1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Erdogan përfundon vizitën në Gjermani

Kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan vizitoi Gjermaninë. Vizita që ngriti shumë pluhur është një tjetër dëshmi se Gjermania po bëhet gjithnjë e më shumë fushë beteje e politikës së brendshme turke.

default

Kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan, 10 shkurt 2008 duke folur para turqve në Këln

Se çfarë ka në mendje kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan është e vështirë të kuptohet. Kërkon ai vërtet të mbështesë integrimin e turqve në Gjermani? Nëse po, përse atëherë paralajmëron me zjarr ndaj rrezikut të asimilimit duke e cilësuar atë si krim kundër njerëzimit dhe e akuzon indirekt Gjermaninë se ka qëllim asimilimin? Përse nuk shprehet qartë se ku është sipas tij kufiri mes integrimit dhe asimilimit?


Përse kërkon ai shkolla dhe universitete turke në Gjermani dhe prioritet për gjuhën turke, kur njerëzit për të cilët thotë se shqetësohet kanë lindur e janë rritur në Gjermani dhe kanë këtu qendrën e jetës ashtu si gjyshërit dhe prindërit e tyre. Kush ka kërkuar që ata me origjinë turke të heqin dorë nga rrënjët e tyre kulturore dhe fetare?


Deklarata se përsosmëria e gjuhës turke është parakusht për integrimin është një lojë e rezikshme e Erdoganit. Kjo para së gjithash pasi pas xhamive egziston frika për ndikime të forta të përkatësisë fetare dhe të sekteve edhe në shkolla dhe universitete.


Rreth 20.000 pjesëmarrësit në takimin në Këln e brohoritën Erdoganin, Turqia është krenare për të. Por a vlen kjo për të gjithë Turqinë? Polarizimi në vendin anëtar të NATO-s mes kampit fetar dhe atij laik, mes sunitëve dhe alevitëve, mes nacionalistëve të djathtë dhe përkrahësve të Evropës kërcënon tashmë edhe paqen e brendshme në Gjermani, e cila po kthehet nga partia konservatoro-fetare e Erdoganit në një fushë beteje të politikës së brendshme turke.


Lideri turk i opozitës Deniz Baikal i Partisë laike Republikane të Popullit ishte të djelën në Ludvigshafen të Gjermanisë. Ai mori pjesë në ceremoninë mortore përpara dërgimit në Turqi të trupave të viktimave të zjarrit, që u mori jetën ndër të tjerë pesë fëmijëve turq. Familjet e prekura janë alevitë pra përkrahës klasikë të partisë së tij. E ngarkuara e qeverisë gjermane për integrimin Maria Bëmer (Böhmer) përfundoi një javë të vështirë në Ludvigshafen dhe tani asaj i duhet të përpunojë përshtypjet për hendekun e thellë jo vetëm mes gjermanëve dhe turqve por edhe atë mes kampeve të ndryshme në gjirin e popullsisë me origjinë turke.


Erdogani planifikon të bëjë të mundur te drejtën e votës për zgjedhjet në Turqi edhe për turqit që jetojnë jashtë vendit. Kjo do të thotë që rreth një milion njerëz me qendrën e jetesës në Gjermani do të mund të dërgojnë në parlamentin në Ankara deputetë nga rradhët e tyre. Por jo vetëm kaq. Kjo e drejtë vote do të thotë edhe që partitë turke do të zhvillojnë fushatën e tyre elektorale edhe në territorin gjerman. Me të gjitha rreziqet për objektivat e integrimit dhe për sigurinë në Gjermani. Shfaqja me një aktor në arenën e Këlnit ishte vetëm një provë e cila sipas Erdoganit shkoi shumë mirë.

  • Data 11.02.2008
  • Autor Güngör, Baha
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/D5Vz
  • Data 11.02.2008
  • Autor Güngör, Baha
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/D5Vz