1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Erdogani e kërcënon me lamtumirë BE

3 Maj 2017

Presidenti i Turqisë kërkon që bisedimet e anëtarësimit të Turqisë në BE, të cilat kanë ngecur, të vazhdojnë. Përndryshe, Turqia do t'i kthejë kurrizin Evropës, deklaroi ai.

https://p.dw.com/p/2cFl5
Türkei Erdogan in Regierungspartei AKP zurückgekehrt
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/B. Ozbilici

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tayyp Erdogan kërkon t'i kthejë kurrizin Bashkimit Evropian, po të mos rifillojnë bisedimet e anëtarësimit, të cilat kanë kohë që kanë ngecur në vend. BE nuk ka alternativë tjetër, veçse të hapë tema të tjera në negociata, tha Erdogani. "Mirupafshim, po të mos e bëjnë",  u shpreh Erdogani në drejtim të BE. Vendi i tij nuk ka se ç'të diskutojë me BE, për aq kohë sa Bashkimi Evropian nuk u përmbahet premtimeve të tij.

Erdogani iu referua hapjes së të ashtuquajturve negociata të anëtarësimit me BE, në kuadër të të cilave diskutohen tema të caktuara si ekonomia, drejtësia ose të drejtat e njeriut. Në qershor 2016, BE pati hapur një kapitull për çështje financiare dhe të buxhetit, siç qe rënë dakord në kuadër të marrëveshjes për refugjatët. Por që atëherë, marrëdhëniet midis të dyja palëve janë ftohur gjithnjë e më shumë, për shkak të mënyrës së veprimit të qeverisë turke kundër opozitarëve, pas dështimit të puçit në korrik si dhe referendumit të diskutueshëm për kushtetutën.

Erdogan sërish në AKP: "Mirëserdhe në shtëpi"
Erdogan sërish në AKP: "Mirëserdhe në shtëpi"Fotografi: picture-alliance/AP Photo/B. Ozbilici

Pas referundimit për kushtetutën sërish në AKP

Të martën (02.05.0217) Erdogani u pranua në selinë qendrore të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) në Ankara sërish si anëtar i saj. Ndryshimi i kushtetutës i miratuar në 16 prill me një shumicë të vogël votash, i lejon Presidentit që të jetë në të ardhmen sërish pjesë e një partie. Presidenti nënshkroi në selinë e AKP-së dokumentin e anëtarësisë, ndërsa anëtarët e AKP-së brohorisnin dhe kryetari i partisë, Yildirim tha se Erdogani u kthye në "shtëpi". Në fjalën që mbajti Erdogani tha ndër të tjera se "sot po kthehem në shtëpinë time, në dashurinë time, në pasionin tim. Kjo pritje në ankth për partinë time mori fund, pas 979 ditësh."

Erdogani ishte në vitin 2001 bashkëthemelues i partisë islamike-konservatore. Pas zgjedhjes në postin e Presidentit, në gusht 2014, atij megjithatë iu desh të dilte nga AKP-ja, meqenëse në bazë të kushtetutës si kryetar shteti qe i detyruar të mbante neutralitet politik. Por tani ky përcaktim u eleminua. Ndryshe nga reformat e tjera kushtetuese, përcaktimi për anëtarësimin në parti hyri menjëherë në fuqi.

Në një kongres të jashtëzakonshëm të partisë AKP në 21 maj, Erdogani do që ta zgjedhin sërish kryetar partie. Ai do të zëvendësojë kryeministrin Binali Yildirim, i cili e kryeson partinë që në maj 2016. Megjithatë, Erdogani luan rol drejtues në parti, edhe pa qenë kryetar i saj. Tani opozita druhet se Presidenti mund të fitojë kontroll shumë të madh mbi Parlamentin, meqenëse ai është njëkohësisht kryetar i shumicës.