1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Erdogani e ka mbivlerësuar veten

Kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan nuk i ka më pozitat aq të sigurta, siç dukej deri para pak kohe. Ai po ndërmerr hapa për të shpëtuar veten, mendon Baha Güngör.

default

Deri në verën e vitit të kaluar askujt nuk do t'ia kishte marrë mendja se viti 2014 fillon me një diskutim ndërkombëtar për të ardhmen politike të kryeministrit turk Rexhep Taip Erdogan. Për të mos folur për përçarjet e brendshme politike në vend. Shumë pozitiv, të paktën sipas statistikave, ishte zhvillimi ekonomik i Turqisë, partia fetare-konservatore AKP qeveris (ende) me një shumicë absolute për t'u patur zili dhe reputacioni i Turqisë si një faktor stabilizues në mjedisin e saj të brishtë gjeopolitik ishte i mirë.

Por Erdogan ka mbivlerësuar tërësisht veten me ndjenjën e superioritetit të palëkundur politik. Mungesa e një opozite të fortë parlamentare i forcoi atij besimin në pagabueshmërinë e tij. Menaxhimi i krizës gjatë protestave në parkun Gezi nuk ishte i denjë për një vend demokratik. Policia vepron me brutalitet të madh kundër demonstruesve dhe disidentëve. Përveç kësaj shumë gazetarë dhe sidomos ish udhëheqja e ushtrisë turke morën dënime të rënda për gjoja plane për grusht shteti, me ndihmën e një gjyqësori, i cili nuk i kundërshtonte dot Erdoganit.

Në kërkim të aleatëve

Por tani fleta është kthyer kundër Erdoganit. Të dhënat ekonomike ka kohë që nuk janë më të kënaqshme, korrupsioni ka gërryer edhe familjet e ministrave. Edhe Erdogani nuk është kursyer nga hetimet e prokurorëve dhe policisë dhe djali i tij u vu në shënjestër të hetuesve.

Erdogan ndihej gjithnjë e më shumë me shpatulla pas muri dhe në panik bëri gabime me pasoja të rënda. Fillimisht transferoi, apo pezulloi nga detyra shumë prokurorë. Dhe pastaj qindra zyrtarë të lartë të policisë dhe madje edhe drejtorë policie në provinca ose u kthyen në qendër, ose u shkarkuan.

Gjyqësori, i cili deri para disa muajsh e kishte mbështetur Erdoganin në qëllimet e tij pa kundërshtimin më të vogël, u fajësua nga kryetari i qeverisë gjatë hetimeve të rasteve të korrupsionit, se po përpiqet të bëjë grusht shteti. Erdogani po mbetet vetëm. I hutuar në kërkim të aleatëve të rinj ai nuk kursehet tani as që të rihapë proceset kundër ish-komandantëve të dënuar të ushtrisë, sepse ata mund të jenë bërë "viktima të komploteve." Kështu ai dëshiron t'i kthejë oficerët në anën e tij.

Erdogan dëshiron të bëhet president

Jo, Erdogan nuk është më i sigurtë si deri para pak kohe. Fajtor për këtë nuk është vetëm predikuesi Fethullah Gülen, që jeton në SHBA nga viti 1999. Flitet që lëvizja me emrin e tij ka infiltruar pjesë të aparatit shtetëror si drejtësinë dhe policinë për të dobësuar Erdoganin. Güleni është bërë shumë i fuqishëm në Turqi. Përveç kësaj ai po gjen gjithnjë e më shumë mbështetje ndërkombëtare me tezën e tij për aftësinë e bashkëekzistencës së fesë islame me demokracinë.

Çfarë do të bëhet në Turqi, në këtë vend me rëndësi të veçantë për interesat e Evropës, nuk mund të thuhet ende. Zgjedhjet lokale në mbarë vendin në fund të marsit mund të krijojnë një ide, nëse AKP e Erdoganit mund të arrijë të rimarrë të njëjtat vota prej 50 përqind si në zgjedhjet e fundit parlamentare tre vjet më parë. Kjo është e rëndësishme edhe për shkak se mandati i presidentit Abdullah Gül përfundon në fund të gushtit. Dihet se Erdogani dëshiron të jetë vetë president i një Turqie me me një sistem presidencial. Shanset e tij megjithatë kanë rënë ndjeshëm pas dështimit në zgjidhjen e krizës së verës të vitit të kaluar.