1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Erdogani do të nisë "epokë të re"

Ai është tani përfundimisht burri i fortë i Turqisë: ende kryeministri dhe së shpejti president i Turqisë njofton pas fitores një fillim të ri për vendin e tij. 60 vjeçari ka me vete një shumicë absolute zgjedhësish.

Ai është tani përfundimisht burri i fortë i Turqisë: ende kryeministri dhe së shpejti president i Turqisë njofton pas fitores së qartë një fillim të ri për vendin e tij. 60 vjeçari ka me vete një shumicë absolute zgjedhësish.

Pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale, kryeministri turk Recep Tayyip Erdogan tha se do të nisë një "epokë të re" dhe se do ta pushojë "grindjen e së kaluarës". Politikani islamik konservator u shpreh të dielën në mbrëmje para mbështetësve të tij në Ankara. "Unë i falenderoj të gjithë qytetarët, pavarësisht nëse më kanë zgjedhur apo jo, që kontribuan që të shkruhet histori në një ditë kaq historike", tha Erdogani prej ballkonit të ndërtesës së partisë së tij AKP.

Shumicë absolute që me raundin e parë

Në bazë të rezultateve jopërfundimtare Erdogani mori që në raundin e parë rreth 52 përqind të votave. Rivali i tij kryesor, Ekmeleddin Ihsanoglu mori 38 përqind të votave, kandidati i minoritetit kurd, Selahattin Demirtas, mori rreth dhjetë përqin të votave. Pra: shumicë absolute për Erdoganin që në raundin e parë.

Me tërheqjen e vëmendjes në "grindjen e së shkuarës" Erdogani e pati fjalën për krizat e shumta të periudhës më të fundit të tij në post. Por as protestat në të gjithë vendin, as afera e korrupsionit ose kritika ndërkombëtare për stilin e tij autoritar të drejtimit nuk e rrezikuan seriozisht pushtetin e tij. Shumë prej 76 milionë turqve shohin në ish-kryetarin e bashkisë së Stambollit babain e rritjes ekonomike, me të cilën Turqia fitoi peshë të madhe në botë. Erdogani është edhe për shtresën e mesme thellësisht fetare mbrojtës i rendit islamik, i cili është më i rëndësishëm se liritë demokratike.

Kryetari i komisionit elektorak e konfirmoi fitoren e Erdoganit. Zyrtarisht rezultati do të shpallet gjatë ditës së sotme.

Zgjedhjet e para të drejtpërdrejta

Këto ishin zgjedhjet e para të drejtpërdrejta të presidentit në Turqi, ku kryetarin e shtetit deri tani e zgjidhte parlamenti. Erdogani synon dy mandate me pesë vjet secili. Sipas vullnetit të tij, kryetari i shtetit, që deri tani kishte detyra përfaqësuese, do të pajiset në të ardhmen me fuqi ekzekutive.

Në zgjedhje qenë thirrur të merrnin pjesë 53 milionë turq. Sipas vlerësimit të një vëzhguesi të OSBE-së, pjesëmarrja në zgjedhje qe më e vogël se në mars.

Të drejtat qytetare në defensivë

Kritikë të Erdoganit ankohen se nën kryeministrin, Turqia po largohet gjithnjë e më tepër nga orientimi perëndimor dhe se po preken të drejtat e qytetarë. Opozita e akuzon më tej Erdoganin se i përdor pa fre favoret e tij si kryeministër. Televizioni shtetëror TRT transmetoi midis 4 dhe 6 korrikut 533 minuta për Erdoganin dhe vetëm tre minuta e gjysëm për konkurrentin e tij më të fortë, Ihsanoglu. Edhe një delegacion i Këshillit të Evropës kritikoi që Erdogani zë një vend joproporcional në raportim.