1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Erdogani fiton zgjedhjet parlamentare në Turqi

Në krye të qeverisë turke nuk priten ndryshime: Kryeministri Rexhep Taip Erdogan do të mbetet në pushtet. Në bazë të rezultateve preliminare të votimeve të së dielës partia e tij AKP ka fituar qartazi.

default

Erdogani pra një fitore të re...

Në krye të pushtetit të Turqisë duket se nuk do të ketë ndonjë ndryshim, sepse kryeministri i mëparshëm do të vazhdojë të mbetet në pushtet. Në bazë të rezultateve preliminare të zgjedhjeve parlamentare të së dielës (12.06) partia fetare-konservatore AKP e kryeministrit Rexhep Taip Erdogan i ka fituar qartë votime.

Pasi janë numëruar rreth gjysma e votave AKP kryeson me një rezultat rekord prej rreth 49,9%. Por kësaj partie i mungon megjithatë shumica e nevojshme e dy të tretave. Ajo ka marrë 325 nga 550 mandate parlamentare gjithsej në parlamentin e Turqisë, duke qenë kësisoj nën kuotën e dy të tretave me 367 mandate.
Erdogan me një shumicë të tillë do të kishte arritur ta ndryshonte kushtetutën pa qenë nevoja për referndum. Kritikët druhen, se 57 vjeçari besimtar mysliman mund t' i shmangej me këtë karakterit laik të republikës turke. Në zgjedhjet e vitit 2007 AKP-ja, që qeveriste qysh nga 2002 fitoi me vetëm 46,6 % të votave.

Vëzhguesit: Rrjedha e votimeve në përgjithësi e qetë

Rreth 40 vetë janë arrestuar për shkak të disa incidenteve. Në kryeqytetin Ankara një grup sulmoi simpatizantë të AKP-së duke i akuzuar ata për falsifikimin të votës, njofton agjencia turke e lajmeve Anadolu. Edhe në rajonin e banuar nga shumicë kurde në Juglindje të Turqisë janë arrestuar 34 vetë, të cilët kanë ushtruar presion ndaj votuesve, duke dashur t'u imponojnë atyre që të votojnë për kandaidatin e pavarur të një lëvizjeje pro-kurde.

Ekonomia në bom

Kryeministri Recep Tayyip Erdogan ka sjellë në Turqi gjatë viteve të kaluara një stabilitet dhe rritje të lartë ekonomike. Ekonomia i dha Erdoganit vetëbesimin e duhur se këtë të dielë (12.06.2011) do t'i fitonte zgjedhjet pa problem. Gjatë fushatës ai ka premtuar rritjen e mëtejme ekonomike dhe një rol më të fuqishëm të Turqisë në botë. Në pllakatet parazgjedhore bëhej fjalë edhe për 100 vjetorin e lindjes së Republikës së Turqisë, në vitin 2023. "Turqia është e gatshme, qëllimi është 2023-i!", thuhej. Kur shikon këto pankarta, fiton pështypjen se Edogani ka për qëllim të mbetet në pushtet deri më 2023. Por tani fjala është për katër vitet e ardhshme.

Mbështetësit kthehen në kundërshtarë

Türkei Ministerpräsident Recep Tayyip Erdogan in Ankara

... por nuk dihet nëse do të fitojë 2/3 e mandateve

Disa prej mbështetësve të dikurshëm ndërkombëtarë të Erdoganit janë distancuar prej tij. Revista britanike "The Economist", për shembull, u sugjeronte më parë zgjedhësve që të votojnë për Erdoganin. Ndërsa tani u ka sugjeruar të votojnë për partinë opozitare, CHP. Muajt e kaluar Turqia ka ngritur shpesh aktakuza dhe ka frikësuar gazetarët. Vëzhguesit thonë se proceset janë nën kontrollin e qeverisë. Kritikohet edhe angazhimi jo i duhur i partisë AKP për integrim në BE si dhe mungesa e një zgjidhje të problemit me kurdët. Shumë vëzhgues shtojnë edhe pyetjen se si do të duket politika e partisë në pushtet, në qoftë se fiton 2/3 e votave. "Ky është një test shumë i madh", thonë ata. Ka shumë përparime në Turqi, por ende mungon "thellësia dhe largpamësia", thonë ata.

Cenzusi tepër i lartë

Türkei Wahl Wahlen 2011 Kemal Kılıçdaroğlu

Lideri i opozitës Kemal Kılıçdaroğlu, kundërkandidati i vetëm serioz.

Për t'u futur në parlament ato duhet të fitojnë 10 për qind të votave. Kjo kuotë është futur në vitin 1980, me qëllim që të pamundësohet futja në parlament e partive kurde.

Reforma e Kushtetutës është një prej kushteve që duhet plotësuar në rrugën për integrim në BE. Erdogani thotë se është i interesuar për një "kushtetutë që do të respektonte të drejtat elementare dhe vlerat, një kushtetutë me të cilën njerëzit do të identifikoheshin". Por deri tani nuk dihen detajet e reformës kushtetuese.

Kritikët kanë frikë se AKP-ja ka për qëllim të forcojë edhe më shumë pushtetin e vet. Sipas tyre, Erdogani do të vendosej në majë të këtij pushteti, për një kohë më të gjatë. Vëzhguesit thonë se ai edhe tani ka tepër pushtet.

Karte Naher Osten

Turqia: pak në Evropë e më shumë në Azi

Më shumë se 52 milionë zgjedhësve me të drejtë vote iu bë thirrje të votojnë për parlamentin e ri. Në zgjedhje kandiduan 15 parti dhe 203 kandidatë të pavarur. Vlerësohet se shumë prej tyre i takojnë partisë kurde BDP, sepse për kandidatët e pavarur nuk vlen cenzusi prej 10 %.

Turqia ka një sipërfaqe prej 810.000 kilometra katrorë dhe është dyfish më e madhe se Gjermania. Por vetëm 24.000 kilometra katrorë janë në territorin e Evropës. Pjesa tjetër është në Azi. Prej 73 milionë banorëve, gati 99 % janë myslimanë, por vetëm 70 % janë me përkatësi kombëtare turke. Të paktën 20 % e popullatës janë kurdë. Të tjerët janë arabë, çerkezë dhe gjeorgjianë.

Autor: U.Kiesel/V.Filaj-Ballvora

Redaktoi: B.Cani

DW.COM