zemërimin e disa fuqive rajonale. Erdogan refuzon të bashkëpunojë me pushtetmbajtësit e rinj në Egjipt pas rrëzimit të presidentit Mohamed Mursi.

"Izolim superior"

Rezultat i një politike të tillë ishte vetmimi politik e rajonal i Ankarasë. Kritikët ironizonin shprehjen e ministrit të Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu, që Turqia të kishte "zero probleme" me fqinjët. Kritikët thonë: Turqia ka tani "zero miq".

Gazeta "Radikal" kritikon se Turqia, që e sheh veten si një fuqi rajonale në rritje, tani nuk ka më ambasadorë në Egjipt, Izrael dhe Siti. Këshilltari i Erdoganit Ibrahim Kalim bëri fjalë për "një izolim superior".

Ndërsa për ekspertin Celalettin Yavuz përcaktimi i bërë nga Kalim është një lloj "falimentimi" i politikës së jashtme turke. Ankara ka bërë gabimin, që në shumë fusha është pozicionuar hapur me një qëndrim të ngurtë. Kështu në Siri, Turqia mban qëndrimin e rrëzimit të Asadit pa ekuivoke, gjë që i merr politikës së jashtme fleksibilitetin e nevojshëm, thotë eksperti turk. "Duhet të ekzistojë gjithmonë një plan tjetër B".

Gül ushtron kritikë

Jo vetëm eksperti Yavuz ushtron kritikë. Edhe presidenti turk Abdullah Gül në një fjalim të tij ushtroi kritikë, megjithëse jo aq drejtpërdrejt. Presidenti kërkoi që Ankaraja "të rikalibrojë" politikën e saj ndaj Sirisë. Edhe në një fjalim para ambasadorëve të Turqisë në botë, Gül u shpreh me fjalët se diplomacia "duhet të kujdeset për prova korrekte dhe diagnoza realiste" dhe të përpiqet të kuptojë motivet dhe interesat e çdo partneri.

Abdullah Gül
Fotografi: AFP/Getty Images

Politologu Göktürk Tüysüzoglu nga Universiteti Giresun në brigjet e Detit të Zi është i sigurtë se në qendrën e pushtetit në Ankara po reflektohet për një ndryshim kursi. Megjithëse ky ndryshim nuk është aq i lehtë, sipas ekspertit. Linja prosunite dhe antiizraelite e viteve të fundit ka pasur simpati tek elektorati konservatoro-islamik.

Shtim vizitash

Megjithatë Turqia po përpiqet realisht për përmirësimin e marrëdhënieve me fqinjët dhe partnerët e saj. Davutoglu në muajt e fundit ka vizituar Irakun, Iranin, Armeninë dhe Greqinë. Javën e shkuar kryeministri Erdogan shkoi në një takim të nivelit të lartë në Bruksel me politikanë të BE-së, vizita e parë që prej pesë vjetësh. Të hënën presidenti francez, Francois Hollande vizitoi Turqinë si i pari president francez pas 22 vjetësh. Më 4 shkurt Erdogan vjen në Berlin. Pak javë pas vizitës së Erdoganit në Iran, presidenti iranian Rohani do të shkojë në Ankara. Si Turqia edhe Irani është i interesuar për kapërcimin e izolimit politik rajonal. Për gazetën "Hurriyet", Rohani tha se të dy vendet kanë qëndrime të ndryshme për Sirinë, por "kjo nuk na pengon të bisedojmë për këtë temë".