1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Erdogani kërkon mbështetje

Turqia dëshiron të anëtarësohet në BE, pa diskutim. Këtë e bëri të qartë në Berlin kryeministri Erdogan. Por mbështetja e qeverisë gjermane është me gjysmë zemre.

Një partneritet të privilegjuar me BE - shumë më tepër kancelarja gjermane Angela Merkel nuk dëshiron t'i japë Turqisë. Pas një bisede në Berlin me kryeministrin turk, Rexhep Tayp Erdogan ajo tha se vazhdon të jetë kundër një anëtarësimi të plotë të Turqisë në BE. Negociatat e anëtarësimit ajo i sheh megjithatë si një proces me përfundim të hapur. Merkel u shpreh pro hapjes së shpejti të negociatave për kapitujt 23 dhe 24, në të cilat bëhet fjalë për shtetin juridik, për drejtësinë dhe të drejtat e njeriut. Por më parë duhet të mbyllet kapitulli 22, që merret me politikën rajonale. Ky kapitull u hap në nëntor të vitit të kaluar, pas tri vjetësh statuskuoje në negociata.

Duke pasur parasysh minoritetin turk në Gjermani, Merkeli tha se integrimi nuk është rrugë njëkahëshe. Ajo pret nga migrantët, që të "angazhohen në vendin tonë dhe ta organizojnë këtu jetën e tyre". Iritimet që kishte shkaktuar Erdogani në një vizitë të tij të mëparshme në Gjermani, kur foli për një asimilim të turqve në Gjermani, ndërkohë janë sqaruar, tha Merkeli. Më tej koalicioni qeveritar vendosi që t'u ofrojë turqve të rritur në Gjermani mundësinë e nënshtetësisë së dyfishtë.

BE ka nevojë për Turqinë

Erdogani e falenderoi kancelaren gjermane për bashkëpunimin e ngushtë dhe të mirë. Por ai dëshiron "edhe më tepër mbështetje", shtoi ai në mënyrë diplomatike. Në një referat që kishte mbajtur më parë para Shoqatës Gjermane për Politikën e Jashtme, DGAP, ai i pati bërë thirrje qeverisë gjermane që ta mbështesë anëtarësimin e vendit të tij në BE.

Njëkohësisht ai premtoi që Turqia nga ana e saj do ta vazhdojë procesin e reformave. "Jo vetëm Turqia ka nevojë për BE. BE ka nevojë për Turqinë", theksoi Erdogani. Vendi i tij ka rolin e urës midis Lindjes së Afërt dhe Afrikës së Veriut. Ekzistojnë marrëdhënie të ngushta me republikat turke dhe me Ballkanin. Prandaj pranimi i Turqisë në BE mund të japë një kontribut të rëndësishëm për paqen në këto rajone. "Nuk do të jetë e mundur, të hartohet një e ardhme pa Turqinë", tha Erdogani. Në bisedën e tij me Merkelin ai kërkoi edhe më shumë mbështetje për furnizimin e refugjatëve sirianë në Turqi. Ankaraja ka pranuar më shumë se 700.000 refugjatë nga vendi fqinj, por ka marrë vetëm pak ndihma ndërkombëtare, u shpreh ai.

Në referatin që mbajti para DGAP-së Erdogani i vlerësoi kritikat për korrupsion kundër qeverisë së tij si "sabotazh dhe provokim". Struktura të organizuara, të cilat kishin zënë vend në polici dhe në drejtësi kishin si synim destabilizimin e Turqisë. "Në e sprapsëm këtë sulm", theksoi ai.