1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Erdogan optimist në fushatën elektorale megjithë skandalin e përgjimeve

Rregjistrime telefonatash të kryeministrit turk Erdogan flasin për korrupsion dhe abuzim me pushtetin. Por kryeministri shprehet optimist për fitoren në zgjedhjet komunale që mbahen së shpejti.

Kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan, nën trysni për shkak të akuzave për korrupsion, ka konfirmuar autenticitetin e dy telefonatave, të cilat janë rregjistruar nga njerëz të panjohur dhe që sipas vlerësimit të kritikëve dëshmojnë ndikimin e paligjshëm të Erdoganit në një proces gjyqësor dhe në tendera publikë.

Erdogan ka pranuar tani autenticitetin e një telefonate në të cilën flet me ish ministrin e Drejtësisë Sadullah Ergin për një proces kundër sipërmarrësit të medieve, kritik ndaj regjimit Aydin Dogan. Në bisedë Erdogan shpreh zemërim për shpalljen të pafajshëm të Dogan. Ergin e qetëson duke iu referuar instancave më të larta për vazhdimin e procesit gjyqësor.

"Krejt normale"

Kryeministri turk deklaroi se është "krejt normale" t'i kërkojnë një ministri drejtësie të ketë në vëmendje një proces të caktuar gjyqësor. Dogan shihej me zemërim nga pushteti pasi grupi i tij mediatik pati informuar për një skandal me dhurimet në qarqet e partisë islamiko-konservatore në pushtet AKP. Menjëherë më pas grupi mediatik u dënua me një gjobë miliardëshe për shkak të shkeljeve të supozuara fiskale.

Biznes i kontestuar me armatime

Në një rregjistrim të dytë flitet për tenderin për ndërimin e një anijeje lufte. Tenderi fillimisht ishte fituar nga koncerni industrial Koc, por qëndrimi i tij gjatë trazirave të parkut Gezi në Stamboll pati ngjallur zemërimin e Erdoganit. Në telefonatë kryeministri i thotë sipërmarrësit Metin Kalkavan, që megjithë mbarimin e afatit të paraqesë një ofertë konkurrente. Vendimi për Koc më vonë u anulua.

Në internet javët e kaluara u shfaqën disa rregjistrime bisedash telefonike të Erdogan. Kryeministri turk pati deklaruar se pjesa më e madhe ishin montazhe, por disa i kishte pranuar si autentike. Kështu ai kishte pranuar se kishte kërkuar nga një televizion privat të informonte më pak për opozitën. Disa rregjistrime duket se janë urdhëruar nga prokuroria në kuadër të hetimeve për korrupsion në Turqi, të cilat Erdogan i kritikon. Se kush është autori i publikimit të rregjistrimeve nuk dihet ende.

Akuza kundër Gülen

Për Erdogan skandali i vërtetë është përgjimi. Për aksionet e përgjimit dhe hetimet për korrupsion kundër qarqeve qeveritare kryeministri dhe njerëzit e tij bëjnë përgjegjës lëvizjen e predikuesit Fetullah Gülen, i cili jeton në SHBA si dhe njerëzit e tij në strukturat e policisë dhe drejtësisë. Erdogan e akuzon ish aleatin e tij politik se kërkon ta rrëzojë nga pushteti, pasi ka marrë disa masa kundër shkollave private të kësaj lëvizjeje.

Pas bërjes publike të akuzave për korrupsion, Erdogan urdhëroi transferimin e mijëra policëve, gjykatësve dhe prokurorëve. në të njëjtën kohë ai arriti të kalonte në Parlament një ligj të ri për drejtësinë, i cili forcon rolin e Ministrisë së Drejtësisë në përzgjedhjen e gjykatësve dhe prokurorëve.

Megjithë bërjen publike të bisedave telefonike kompromentuese dhe dyshimeve për korrupsion, Erdogan shprehet optimist për fitoren në zgjedhjet komunale që mbahen pas tri javësh. Nëse partia e tij AKP nuk del sërish forca kryesore politike në zgjedhjet e 30 marsit, ai do të dalë nga politika aktive, citon agjencia e lajmeve Anadolu kryeministrin turk.